Μimoza Ajdhoni-Albumi i jetes time


Albumi i jetes time.

U ula sonte për të shfletuar,
fotografitë e jetës time,
dhe një gërryerje ndjeva në shpirt,
kur vitet rrodhën nëpër kujtime.

Në sy mu shfaqën një nga një,
fytyra, ngjarje, udhëtime,
sa shumë që kemi për të thënë,
unë dhe albumi i jetës time.

Fytyra të njerëzve të dashur,
që më shikojnë drejt e në sy,
disa më thonë “na ka marrë malli”,
në sfondin e kohës bardhë e zi.

Lotët nuk i urdhëroj dot,
dhe nuk shoh pastër, nuk shoh kthjelluar,
është jeta ime, është e kaluara,
asgjë nuk është për të harruar.

Është fëmijëria, është rinia,
vëllezër, motra, fëmijtë e mi,
janë sytë e prindërve që më shikojnë,
të përmalluar, plot dashuri.

Koha ndalon në këto çaste,
si film kalon gjithë jeta ime,
më pas sirtarin e kujtimeve hap,
vendos albumin e jetës time.

Μ. Ajdhoni

About Post Author