Prova e fatit


Hyqmet .B.Hasko

Thonë se rrugët e jetës shkojnë paralel me rrugët e shpirtit, por këtë nuk e kisha besuar. Kjo rrëfenjë e jetës sime e vërteton mirëfilli këtë gjë, ndaj bëni durim dhe lexojeni këtë histori…Në fshatin tim, diku në skajin më verior të Alpeve, më konsideronin si vajzën më të bukur. Kur isha në shkollë, shokët e klasës çmendeshin pas meje, por unë ende isha e njomë dhe nuk e kisha koncpetin e dashurisë. Kur shpërtheva në lulëzmin rinor, prindërit më mbyllën brenda dhe nuk më lanë asnjë deriçkë komunikimi me jashtë. Por dhe në atë izolim thuajse të plotë,nga shtigjet e jetës, të cilët nuk mbyllën kurrë plotësisht, nisën të vinin sinjale shprese.Njohja me atë që pak më vonë do të bëhej burri im ndodhi shpejt.Ai dhe unë vinim nga i njëjti fshat dhe ne u takuam së bashku përmes një personi të njohur nga te dy ne. Burri im ishte nja dhjetë vjet më i madh se unë, që një tip babaxhan, i sinqertë, fjalepak, disi i ngathet dhe i trembur, por dukej njeri shpirtmirë. E vërteta është se vinte nga një familje e pasur, me prona në fshat e qytet dhe me asete biznesi. Në rrethanat e mia dhe të familjes sime, ku varfëria qe ulur këmbëkryq, një martesë e tillë ishte e shumëpritur, e ëndërruar dhe madje e bekuar.Që në takimin e parë, ai u hipnotizua nga bukuria ime. Rrinte e më vështronte si i dalldisur dhe nuk fliste asnjë fjalë. Dukej se sharmi im e pati dehur ne ccdo pore të lekures…Për të dhënë dorën time, prindërit e mi, që mezi e kishin pritur një rast të tillë fatlum, kërkuan 20 mijë euro si dhuratë dhe kërkesa e tyre u përmbush brenda pak ditëve, duke i mbushur ata me gëzim e lumturi.Kështu u martova me atë që u bë burri im. Marrëdhënia ime me të pas martesës sonë dukej e mire dhe e mbarë. Ai qe një tip shumë punëtor, i ndershëm dhe i përkorë, i urtë, i sjellshëm dhe mjaft i aftë në fushën e biznesit. Ndërkohë, unë e prisja në shtëpi, mes gjithë të mirave, duke u kujdesur për shtëpinë tone dhe familjen tonë, me pasionin dhe përkushtimin e një nuseje të lumtur.Një ditë, partneri i burrit tim erdhi në shtëpinë tonë për darkë. Ai quhej Elvis dhe ai qe disa vite më i ri nga im shoq. Ishte një tip sharmant, intelegjent dhe me humor, mjaft simpatik. Gjatë darkës, teksa rrëkëllente gotën e pijes, ai fshehurazi hidhte ndonjë shikim mbi mua dhe shikimi i tij kokëfortë më bëri të skuqesha në fytyrë. Ajo lojë vështrimesh gati më dalldisi dhe ndjeva të ngrihesha peshë nga ndjesia e një aventure të mundshme.Pas asaj darke, ai erdhi dhe më vizitoi disa herë, duke më komplimentuar dhe gjuajtur tashmë në mënyrë fare të hapur. Gjithashtu më sillte dhurata të shtrenjta. Madje, edhe kur burri im ishte rreth e rrotull, ai kishte kurajën të vinte dhe të niste “gjuetinë” e tij të radhës. Asnjëherë nuk mungonte të më shprehte adhurimin, se isha një vajzë shumë e bukur, për t’u pirë në kupë,siç thoshte ai.Dilemma mes dëshirës dhe rrezikut më mbante pezull dhe nga gjithë kjo histori ku qeshë përfshirë vetëm në disa puthje të shpejta, pa e lejuar tjetrin të kalonte në zona të rrezikshme, nga të cilat nuk ka kthim pas, tentoja të dilja pa u lagur.Por ne nuk i njohim grackat e fatit, që na presin në udhkryqe të trishtë. Dua të them se mes meje dhe tim shoqi gjërat po shkonin mirw, biznesi i tij po lulëzonte dhe ne u bëmë më të afërt për njëri-tjetrin.Por ato ditë të mira nuk zgjatën shumë kohë. Në një udhëtim pune drejt Prishtinës, ku shoqëronte makinat e rënda me mall, ai u aksidentua keq. Pasi qëndroi ne koma, për shkak të gjakderdhjes cerebrale, gjithçka tek ai u përkeqësua në mënyrë të tmerrshme. Prinderit e tim shoqi e shitën biznesin për të paguar trajtimet e tij mjekësore. Fatmirësisht, bashkëshorti im mbijetoi por dëmtimi i njeres këmbë ishte shumë i tmerrshëm ,keshtu qe duhej të pritej.Në atë kohë, të gjithë ne u shkatërruam tërësisht nga ky lajm i tmerrshem.Burri im u bë një person me aftësi të kufizuara dhe unë duhet të kujdesesha njëzetekatër ore për të gjitha nevojat e tij. Familja jonë u bë më e varfër dhe tani jetonim në zgrip të një mbijetese të vështirë, pa të ardhura dhe të tejsforcuar nga pozita e rëndë fizike e tim shoqi..Çuditërisht, në atë kohë të vështirë për ne, u shfaq Elvisi, partneri i tij dhe joshësi im. Na dha një dorë parashë, që na bënë ta merrnim për pak kohë disi veten nga ana ekonomike. Joshja tanimë ishte thuajse e hapur dhe ftesa për seks e pati kaluar cakun e një aventure…Ai më pati bërë plotësisht për vete.Në këto rrethana, mora një vendim dhe iu thashë të gjithëve se unë doja të divorcohesha me burrin tim të paaftë. Kështu që unë e lashë atë dhe dhe ndoqa pas dashnorin e ri, Visin.Atë ditë desha të ndahesha me tim shoq me njerëzillëk, pa mëri, por sytë e tij ishin plot me shkëndija zemërimi dhe pakënaqësie. I thashë vetes: “Sa me fat që nuk kemi fëmijë. Nëse do të kishim, ky divorc do të ishte I vështirë, në mos i pamunur ”…Unë dhe Visi u zhvendosëm në qytet, në nja nga shtëpitë e tij diku thelë në periferi, mes hijeve të një gjelbërimi tw errët. “Këtë vend nuk e di as ime shoqe, as dy fëmijet, më tha. Do të jetë vendi ynë sekret”.Nuk kaluan as disa muaj dhe ajo sjellja e tij e mirë dhe e përkorë, gjithë ledha dhe dashuri, u mpak e u vyshk. Vendin e tyre e zuri vrazhdësia dhe arrogance e tij.Kur unë e pyesja: “Kur do të divorcohesh me gruan tënde që të martohemi bashkë ligjërisht”, ai më përgjigjej, “së shpejti”, por unë e kuptoja se po më mashtronte. Më pati gjetur një punë, në dyqanin e shokut të tij dhe kishte raste që nuk vinte tek unë për javë të tëra.Marrëdhënia ime me Elvisin zgjati tre vjet. Në këto tre vjet, unë nuk mora asnjë njoftim për ish-burrin tim. Në tre vjet marrëdhënie me Elvisin vura re se sjellja e tij ndryshoi ngadalë dhe me kohë u kthye në një njeri cinik, dhe fodull. Ai që zakonisht vinte dhe me vizitonte çdo ditë, pas disa muajve dukej i mërzitur dhe zhdukej për ditë e javë me radhë.Një herë, ai ishte aq i zemëruar saqë më goditi me grusht.-Bushtër!-më ulëriu para hundëve.E vështrova gjatë dhe gjithë ajo dashuri që pata ndjerë për të tashmë qe gremisur pakthyeshmërisht. Ai nuk meritonte as t’i ulërija në fytyrë…Ika drejt një fati të ri, pa e ditur se ku do të shkoja. Me ca lekë që kisha kursyer gjithë këto vite, zuri një banesë me qera dhe prisja që fati të ma zgjaste prap dorën…Një ditë, teksa po ecja në treg, pashë një figurë të njohur. Ishte ajo, fytyra e njohur e ish ish burrit tim. Ish burri im tani mund të ecte! Pashë se ai doli nga një BMW tip i ri. Sapo ai e ktheu fytyrën, sytë tanë u takuan me njëri-tjetrin. Ai ishte aq i befasuar si dhe unë!Qëndruam një copë herë përballë njëri tjetrit.-Si jeni? A jeni më mirë tani?Ish-burri im më tha se kishte një këmbë proteze të instaluar, që ai të mund të lëvizte në mënyrë të pavarur.Isha vërtet e lumtur për të dhe shumë mirënjohëse që ai qe i gatshëm të largohej nga e kaluara, duke me folur.Në atë çast mendova se kushedi, ndoshta mund të kisha një shans që ai të fillonte përsëri me mua.Por ai më tha se do të martohej së shpejti…Toni i tij ishte i ftohë, akull!Unë shpërtheva në lot dhe u largova me fytyrën time të mbuluar me duart e mia.Më kot kërkoja një fat të ri: fati më qe dhënë një herë, por unë nuk kisha ditur ta mbaja. Në çastin më të vështirë të jetës së tij, tim shoqi i kisha dhënë duart dhe qeshë larguar…Jo, nuk duhet ta kisha braktisur bashkëshortin tim për shkak të atij aksidenti. Po të isha ende i martuar me të, sa e mrekullueshme do të ishte tani jeta ime!Mbeta një copë herë ashtu me duart në fytyrë, teksa ndieja gjurmët e lotëve të më lagnin mjekrën. Atë çast, njëra nga vajzat që shërbenin në shitore m’u afrua dhe më zgjati një zarf.-Ma dha për ju ai zotëria që po hipën në makinë. Ktheva kokën dhe vura re profilin e hajthëm të ish burrit tim, që ma bëri me dorë…E hapa zarfin dhe pashë se ishin një tufë me kartmonedha pesëdhjetëmijëlekëshe. Më rrahu zemra fort…Dhimbja më kaploi të tërën. E kuptova se e kisha humbur përgjithmonë zemrën e tij. Kjo që po bënte ishte thjeshtë një gjest human i tij, për dikë që ishte në vështirësi…

About Post Author