JANË PA MBARIM
(Dashuritë)
Dashuria nuk thuhet.
Nuk mund ta thuash aq sa e meriton.
Dashuria nuk përputhet.
Mbetet e mangët.
Nuk plotësohet kurrë.
Dashuria nuk është lule.
Lulja këputet, vyshket.
Dashuria është frymë.
Frymë e pavdekshme.
Dashuria lind.
Lind bashkë me lindjet.
Pastaj shpërthen si shkëndijë.
Shpërndahet zemrave.
Bëhet dhimbje.
Dhimbje e përjetshme.
Dashuria digjet sikur dielli.
Digjet për t’i shtuar flakët.
Për t’u bërë dritë.
Dashuria është e padukshme.
Po të dukej,
të gjithë do të binin në të.
Do të verboheshin syve.
Dashuria e ka gjuhën e vet.
Nuk ka alfabet.
Nuk ka gramatikë.
Ka veprim hyjnor, mrekullues.
Është dëshirë.
Mendim.
Është kusht për të gjallët.
Dashuria është fuqi.
S’ka kush e ndal.
Ajo i kalon kontinentet.
I kalon për shtatë frymëmarrje.
Sa çel e mbyll sytë,
ajo shfaqet.
I jep shije jetës.
E nxit hapin e frymëmmarjes
Dashuria nuk ka moshë.
Nuk plaket.
Nuk e humb bukurinë.
Ajo i merr trajtat e dëshirave.
Sa me mund shtohet.
Madhështohet.
Përhapet.
Dashuria e gjen dashurinë.
Dashuritë njihen.
Nuk kanë vetmi.
Nuk kanë kufi.
Janë pa mbarim,
si në këtë botë,
edhe në amshim.
