Rreth romanit “Bija e Shebenikut në Myzeqe” të autores Sheqere Sina Ozuni
Saga qëndrestare e një heroine të vetmuar
Autorja me origjinë nga Librazhdi Sheqere Sina Ozuni vjen me romanin e saj autentik “Bija e Shebenikut në Myzeqe”, pas sprovave të tjera në zhanrin letrar të poezisë, ku ka përcjellë një porofil të veçantë shkrimor. Në këtë roman me shtrat narrativ origjinal dhe me elementë të plotë të jetës së shkrimtares, parakalojnë e vrullojnë një numër ngjarjesh e personazhesh interesatë, që vërtiten në shtjella rrëfimi mjaft të ngjeshur, herë herë befasues dhe pse jo sugjestiv.
Heroinë e romanit është një vajzë fshatare në kohën e Diktaturës, me vuajtjet, mungesat, dhimbjet, “mëkatin” e luftës së klasave dhe gjithë diagramën e paranojave të një kohe të pa kohë.
Një mjedis i dyzuar, sa politik dhe ideologjik, me dogmat e emancipimit fals, aq dhe patriarkal, me frenimin e vajzës dhe gruas për të qenë vetvetja, për të ndjekur zemrën dhe dashurinë e saj.
Zana e sfidon këtë realitet meskin, këtë fasadë të trishtë, ku lustra shkëlqyese e fjalimeve dhe pankartave politike binte ndesh me vuajtjen dhe dhimbjen e pacak të një vajzë, që kërkon të përmbushte ëndrrën dhe vizionin e saj dashuror.
Ajo arratiset në Myzeqe pranë të dashurit të saj të zemrës, duke sfiduar kushtet dhe rrethanat e kohës, kërkon të gjejë lumturinë, por tek ai që e kishte zgjedhur si bashkëudhëtar të jetës has pabesi e zhgënjim, duke rënë, siç thotë populli, nga shiu në breshër. Njeriu i ëndrrës e tradhëton me një femër tjetër, të cilën e lë shtatzënë dhe nisin kështu për Zanën sprova të një kalvari fizik, e shpirtëror, vetmia dhe braktisja e madhe.
Familja e prindërve e ka braktisur, njerëzit e afërm e përbuzin, bashkëshorti ushtron dhunë psikologjike e në këtë rrethim të egër dhe gati pa rrugëdalje, ajo guxon përsëri, gjersa shëprthen këtë kafaz të shumëfishtë dhe del jashtë në liri, gjen njeriun e mirë, që vërtetë e don dhe e mbështet dhe nis me të një jetë të re.
Duket sikur merr fund vuajtja, stresi dhe dhimbja e saj, por ato nuk kanë të sosur dhe duket sikur enden në një qerthull të mbyllur, në një rreth vicioz.
Janë vitet e para të rënies së Diktaturës dhe në vend të lirisë së shumëpritur, mbi familjen e re nis kalvari i ri, ende më makthioz se i pari, kalvari i mbijetesës. Kushtet e vështira ekonomike, pamundësia e rritjes së fëmijëve, protagonizmi i sëmurë i atyre që krijojnë luks dhe komoditet në kurriz të të tjerëve etj sendërtohen me anë të ngjarjeve dhe personazheve të shumtë, që të mbajnë peshë me endjen për të depërtuar në palcë të narracionit të romanit.
Gjithë këto peripeci e kanë bërë atë më të fortë, më të zymtë, më pak besuese ndaj njerëzve, i kanë dhënë shansin që dijë të ndajë shapin nga sheqeri, dukjen nga thelbi i gjërave.
Autorja i vështron ngjarjet në thellësi, duke tentuar të bëj një eksplorim në botën e ndjenjave të furishme dhe emocionit të furishëm, që konturohen në një reliev të thyer rrëfimtar.
Ky libër është një udhëtim i shkrimtares në kohën e shpirtit dhe na sjell sjell copëra kujtese, dhimbje, malli, marrëdhëniesh njerëzore, pa filtra paragjykimi dhe pa maska, derdhur në një rrëfim të ngjeshur e mjeshtëror, ku sundon përshkrimi i gjallë, personazhe që të mbeten në mendje dhe gjendje analize e psikoanalize, përmes labirintheve dhe “sekreteve” të një narracioni të beftë. Zënë vend në këto tregime aspekte të përditshmërisë sonë, me ballafaqimin e njeriut disi të vetmuar bashkëkohor me vetveten dhe të tjerët, me mungesat, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të gjallë dhe mjaft të latuar në sensin semantik dhe stilistik, me një sintaksë të zhdërvjellët dhe filmike, cilësi këto që duhet thënë se e bëjnë prozën e saj të lexohet me endje dhe kureshtje, duke u pasprirë ky lexim me një kohë tjetër shqyrtimi dhe reflektimi.
Në romanin e saj “Bija e Shebenikut në Myzeqe”, Sheqerja na përcjellë ajzergun e një jete plot trazime, ku dhimbja ndërkallet me shpresën dhe realiteti i dhënë në gjithë thellësinë e tij, të ngjet me një triller plot befasime.
Lufta për jetën dhe dashurinë njerëzore është tema e këtij romani, ku ngjarjet e subjketit, të fragmentizuara hap pas hapi e faqe pas faqeje, të çojnë në kthina të panjohura të kujtesës së autores, e cila njëherësh është dhe protagonistja e romanit.
Realiteti që përshkruan romacjerja nuk është aspak poetik, përkundrazi është ankthioz, lexuesi gjen megjithatë një frymë të përndezur lirizmi dhe poetike, që autorja na i sjell me anë të një rrëfimi të “situr” hollë, ku shpalosen të ndodhurat e saj në kohë dhe të cilat i lidh filli magjik i luftës për të përballuar sfidat dhe vështirësitë e jetës.
Ky është një roman i shkruar me nerv, me një stil të zhdërvjellët, ku përzihet lirizmi me dramën e protagonistes, me një gjuhë të latuar dhe plot mesazhe të thella filozofike, etike, njerëzore dhe estetike.
Heroina e romanit nuk na përcjellë një dramë sentimentale e melankolike të vuajtjes dhe rënkimit, por një sagë qëndrese, që merr kuptim në udhëtimin e saj drejt vetvetes, drejt kujtesës, drejt historisë së saj dhe të brezit të saj, në raport me kohën dhe bashkëkohësin.
