Bashkim Saliasi:Poeti që sfidon moshën


Poeti që sfidon moshën

Nga Bashkim Saliasi

               -Je i lodhur, mos përto! – merr nga bibloteka librin “Koha në vargje” dhe lodhja do të largohet si me magji.

Në këtë vëllim poetik do ndiesh relaks, sepse të duket vetja sikur je ti një nga personazhet e shumë poezive të poetit Kadri Tarelli.

                  Librin ma ka dhuruar, më 14 gusht, 2020. E kam lexuar dhe rilexuar, por sot erdhi momenti të hedh në lerër disa refleksione të mia. Shprehja  popullore thotë: “Po nuk erdhi vetvetiu, s’ka ç’i bënë bojaxhiu”. ”Koha në vargje” ka 110 faqe dhe është shtypur në shtypshkronjën “Mileniumi i ri”.Libri ka redaktor Sejdo Harkën, korrektore letrare Merita Kuçi(Thartori), konsulent: Delo Isufi dhe Sokol Demaku,kurse përpunimi grafik i realizuar nga Ilmi Shahu.

                 Libri hapet me një vlerësim të shkrimtarit Viron Kona,i cili mes të tjerash shkruan: “Shkrimet e Kadriut kanë ardhur vazhdimisht si një rrjedhë e natyrshme dhe pa sforcime, profesionalisht të realizuara. Ai ka formuar emrin ngadalë dhe saktësisht, ashtu si skulptori gdhend mermerin, pa u ngutur dhe gjithnjë me qëllim të lartë në mendje dhe në zemër, që shkrimet të përcellin vlera dhe mesazhe, ku lexuesit të gjejnë tema që i interesojnë, që prekin “telat” dhe të vënë në mendime”.

Duket qartë gjatë gjithë leximit të librit se, Tarelli, si shkrimtar, publicist dhe poet, është në rrugën të mbarë, ai e ka gjetur shtegun për t’i dalë malit tej e tej, duke sjellë vlera për shoqërinë. Gjatë leximit shfaqen njëra pas tjerës poezi që shprehin episode dhe ngjarje, impresione prekëse dhe meditime, që, kur i lexon përveç mesazheve mbresëlënëse, të krijojnë edhe një mendim e qetësi shpirtërore, të nevojshme për kohët e trazuara që jetojmë.

                  Subjektin dhe tharmin e poezive autori i gjenë në lumin e jetës. Pasi i përpunon në imagjinatën e  tij krijuese, ai i lëmon dhe i rrëfen me vargje të bukur, plot mendim e  figuracion. Kadriu nuk shkruan duke parë nga qielli, por ai pasqyron artistikisht atë që sheh dhe përjeton, që ka mbirë në shpirtine  tij nga përvoja jetësore dhe që ka lënë tek ai gjurmë të thella. Ndërkohë që duhet të pohoj se, te ky autor, është tërheqëse edhe mënyra e ndërtimit artistik të vargjeve, ritmi dhe rima që ai përdor. Ato bëjnë që ta shijosh edhe më mirë dhe më saktë mendimin poetik të autorit dhe bukurinë artistike. E ka shprehur saktë dhe realisht mendimin e tij shkrimtari Shpend Topollaj, kur, në parathënien e librit, shkruan: -“Por kur ndodh që boton për herë të parë  poezi, një burrë që i ka kaluar të shtatëdhjetat, si miku ynë Kadri Tarelli, mësues i nderuar dhe tani pensionist mjaftë i respektuar, ndodh që edhe çuditemi. Po ja që nuk ka për t’u çuditur sepse poeti Kadri Tarelli e ndërton vargun me një metaforë rrjedhëse dhe me ngjyrime mbresëlënëse: “I them vetes, mor i ngratë/ Ç’trazon prushin nën hi?/ Nuk del gjeth nga dru  thatë,/ të vjen keq, që s’je i ri?!”  Kadriu jo vetëm që i përmbahet rregullave gjuhësore në ndërtimin e vargut, por ai di të ruajë edhe ngjyrimet e larmishme,gjallërinë e fjalës.

                     Në poezit e tij, ky autor përcjellë ndjenja të bukura, dashuri dhe mirësi, ndaj ato lexohen shpejt, madje të bëjnë që t`i rilexosh siç ndodhi me mua, duke më lënë ca ndjenja dhe mendime të vyera për jetën dhe njerëzit e mirë, punëtorë, që nuk e ndajnë fjalën nga veprat.Teksa mes tyre ai i jep mesazhe edhe të dashuruarëve, që jetën ta  jetojnë me të mirat dhe të këqiat, duke vënë në themel dashurinë e vërtetë: “Gonxhe trëndafili,/ Hiqi ato gjemba!/ Unë jam bandilli,/ Hapu, të hyj brenda”.  Brendia e poezive të z.Tarelli  përmban kohën që kalojmë e që po jetojmë, por herë – herë ai i kthehet edhe mendimit retrospektiv, duke sjellë edhe momente dhe përjetime nga e kaluara, nga jeta e tij si mësues, por edhe si krijues, tashmë i spikatur. Në shpirtin poetik të Kadri Tarellit ndiejmë freskinë e pyllit, shijojmë ujinë e ftohtë kristal të burimeve, mrekullohemi nga plazhet e bregdeteve të Jonit dhe Adriatikut, por ndjejmë edhe joshjen e këngës së bilbilit, aromën e këndshme të trëndelinës dhe çajit të malit Moravë. Sikurse, i këndon jetës, poeti, zhvillon artistikisht edhe kritikën për njerëzit e paformuar, që po tjetërsojnë gjuhën shqipe, duke futur “çiban”, si në medjen e shkruar apo literaturën e botuar.  Ai bën apel që mos harrojmë mundin dhe sakrificat e rilindësve tanë, që punuan dhe luftuan në kushte të vështira për ruajtur të pastër  gjuhën shqipe: “Poeti, vargun ka pasuri,/ I urti, fjalën me porosi;/ Atdheu, kombi, ka liri,/Kur gjuhën e gjejmë, unë e ti”.

            Poezitë e këtij vëllimi pasqyrojnë një botë të gjallë ndjenjash dhe emocionesh, ato shprehin jetën e përditshme. Ajo që dallon brendinë e poezive është edhe dashuria për jetën, por edhe sarkazma që ai përdor për personazhe që abuzojnë me besimin që iu jep populli. Ndërkaq ai zgjedh fjalën e duhur poetike, e lëmon dhe  e përpunon me dashuri, duke e pasuruar me ngjyrime jete dhe ndjenjash, duke theksuar mesazhet dhe vlerat e tyre.

           “Koha në vargje”, shfaq poezi origjinale, me fjalë të menduara mirë dhe të gdhendura, me figura stilistike të gjetura dhe tërheqëse. Në poezinë e titulluar: “-Po na ikin shokët”, shfaqet dashuria për njeriun dhe jetën, por ama poeti pranon evolucionin. Mesazhi që ai përcjell është se, jeta duhet jetuar me të mirat dhe të këqijat e saj: “Nuk çuditem që s’mbajmë radhë./S’kemi ç’bëjmë, keq na vjen./Jeta qenka shkallë-shkallë,/S’di kë le, kë e rrëmben!”

           Me këtë libër poetik poeti Tarelli na tregon se e ka rritur pjekurinë poetike.Me shpërthimet e tij, herë spontabe dhe herë të menduara thellë, ai i jep vlera poezisë. Sarkazma që ai përdor në poezinë: “Nusja, vjerra dhe mullizhiu”, tregon se ai është kurdoherë pranë halleve të popullit dhe jeton midis tyre: “-Ç’ke kështu moj nuse, nuk të shikoj mirë,/ në gushë e në faqe, kush të paska nxirë?./ Herë tjetër nuse, më lërë, po shkoj unë./ si ti do vuaj, ta ndreq këtë punë…” Nëpërmjet këtyre vargjeve, poeti jep mesazhin e harmonisë dhe zgjidhjen e konflikteve që janë bërë bartëse për shoqërin tonë në këto tridhjet vite. Me sytë tanë po shikojmë e dëgjojmë në emisionin “Me Zemër të hapur”, ku djali vret babanë, nusja nuk shkon me vjerrën, shokët ndërmjet tyre, kërcasin kallashët dhe përfundojnë në humbje jete, etj.

              Bukur tingëllon poezia: “Veç një orë bëhu poete”, ku z. Tarelli me një ndjenjë solidariteti godet pseudoshkrimtarët, që thurrin vargje – bejte dhe i marrin të mirëqena si poezi: “Var stoli ca lojëra çupe,/ me kursim sa për lezet./ Bëhesh verë, derdhur kupe,/Që të pi veç një poet”. Teksa me satirë të spikatur ai godet me vargje veset e atyre që fitojnë një karrige dhe harrojnë se ajo karrige është e popullit për t’i shërbyer dhe jo për ta zhvatur: “Thjeshtësia, te thjeshtësia,/ Bën fole dhe dashuria,/nuk ka strehë ligësia”.

              Në poezitë e Tarellit dallohet çiltërsia e fjalës, ndjenja humane e dashurisë për njerëzit. Ai bënë zgjedhjen e fjalës së duhur, njësoj si bujku që seleksionon farën e mirë për të marrë bimë të shëndetshme. Poezitë janë njëra më e bukur se tjetra, teksa nuk mungon humori fshikullues, brendia e larmishme, ku spikatin ndjenjat e atdhedashurisë dhe të lirisë, si vlera të larta njerëzore.