Dy vizita të patriarkut të letrave shqipe në Muhurr dhe Lizni të Dibrës
Kush ishte dibrani që të magjepste në oda, podiume e festivale
Një rrugë në Bashkinë Kamëz mban emrin e tij
Djali i tij, Petrit Doda është sot njëri nga deputetët më aktivë të opozitës dhe i sapo zgjedhur kryetar i degës së PD Kamëz premton rizgjimin e demokratëve dhe fitoren e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në këtë bastion të Partisë Demokratike
Patriarku i letrave shqipe, Dritëro Agolli, nxitjen për të shkruar romanin ” Njeriu me top” (Tiranë 1975) e ka marrë nga një bisedë me miq të shquar dibranë, në ish – Parkun “Dine Doda”, Muhurr.
Në një nga vizitat e tij të verës së nxehtë të vitit 1974, i madhi Dritëro, atëherë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, erdhi në Dibër, i ftuar nga miku i tij Hazis Ndreu. Për t’ia bërë pritjen sa më të ngrohtë e miqësore ikonës së letërsisë sonë, Hazisi kishte ftuar në pritjen në Hotel “Korabi” (Turizmin e Peshkopisë) edhe burrin e urtë Dine Doda nga Muhurri. Ishte një darkë vërtet e paharruar (siç ma ka rrëfyer, ndjesë pastë daja Hazis) dhe Dritëroi ishte mahnitur me alegorinë therëse dibrane që përdorte gjatë muhabetit, i mençuri dhe i urti Dine Doda.
Dhe nisi ta thumbojë Hazisi Dinen: “Muhurri ka dy Dine me emër, or Ditëro: Dine Hoxhën që ka xhaminë në Rrugën e Kavajës në Tiranë dhe këtë Dine Dodën që kemi në këtë sofër. E, ky i dyti, në gjurmët e të parit, nuk ka ndërtuar xhami se nuk ia mban, por ama emër ka lënë. Ka ndërtuar një park të bukur në një luginë që të mahnit me bukurinë e hijeshinë e saj, vetëm një kilometër sipër, aty ku bashkohen Murra me Drinin. Dhe jo më kot, ata që e frekuentojnë bar-lulishten e këtij vendi, ia kanë ngjit “Parku Dine Doda”.
Aty për aty, Dritëroi ishte shprehur: “E po, u tha u bë….Nesër drekojmë tek ky parku “Dine Doda”. Unë kam qenë atëherë vetëm 14 vjeç, në klasë të shtatë, por e mbaj mend harenë e asaj dreke të paharruar. Meqë kisha interpretuar në skeçe në shfaqjet e shtëpisë së kulturës me Dinen, më mori që të recitoja në ndonjë moment pauze vargje nga poema e famshme “Nënë Shqipëri” të Dritëroit.
Në një tavolinë, veçmas të tjerave, pranë një shelgu ku dëgjohej gurgullima e ujit kaltërosh të Murrës, qenë ulur Dritëro Agolli si mysafir e bashkë me të burrat e mexhelisit dibran Hazis Ndreu, Xhemal Berisha e Dine Doda.
Ndërsa ia kishin shtruar për shtatë palë qejfe me raki “penestia”, mish të pjekur qengji e sallatë me zarzavate bio të Muhurrit, Dinja tregon historinë e plakut Mera të Luznisë, i cili në kohën e luftës paska strehuar një italian të zënë rob pas kapitullimit të Italisë, si dhe për topin që kishte fshehur në stanin e bagëtive. Kaq iu desh Dritëroit që të fiksonte fabulën e romanit të tij “Njeriu me top”, që pas disa vitesh do të bëhej edhe subjekt i një prej filmave më të arrirë e më të shikuar të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që i ka rezistuar kohës, pikërisht për ngjarjet interesante që trajton e përcjell. E kishte shoqëruar Dinja të nesërmen shkrimtarin e madh edhe në Luzni, nga ku do të mblidhnin fakte për romanin e saposkicuar.
Pas vizitës së Dritëro Agollit, parkut “Dine Doda” iu shtuan dukshëm vizitorët. Për tetë muajt e vitit, nga fillim prilli e gjer në fund të tetorit, vinin këtu për të drekuar e për të shijuar natyrën magjepsëse të Muhurrit dhe për të marrë rreze në plazhin e Drinit, qytetarë të shumtë nga Peshkopia.
Vizionar, largpamës e bashkëkohor siç ishte Dine Doda, përveç shërbimit me korrektesë ndaj popullit nga njësitë tregtare të zonës që drejtonte si përgjegjës i Degës së Tregtisë Muhurr (që mbulonte edhe zonat e Luznisë e Katër Grykët), me intuitë e fantazi të rrallë, kishte projektuar edhe ndërtimin e një bar lulishteje, pikërisht përtej urës pasarelë, përballë zyrës së tij, në luginën me plepat e mbjellë nga nxënësit e shkollës para shumë viteve, por që ishin rritur e bërë gjigandë dhe krijonin një luginë me freski e gjelbërim mahnitës. Vinin këtu edhe funksionarë të lartë të rrethit e të dërguar nga Tirana dhe largoheshin me mbresa të pashlyera. Gumëzhinte parku nga zërat gazmorë të nxënësve, tek kalonin urën pasarelë për të blerë nga një akullore apo aranxhatë të freskët, që Evzi Lala ua servirte me delikatesë.
Erdhi sërish këtu, pas 15 vitesh i madhi Dritëro, një ditë gushti të vitit 1989, dhe u takua sërish me Dine Dodën, Hazis Ndreun e Xhemal Berishën, por edhe me funksionarët e Muhurrit të asaj kohe, si Sami Balla e Besnik Këbej.
Një drekë gazmore, me gatimet tradicionale të kuzhinierëve me përvojë Xhavit Balla e Haxhi Xhani, por dhe shërbimi tejet i kulturuar i banakierëve Evzi Lala e Halit Xhani dhe i kamariereve si flutura, Drita Kurti e Natasha Berisha, do ta linin pa mend Dritëroin. Në tavolinën ku shkëlqenin shishet me raki “Penestia”e “Shliva”, patriarku i letrave shqipe do të shfaqte admirimin e tij, jo vetëm për peisazhin e gjelbëruar anash Murrës kaltëroshe, por edhe për bagazhin jetësor e zgjurasinë natyrale, si dhe për mprehtësinë e gjykimit të Dine Dodës për çështje të ditës. Ishte koha kur nomenklatura e sistemit monist, në rrënim e sipër po zbatonte të famshim projekt të tufëzave e arzave dhe kur Dritëroi pyeti të pranishmit se a ishin të kënaqur fshatarët me këtë projekt, aty për aty Dine Doda iu përgjigj me alegorinë therëse dibrane: “Po o Dritëro, me pulat mbyllur në kotec e të gjitha lopët në një stallë, na kanë shpëtuar gratë që po bëjnë sehir!”. Ndërsa këtyre zyrtarëve tanë u shkon për shtat “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Dhe Dritëroi që e kuptoi gjendjen se ku ishte katandisur fshatari i mjerë, nuk nguroi t’ía bëjë atë prezent kupolës partiake e shtetërore të asaj kohe.
Qe një nga ato momente, kur Dine Doda shfaqi jo vetëm zgjuarsinë e talentin e tij në rrëfimin e ngjarjeve e situatave, por edhe formimin e tij kulturor nëpërmjet leximit të librave të shumtë (nuk kishte lënë asnjë libër të Dritëro Agollit pa lexuar), emri i tij u bë legjendë dhe i referohen edhe sot e kësaj dite. U bënë afer dy dekada që ka ikur për në botën e përtejme, por në bisedat mes miqsh, shpesh thuhet “Siç ka thënë Dine Doda…”!
Po kush ishte në të vërtetë Dine Asllan Doda?
Njeriu legjendë i Muhurrit e gjithë Dibrës kishte lindur në Vajmdhej më 1933 dhe ishte rritur jetim. Kur ishte vetëm 11 vjeç do të shërbente si korrier i komandës partizane të vendit, pa përfillur rreziqet e vështirësitë e luftës së ashpër kundër pushtuesit nazifashist. Nga kontakti me organizatorët e asaj lufte, do të mësonte e do të burrërohej para kohe. Veçanërisht tregonte interes të jashtëzakonshëm për bisedat që bëheshin në odat e burrave, nga ku mësonte për ngjarje e bëma të trimave muhurrakë në luftërat me krajlët e Serbisë, të cilat më vonë i përjetësoi në këngët e tij, si rapsod popullor.
Menjëherë pas çlirimit, merr pjesë në aksionin e rinisë për ndërtimin e të parës hekurudhë në Shqipëri, Durrës-Peqin (1947), ku u miqësua me vullnetarë nga e gjithë Shqipëria. Ndërkohë, i etur për arsimin e dije, si edhe dhjetra të rinj të tjerë, krahas punës vullnetare, kryen kursin kundër analfabetizmit për të mësuar shkrim e këndim. Tashmë më i rritur e i pjekur, por edhe nga kontakti me intelektualë të kohës, e kishte kuptuar se pa u arsimuar nuk mund të çante në jetë. Ndaj dhe kur nevojat për kuadro në vitet e para pas çlirimit ishin të mëdha, zgjodhi për të ndjekur studimet në shkollën dy vjeçare tregtare ekonomike në Durrës, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. I përgatitur për të shërbyer në një nga sektorët më jetikë të asaj kohe, siç ishte sektori i tregtisë, e nis punën në bazën e këtij sektori si shitës fshati. Përballoi me dinjitet vështirësitë e kohës kur popullit i mungonin artikujt më të domosdoshëm ushqimorë e industrial dhe kur përveç tregtimit kryente njëherësh edhe detyrën e grumbulluesit të prodhimeve bujqësore e blegtorale, si misër, grurë, fasule, vezë, mish etj, nga fshatarët. Ndonëse punoi për një kohë të shkurtër si shitës-grumbulles, kjo kohë i shërbeu si përvojë në funksionet e mëvonshme organizuese e drejtuese për zgjerimin e rrjetit të tregtisë në zonën e Dibrës. Me përgjegjësi maksimale, kompetecë e përkushtim qytetar, Dine Doda ia ka dalë të drejtojë e t’i ngjitë në pararojë degët e tregtisë Fushë-Alie, Maqellarë, Muhurr e Peshkopi (dega fshat). Falë aftësive organizative e komunikuese të tij, këto degë qenë shembull për realizimin e treguesve ekonomikë e financiarë. Ndaj dhe në vlerësim të punës së tij organizuese e drejtuese është dekoruar me Urdhrin “Për shërbim të mirë ndaj popullit”, me Dekret Nr.7044, datë26.6.1986.
Talenti, zgjuarsia dhe fisnikëria e Dine Dodës
Talentin, zgjuarsinë dhe fisnikërinë e tij, Dine Doda i ka shfaqur edhe në jetën shoqërore. Në raste dasmash e gëzimesh të tjera familjare, por edhe në raste fatkeqësish të fisit e të miqve të shumtë, jo vetëm në Muhurr por në gjithë Dibrën, ku ai do të merrte rolin e drejtuesit e të organizuesit, sipas zakoneve të vendit. Gjithnjë në koherencë me realitetin e atyre ngjarjeve do të evidentohej si njeriu që i zinte vend fjala dhe i kishte dukë puna.
Dhe jo vetëm kaq. Dine Doda, ishte mjeshtër i interpretimit të rapsodive popullore e i kërcimit të valleve tradicionale në festivalet zonale, po i tillë do të shfaqej edhe në dasma e fejesa, duke ua shtuar atyre bukurinë e gjallërinë.
Siç shkruan Sami Doda në librin e tij: “Në kërkim të jetës” (faqe 90-91), “Dine Doda ishte i pranishëm dhe i ftuar kudo në raste gëzimesh në fshat e në zonë, sepse i kishte lezet muhabeti, kënga dhe vallja. Ai dinte të përdorte me vend e me kulturë alegorinë dibrane. Pasi i kënaqte të pranishmit me shaka e muhabet, kapte çiftelinë dhe këndonte si një rapsod i vërtetë këngë tradicionale të folklorit të zonës. Pastaj linte çiftelinë e hynte në valle duke ia shtuar bukurinë gëzimit familjar…”.
Këto veti të karakterit të tij, i trashëguan dhe i demonstrojnë mjeshtërisht edhe djemtë, jo vetëm i madhi Fadili (që fatkeqësisht u nda para kohe nga jeta) si mjeshtër i fjalës e punës e si rapsod, por edhe Petriti që falë votës së drejtpërdejtë para tre vitesh fitoi mandatin e deputetit dhe sot është ndër më aktivët e legjislativit shqiptar; Iljazi me djemtë me studion e tij audiovizive e si telekronist këtu në Tiranë, si dhe djemtë tjerë, ushtarakët e talentuar Hamdiu e Shpëtimi, Atliu si dhe më i vogli Myslimi.
DINE DODË, S’TË HARRON DIBRA!
Djemtë e Dine Dodës, krenarë për babain e tyre që e deshi dhe e respektonte gjithë Dibra, për fjalën e urtë e të mençur në kuvende, oda, dasma e mexhelise dhe për zërin e tij brilant kur këndonte në festivale e dasma, do ta përjetësonin atë edhe nëpërmjet një kënge. I dyti nga djemtë e tij, Petrit Doda është sot njëri nga deputetët më aktivë të opozitës dhe i sapo zgjedhur kryetar i degës së PD Kamëz premton rizgjimin e demokratëve dhe fitoren e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në këtë bastion të Partisë Demokratike. Ndërsa, Iljazi, që me djemtë e tij: Izmirin, Ilirjanin e Iglin ka krijuar edhe një studio të mirëfilltë diskografike, mjeshtër të kameras e montazhit por edhe me talent të rrallë në këtë fushë e me shpirt krijues, e kërkonin këngën sa më të arrirë artistikisht. Kontaktuan disa autorë të njohur dhe pas konsultimesh nisëm bashkëpunimin me Dr.Hajri Mandrin, i cili hulumtoi shumë për jetën dhe veprën e Dines, por frymëzimin (siç pohon ai vetë) e gjeti tek profili i tij, pjesë e librit tim ” Muhurri, histori dhe personalitete” me titullin “Dritëro Agolli në Parkun Dine Doda” .
E kështu, poeti i këngës H.Mandri shkroi këngën kushtuar Dine Asllan Dodës, vargjet e së cilës përcjellin jehonën e valëve të Drinit të Zi që ishin frymëzim për zëbilbilin Dine Doda, kur ia thoshte bukur këngës në kullat me shumë poda.
Në vargjet e kësaj kënge ndjehet gurgullima e burimeve, një simfoni tingujsh të përcjella nëpërmjet zërit brilant të artistit popullor Dine Doda, i cili sa qe gjallë pati mahnitur spektatorët në festivalet folklorike dhe dasmorët në qindra e qindra dasma.
Zëbilbili Dine Doda
1.
Bashk’ me val’t e Drinit t’Zi
Vjen një këngë me çifteli;
Jehon kulla me shumë poda
Zëbilbili Dine Doda…
Krushk i parë ndër dasmorë
Dine Doda mal me bore;
Kur kërcente dhe këndonte
Valle burrash zbukuronte…
2.
Ku bashkohet Drini e Murra
Kuvendon Dinja me burra,
Vetë lezeti i kësaj ane,
Fjalë alegori dibrane;
Fjalës moçme, fjalës vjetër,
Dinja i jepte kuptim tjetër;
Ku shkëlqen oratoria
Dinja ishte vetë mirësia..
REFRENI:
Dine Doda n’ligjërime
Për vatan e për këto troje;
Nepër dasma e gëzime
Fjala e tij qe mjaltë e hoje;
Dine Doda, Dine Doda
Gryka e Drinit ç’po jehon!
Je n’at’ botë, na vjen ndër oda
Me ne flet, me ne këndon!
3.
Bukuritë që i fal natyra
Dine Doda i bën më t’mira;
N’at luginë me park-gjelbrime,
Vijnë murrakë n’dasma e gëzime;
Tregimtar-gojëtar i rrallë
Për vatan fliste me mall;
Kur shërbente në tregëti
Sjellja e tij qe fisnikëri…
4.
N’ krye t’vendit me qeleshe
Në konak dielli me rreze;
Historia shkruan n’libra
Dine Dodë s’të harron Dibra;
Ka mbetë shprehja nëpër oda:
“Ka thënë dikur Dine Doda”..”.
Jeta e tij plot mençuri
Trashëgohet n’djemtë e tij…