E VËRTETA PËR NOLIN

POSTIMI LV
Vijon nga POSTIMI LIV
‘Konduktori njoftoi se ndodheshin në një stacion afër
Konstandinopojës…..Fan Noli nuk ishte i sigurtë nëse shihte një
ëndërr….Ai ishte i sigurtë që nuk ndodhej më në Ibrik Tepe….ai
ishte i sigurtë që nuk ndodhej më as në Adrianopojë. E dinte
se ngatërresat që pati me Këshillin shkollor ishin zgjidhur dhe
ai nuk kuptonte se përse ata dy djaj….ndodheshin vërtetë aty
dhe po përpiqeshin ta hidhnin në furrë….Të themi të drejtën,
koka i digjte aq shumë sikur flakët ta kishin përfshirë me të
vërtetë. Megjithatë djajtë nuk po arrinin ta hidhnin atë në
furrë. Dy ëngjëj të dashur e mbanin atë nga këmbët dhe
tërhiqnin në drejtim të kundërt. Njëri nga ata dukej si gjyshja
dhe tjetri si e ëma. Po prapë se prapë, ata nuk mund të ishin as
nëna e as gjyshja. Ata kishin krahë të vërtetë engjëllorë dhe
fytyra të bukura rrezatuese. Të dy u bërtisnin djajve ta lëshonin
djalin. Por djajtë nuk dëgjonin. Përkundrazi ata e tërhiqnin
përherë e më afër zjarrit të hapur. Fan Noli vendosi se i erdhi
fundi. Pa pandehur u duk një engjëll tjetër me tipare të njëjta
si ato të vëllait të madh, Dhimitrit. Po, ai ishte me siguri
Dhimitri. Ai mbante në dorë pikërisht atë kovë me të cilën
kishte fituar te pusi. Dhimitri e derdhi kovën me ujë mbi ballin
e të vëllait që digjej. Fan Noli u drodh dhe u freskua nga uji i
ftohtë. Në atë çast Fan Noli hapi sytë dhe u çudit që nuk pa as
djaj, as engjëj dhe as furrë. Ishte vetëm një kabinë treni me tre
bashkudhëtarë të tjerë.’
Pa kufi sa dhe i pamatë, në tregimin e Nolit, këmbimi mes ngjarjeve e personazheve reale me ata të konfiguruar minimalisht si simbole të së mirës e të së keqes, jetës e vdekjes, flet për transfigurim. E ndodhura me njerëz ose ngjarje e autorit të ardhshëm, e treguar si e shkuar nga autori në pension, është kryqëzim sistematikisht deri gati automatikisht me shfaqje aktive biblike, madje dhe me shumë hyrje – dalje brenda të njëjtit episod. Ekzistenca permanente e përshkrimeve të personazheve a ngjarjeve të mbinatyrshme në paralele kohore e vendore thuajse të zakonshme, që rrjedh nga një shkak fare real i pranuar prej Nolit – sëmundjet e shpeshta dhe situatat zgrip për jetesën e varur vetëm prej tij – dëshmohen të sofistikuara si procedime dhe arsyetime deri në fund të jetës së Nolit. Koller që e njeh këtë skemë në kufijtë gati të absolutes kur pohon se,
‘tregimet spontane autobiografike analoge me autobiografinë
e shkruar, nuk janë thjeshtë paraqitje të raporteve reale, por
konstruksione domethënëse dhe kuptimplota të një historie
jetësore’,
jep një kyç të rëndësishëm në zbërthimin e formulës së rrëfimit tek Noli.
Nëse pranojmë që realiteti ruhet në formë/im dhe ky proces është një trans/formim organik në sajë të përmasës personale të përjetimit të tij, koeficienti i transformimit është po aq organik duke kuptuar jo vetëm pasqyrën reale, por sidomos bashkëjetesën e reales me kushtet e ruajtjes në imagjinatë.
Në kushtet e nje trans- i të shumëfishtë si – parë, -cedent, -form, -figurë nuk verifikohet thjeshtë gjendja bartëse e tij, por ajo substanciale e modelit referues. Në momentin kur fytyrimi retorik bëhet
FYTYRIMI i PËRFYTYRIMIT
nxjerrja nga vetja e përfytyrimeve do të ishte…..