A bën zemra dhurata?Nga Zija Çela


Ka nisur të bjerë muzgu. Diku në mes të rrugës “Myslim Shyri”, në trotuarin nga e djathta, është ulur një i moshuar, ka shtrirë prapa patericat, ndërsa para vetes dy-tri monedha të vogla. Në anën tjetër, po në trotuar, një vajzë shpërndan muzikë me violinë, kthefi i së cilës qëndron i hapur ndanë saj.

Shkojnë e vijnë pa pushim kalimtarë. Pak kthejnë kokën, edhe më pak (me kokrra!) japin diçka, shumica shpejton hapin si e bezdisur, madje disa thuajse të nervozuar.

Ç’u thotë truri në këto çaste? Shpesh i zotëron menjëherë një paragjykim.

Pa shiheni këtë mashtruesin e poshtër, hiqet sikur është sakat dhe ka vështirësi jetese, por sa të mbledhë ca lekë, do të shkojë drejt e në mejhanë për raki e bërxolla!

Pa shiheni tani këtë tjetrën, këtë laviren spitullaqe, shiheni si spërdridhet gjasme prej ndjeshmërisë së telave, por në fakt i bie violinës si qemanes nëpër dasma, pasi po të kishte patur vërtet talent nuk dilte në rrugë të madhe, por shkonte në orkestrën e madhe të Operas ose Televizionit.

Po zemra vetëm hesht, vetëm ngurroset, apo hyn në veprim dhe përpiqet të ndikojë? Shkurt, a ka mundësi zemra që të bëjë dhurata?

Shumë e shumë përgjigje mund të jepen. Por është mirë që njëra nga dhuratat e saj kurrë të mos mungojë. Ndoshta sepse është më e çmueshmja. E cila pra?

Dhembshuria, dhembshuria duhet të jetë dhurata e parë që i bën zemra jonë trurit racional.

Dhembshuria, dhembshuria duhet të jetë dhurata e parë që i bën zemra jonë trurit racional.