A ta kam thënë,çfarë ishe ti për mua !Eva Gjoni


Eva Gjoni

Ishte maj i 2009-tës, im vëlla kishte disa kohë që ankohej nga dhimbja e mesit.

-Shkojmë i them një ditë të bëjmë ndonjë grafi, mbase disqet e shtyllës kurrizore mund të kenë spostim, apo ajo shtresa që është si kërc midis tyre është holluar, apo ngrënë dhe ngacmon nervat, ndoshta ndonjë hernie diskale!

Shkuam për të bërë grafinë, isha unë, im vëlla dhe shoferi im, një djalë i mrekullueshëm dhe mik i familjes, megjithë afrimitetin dhe vitet e njohjes, nuk më thirri kurrë në emër.

Mjekun radiolog e njihja, e mora në celular dhe i thashë po vij për një grafi.

-Ok Eva., hajde të pres.

Shkojmë, takoj Ilirin i them, që grafia më duhet për tim vëlla.

Ladi hyn bën grafinë dhe del, mezi lëvizte, sepse iu desh të shtrihej dhe ky pozicion i jepte dhimbje.

Iliri më fton në zyrën e tij.

-Eva shikoj një degjenerim kockor të çuditshëm, nuk më duket gjë e mirë, por përpara se të flas duhet t’i bëjmë një skaner.

-Ok i them dhe ndjej që më iku gjaku.

Ilirin e njihja ndaj e kuptova që po tregohej i rezervuar, kaq më mjaftonte të mendoja që diçka nuk ishte mirë.

Dal nga zyra dhe i them Ladit:

-Dëgjo filmat e grafisë nuk mund të tregojnë me imtësi nervat dhe dëmtimet, për të patur një pamje të qartë të hernies fiskale, duhet një skaner.

Më duhej të tregohesha e qetë, ai më vështronte me shumë kujdes si veproja dhe flisja, donte të shikonte të vërtetën nëpërmjet meje.

Futet në dhomën e skanerit, unë qëndroja në kabinën ku ishte radiologu dhe ndiqja me vëmendje ekranin e kompjuterit. Ai i shtrirë në mjedisin tjetër, ku ishte aparatura. Dhomat ndaheshin me një ekran të madh xhami.

Iliri më tregonte në detaj gjithçka.

-Ka kancer në kockë, më tha, shiko si e ka ngrënë diskun, shiko këtu janë tre disqe të dëmtuara, nuk e di shkakun nga e ka zanafillën, duhet ndërhyrje urgjente.

Isha pa jetë po dridhesha, dola, im vëlla ishte akoma në dhomë i shtrirë, do ngrihej do vishej e të bëhej gati.

Në këto minuta unë duhej të mblidhja veten, isha bërë e bardhë.

-Çfarë ke shefe, me thotë shoferi

-Ladi nuk është mirë, pëshpërita si me vete, po dridhesha, ai më kap fort në dy krahët dhe më thotë; mblidhe veten, do gjendet një zgjidhje!

Veten duhet ta mblidhja se Ladi do dilte, nuk duhet të më shikonte ashtu, por zgjidhjen jo nuk e dija!

U sforcova sa nuk e di, shtrëngoja dhëmbët se kisha ftohtë, aq sa nuk e kontrolloja dot. Doli.

-Hë më thuaj çfarë kam!

-Hernie diskale, atë që mendonim, por duhet operuar dhe është delikate se ka të bëj me nervat, mendoj të shkojmë jashtë.

-Uuu…po përse edhe këtu e bëjnë!

-Jo, jo do shkojmë jashtë, unë po interesohem për spitalin, ju shkoni në shtëpi.

Gjendja ishte shumë kritike.

Realizova çdo gjë në kohë rekord, takimin me mjekun, hotelin, biletat, të gjitha gati për të nesërmen.

Shkoj në shtëpi i them që do nisemi nesër për Turqi.

 Më shikon me vëmendje.

– Përse me kaq ngut, çfarë dreqin është ma thuaj!

-Asgjë i them, përse ti mendon se po të ishte gjë unë do isha kaq e qetë, ti e di sa të dua unë!

-Po e di, sa më do, di dhe që je motra më e mirë në botë.

-Për t’u bërë është përse të presim, nuk të shikoj dot ashtu kur mezi lëviz, le nam, vetëm ankohesh … dhe qeshëm të dy!

Vizita me mjekun, strategjia e tyre, pacienti duhet ta dijë gjendjen e tij, të dijë për çfarë të luftoj, të jetë i vetëdijshëm për mjekimin, të dijë diagnozën e saktë.

Ladi qëndroi i heshtur gjatë gjithë kohës, dolëm u ulëm bashkë në një kafe.

Ai vetëm përtypej vazhdimisht, nuk donte të qante.

I them: Ladi dëgjo, do bëjmë operacionin e parë shtyllën kurrizore, do bëjmë trajtimin me rreze dhe pastaj do vazhdojmë kimioterapi për stomakun e në fund operacionin e tij. Kjo është strategjia që do ndjekim.

Kjo është beteja ime, i them, të lutem më ndihmo ta fitoj, bëje për mua, mos u dorëzo!

Po filloja të dridhesha, nuk e kontrolloja këtë lloj dridhje. Lotët më rrodhën pa pushim, ai më përqafoj fort, nuk e donte trishtimin tim, nuk më shikonte dot në atë gjendje dhe më tha:

-Unë do të ndihmoj në betejën tënde.

Më vonë kuptova çfarë donte vërtetë të thoshte,  ai e bënte vetëm për mua, e ndjente se betejën e tij ndoshta e kishte të humbur.

U ndjeva mirë, që do bashkëpunonte me mua, mjekët, trajtimet për të bërë më të mirën.

Unë luftoja për çdo minutë jete, t’ia ktheja.

Mbas operacionit, trajtimit me rreze, u kthyem në Tiranë dhe filluam kimioterapinë, vendosën të bëjmë një trajtim jo spitalor, ai me temperamentin që kishte, nuk mund të qëndronte gjatë në spital.

Ishte një aparat me mjekim, që injektohej në damar për pesë ditë pa ndërprerje.

Ladi duhej të bënte lëvizje të kontrolluara dhe të kujdesshme, por ai ishte gjithë jetë, e donte jetën, kishte një shpirt të madh, donte ta jetonte çdo minutë.

Një nga këto ditë më thotë:Do  dal nuk rri në shtëpi, por mbas operacionit të shtyllës këmbët i lëvizte me vështirësi, duhej kohë të rehabilitohej, me operacionin e shtyllës mund të jetonte pa problem, por edhe një ditë të vonoheshim për të bërë operacionin do ishte paralizuar, këtë betejë e fituam.

Pra donte të dilte me makinë!

-Jo Ladi, të lutem, i them! Ti e di nuk mund t’i japësh makinës kështu, mos ia fut kot tani o njeri!

-Të lutem më jep një ditë nga jeta jote, mos dil, qëndro me mua, i përgjërohem!

Më shikon në sy dhe më thotë:

-Jo do dal, nuk qëndroj më asnjë minutë, e dua ditën për vete, do dal për qejfin tim.

-Po dalim bashkë, i them!

-Jo, do dal vetëm, kam nevojë të jem vetëm.

Del gjithë nerv, ikën.

Nuk kalon as njëzetë minuta më merr në celular.

-Alo, çfarë po bën?

-Po të pres ty i them të vish, të bleva misra të pjekur, që të pëlqejnë aq shumë.

-Mirë, unë jam mirë, por kam përplasur makinën.

-Çfarë… ëëë… i them, ku je!

-Ooo… Zot!

-Jo jam mirë, tek rruga e Elbasanit jam.

Zbres urgjent siç isha me pandofla, i jap makinës si e çmendur. E shikoj nga larg është mirë i mbështetur tek makina.

Ndaloj, zbres dhe e shoh duke buzëqeshur, nuk doja ta mërzisja, ai qëndronte si ai fëmija në faj.

-E i thashë si je?

-Mirë më thotë, po ti si erdhe kaq shpejt, je çmendur, kishte trafik!

-Jo nuk kishte as trafik, as semafor, i kishin hequr të gjitha, ku pashë gjë unë çfarë kishte!

-Unë vetëm ecja.

Shikoj makinën ishte bërë si mos më keq.

-Dava hekurash i thash, hajde ikim në shtëpi tani.

U nisëm dhe i them: hë ku e ke atë nervin tënd, do dal për veten time, nuk ta jap ditën ty e dua për vete, hë fol!

Qeshim dhe më thotë.

-Mos u mërzit, ty ta dhashë, ja po merresh edhe sot me mua.

Ditët kalonin, unë mundohesha të tregoja qetësi si ndaj tij, fëmijëve të mi që e donin shumë, por edhe ndaj mamit. Asaj i kishte dhënë zoti një mpirje truri që besonte të gjitha gënjeshtrat e mia. Gjithë dita ime nuk ishte imja, nata ishte imja, aty lëshohesha dhe qaja pa fund, luftoja të fitoja jo jetën, vitet, por bëhej fjalë të fitoja muaj, aq e pakët ishte mundësia.

Në ditët që nuk kishte terapi ishte shumë i çliruar dhe unë mundohesha ta bëja të besoja, ja edhe kjo iku edhe pak na ka ngelur dhe operacioni i stomakut i mbyll të gjitha.

Në këto ditë donte të shkonte tek shtëpia në Durrës, donte të qëndronte vetëm, merrte kitarën me vete, pajisjet e peshkimit dhe ikte, kam nevojë të mendoj, më thoshte, kam shumë për të menduar, ti m’i trazon mendimet më duhet të jem vetëm. Unë vërtetë nuk doja ta fusja në atë gjendje përhumbje, reflektimi të jetës, kujtime, i thoja ke kohë të mendosh gjithë jetën. Por ai donte të ishte vetëm, donte të mos ishte i fortë ndaj meje, donte të lëshohej e mos ta shikonte njeri. I binte bukur kitarës, ajo është kujtimi më i bukur, që kam nga ai.

Trajtimi nuk po ecte mirë, pati një komplikacion.

U qetësua me injeksione të ndryshme. Unë qëndroja me të deri vonë. Ai shtirë në krevat unë tek këmbët e tij, qëndronim çdo natë deri vonë duke biseduar apo parë ndonjë film.

Atë natë nuk e dija se ishte e fundit. Atij i kishte rënë një nur shumë i bukur, kishte marrë një ngjyrë rozë në faqe, por ai ishte vërtetë mashkull shumë i bukur.

I them, sa mirë që dukesh, po e merr veten!

-Eee po po, thotë!

-Na merre shiko në pasqyrë, shikohet dhe vetë çuditet.

-Po po si ajo molla e kuqe jashtë, e kalbur brenda.

-E ia fut kot i them, më shiko mua si jam bërë, isha e dërrmuar, me rrathë të zinj në sy.

-Po të vijë një mjek tani do thotë; zotëri si e lejoni të sëmurën të qëndroj tek këmbët tua dhe vetë shtrirë!

Qeshim, qëndrova me të deri në orën katër të mëngjesit, pastaj u ngrita ngadalë, ai po flinte, më duhej të shtrihesha dhe unë isha e vdekur.

Në orën shtatë më bie zilja, ishte Ladi, se e kishim lënë kur i duhej ndonjë gjë të më telefononte.

-Hajde nuk jam mirë.

Shkoj në dhomën e tij, ishte gjithë djersë, e ndërroj, thërras urgjencën. Nisemi me ambulancë i vendosin oksigjenin, ai nuk e duronte, më thotë; thuaj të ma heqin nuk e mbaj dot.

Unë tani i njihja të gjithë mjekët dhe infermierët.

-Hiqe i them mjekut, se duron është e kotë të këmbëngulim.

Shkojmë në spital dhe direkt në reanimacion, gjendja ishte kritike. Unë qëndroja në korridor me dy fëmijët e mi te rritur, të voglin e kisha dërguar tek dadoja e tij.

Fëmijët e mi e donin dhe ishin kujdesur pa fund për të, im birë i qëndroi pa ndërprerje në spital kur u operua, vajza e shoqëronte gjithmonë kur merrte kimion dhe e shëtiste. Ai i donte shumë.

Mbas dy orësh më thërret mjeku.

-Eva më duhet të flas me ty. Gjendja është shumë e rëndë, veshkat nuk funksionojnë, mushkëria po na le, do bëjmë edhe një përpjekje me një ilaç, por përqindja është e vogël.

-Më duhet ta shikoj i them.

-Po, mund të shkosh.

Hyjë brenda, ai në mes aparaturave, me një tub që ia kishin vendosur në mushkëri.

Më shikon, i them si je?

Ngre gishtin e madh dhe më bën, Ok.

Dhurata, koordinatorja e spitalit  që ishte mikja ime i thotë: Ladi edhe pak sa të mbarojmë ilaçin, do të marri në shtëpi Eva, duro dhe pak se e di ti si na bën kjo ne për ty!

Atij i qeshin sytë.

Dal, ishte buzëqeshja e fundit, shikimi i fundit dhe unë nuk e dija, si nuk e putha, si nuk i thashë të dua shumë, si si o Zot!

Mbas tre orësh mjeku më thërret përsëri.

-Eva, kaloi në gjendje kome, tani çdo gjë është e kotë, por do e mbajmë sa të qëndroj zemra.

-Dua ta shikoj përsëri i them.

-Po mirë…

Djali nuk më lejon të shkoj vetëm, jo thotë, do jemi bashkë, nuk të le vetëm.

Hymë brenda, ai duket sikur po flinte gjumë. U afrova, mjeku më thotë; nuk të dëgjon Eva.

E dija por doja t’i flisja dhe m’u ngushtua fyti, nuk mund të thoja asnjë fjalë.

E prek, ishte i ngrohtë, prekja e fundit. Dal, jam e mpirë, jam bosh, kot. Vij vërdallë nëpër korridor. Kaluan edhe disa orë dhe mbaroi.

Mjeku vjen përsëri, por vetëm më shikon dhe tund kokën, për të thënë që kaq ishte. Femijët më afrohen

-Mami, mami!

-Jo i them jam mirë, jam bosh, nuk ndiej asgjë tani.

Ikim do ju çoj në shtëpi sepse më duhet të merrem me përgatitjet.

Dalim, shkojmë tek makina, ata zgjasin dorën për të më marrë çelësin.

-Jo i them, ju jeni të shqetësuar nuk mund t’i jepni makinës, unë jam e qetë kur i jap makinës për ju.

Në atë moment isha vetëm nënë.

I çoj në shtëpi, ata shpesh shtriheshin në krevatin tim dhe merrnin jastëkët e mi dhe thoshin; na pëlqen aroma jote, na qetëson.

Sot u thashë hajde të flemë të gjithë këtu, me njërën dorë fërkoja kokën e njërit, me tjetrën të tjetrit.

Sa i zë gjumi çohem, ishte natë.

Shkoj tek agjencia funerale, kryej të gjitha përgatitjet për të nesërmen. Nesër kisha një ditë të vështirë, po filloja të ngrohesha, u ula në kuzhinë, isha vetëm, po qaja me dënesë dhe flisja me tim vëlla, që në atë moment më mori malli për të.

Një ditë shkruaja për të  këtë… mall.

Sot m’u desh të bëja ca rregullime në shtëpi e në një kënd ku shpesh nuk shkoj pashë kitarën tënde.

E nxora ngadalë, e preka, vura gishtat mbi tela aty ku i vendosje ti… e nota nxirrje.

E mora e mbështolla sikur të përqafova ty.

Diferencë moshe kishim e kur ti adoleshent me kitarë këndoje unë pranë të qëndroja e të dëgjoja. Kënga italiane ishte pasioni yt e unë me këtë muzikë jam rritur. Fjalët m’i përktheje e muzika dukej më e bukur.

Sa shumë i ke kënduar jetës, dashurisë ti!

Por jetën në pak vite e jetove të gjithën, punove shumë, luftove, ëndërrove, realizove, dashurove, të gjitha i bëre. Jetën nuk e kurseve asnjë çast, nuk thoje ka nesër, sot e jetoje të plotë, nesër nuk e di!

Më mungon sa shumë, më mungon shakaja jote, më mungon biseda, por më shumë kujdesi yt, dashuria që më jepje ti vëllai im!

Shpesh më thoje; je motra më e mirë në botë e ndihem me fat që të kam, por unë nuk e di mjaftueshëm ta kam thënë për mua çfarë ishe ti!

Sa shumë më mungon e di!

Atje ku je çfarë bëhet a mund ta di!

Të dua, të dua, të lutem dëgjomë tani, pak të shikoja sa shumë do doja. Flas gjithmonë me ty e përgjigjen tënde e di. Ka çaste në jetë që praninë tënde e ndiej, aty gjërat i rregullon vetëm shpirti yt!

Sot kisha mall të bisedoja me ty, një kafe të pinim, por vetëm lot më rrjedhin e kitarën në dorë mbaj.

Do jesh me mua gjithmonë, kur të takohemi do të përqafoj e do qeshim si dikur vëllai im!

Të puth!