A të kam thënë…Suzana Rama


Shpesh në ekstazë teksa frymonim,

avuj dashurie, kapërthyer nga ëndrat,

mbështjellë të dy në ballë të shtratit,

ashtu papritur më vinte enkas pyetja.

A të kam thënë sa të bukur i ke syçkat?

Kur dilnim ndonjë të dielë buzë detit,

e bënim në këmbë rrugën në perëndim,

teksa horizonti përskuqej prej diellit,

horizontesh të tjera shkonte deri në kthim.

Dorën hidhje mbi sup e këngën nisnim.

Në kthim teksa mbrëmja hapte krahët,

tregonim barcaleta qeshnim pa pushim,

s’na dukej rruga na ndihmonin neonët,

me reflekse ngjyrash gjithë shkëlqim.

Herë pas here thoshe ti je shpirti im.

Ndihesha koketë, zëmra bëhej mal,

diku hapi ndalej, mbrinim në belvedere,

s’mund ta anashkalonim në atë vapë,

nga një gotë birrë shoqëruar me meze.

A të kam thënë thoshe se jam me fat?

Ishin të rralla e të bukura ato mbrëmje,

të vetmet mbrëmje ku ndihesha si zog,

sërish herë pas here nisje të pëshpërisje,

teksa ktheheshim për në folezën tonë.

A të kam thënë se do të dua gjithmonë ?

Gënjeve Imi, vdekja të mori përgjithmonë.