Adem Nuhaj-Moj leshverdha faqekuqe


Moj leshverdha faqekuqe …….

Moj kuacë e asaj kullote

Do të zë te derë e vathës

Palë – palë , bashka jote

E lagur nga vesë e natës.

Moj leshverdha faqe kuqe

Baluket të kanë zënë ballin

Dritën Hënës pse ia zure?

Lëre , që të ndriçoj malin.

Shkon e vjen rrugës së malit

Ngado shkel të mbetet gjurma

E bënë vapën e beharit

Te lisat mbushur me pllumba.

Kur , shkon rrugës monopatit

Më ikën serbes , serbes

Ti , je bukuri e fshatit

Je lezeti i kopesë.

Kur , më shkon për ujë në krua

Do ta zë pusinë te shtegu

Se , ti ikën përmbi thua

Vrapi yt , si plumb dyfeku.

Kuacë moj kuaca e kuqe

Lule Maj je zbukuruar

Pritëm n’ato gryka , lugje

Mos më lër mua vetmuar !

Syri yt , kur më shikon

Është ilaç , është shërim xhani

Dhe buza mjaltë të buron

Ndaj dua të rri te stani.

Si , kaprrolli përmbi shkëmb

Të qëndroj pranë tëndës tënde

Që , të dëgjoj zërin tënd

Kur , bredh nëpër brinja , gërxhe.

Të dy bashkë në mal të rrimë

Të lozim , nxjerim sevdan

Dhe të flemë mbi trendelinë

Bashka jote , si jorgan.

…………. Adem Nuhaj