Lumo Kolleshi
Të të them se do më gjesh nën pishat e Golemit,
Tek nxjerr nga lëkura ime rëshirë një diell,
Tek përzihen thashethemet me guaskat e detit,
Ku nata dhe retë nuk gjejnë aspak qiell;
Ti,burokrati i turizmit,gojën do ta mbushësh plot
E do të më thuash: vërtet patriot.
Por unë si unë,gjysmëngjëll a gjysmëdjall,
Të gjitha detet i dua pa plagë.
Ja,të të them se në jug e kaptova një mal
Dhe poshtë ullinjve u gjeta në Pargë;
Ti,burokrati i turizmit,saçmave në gojë do t’u japësh zjarr,
Pa Zot e pa fe do më quash,thjesht një tradhëtar.
Pa le pak më tej spirancën ta hedh nën re a mbi re,
Në brigjet e Egjeut,diku në peloponez,
Me brengë të zë këngën “Moj e bukura More”,
Ti,burokrati,do çakëritësh sytë si mbi pleh një këndes
E mua do më bësh për një gjysmëleku:
Kalë i drunjtë,i shitur te greku.
Mos të të them se flatrat më çojnë pak më larg,
Ku hapet çallmë e detit Marmara,
Ti gojën prapë do mbushësh me farmak:
S’të mjafton shqiptarka,mor maskara!
Ç’të të them më tepër,nuk dua të të trullos,
Me detet ndihem veç një albatros.
Milano,më 07.08.2024