Agim Dëshnica:Rrjedha lumit nën urë


RRJEDHA LUMIT NËN URË
Nga Agim Dëshnica
-Kushtuar 22 shqiptarëve të vrarë, pa gjyq e pa faj, në 26 shkurt 1951,
pranë Urës së Beshirit, Tiranë.

Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh
e sillet e shtillet vorbulla, te bregu nën gjeth.
Me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lot-stërkala
sado krim në terr, me pëshpërimë përhapet fjala!
Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,
për gropë martirësh ne heshtje dhe gurët vajtojnë
dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,
ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj!

Cilës epoke tiranësh u përkasin, o antropolog!
Këto eshtra shpupurisur në pluhur të lidhur tok?!
Mos janë ilire, në errësira kohësh vrarë
nga spata, shigjeta, ushta, hordhish, barbarë?
Jo jo! Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,
por komisarët e kuq, me yll të kuq gjëmborë!
Komisarë qelish, pa gjyq, pa firmë e vulë.
Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp..
Komisarë me hakërrime e me mandatën,
me britma, plotonë, krisma e plumba natën.
Dhe bisha fle, kur ngryset në pyll a në shpellë!
Dhe ujët fle, drurët prehen në gjumë të thellë!

Më kot fërkojnë duart me gjak komisarët,
më kot mundohen të harrohen gjithë të vrarët!
Nga gropa, nga gropa shpirtrat fluturuan lart,
Me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë!
Një poet qiejsh ndër muza, libra diturie,
një bir Kosove e burrë i urtë malsie!
Njëri fisnik nga derë artistësh lulëzimi!
Ekonomist një tjetër me ëndrra përparimi!
Tjetri vatran, zhuritur nga mall mërgimi!
Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,
Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!
Në lumej, det e oqean dëgjohet thirrje e saj,
shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.
Mërmërojnë valët: Sabiha! Sabiha!
Buçasin dallgët: Sabi! Sabiha! Sabiha!

Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet nën lule e gjeth,
me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lot-stërkala,
për krime terri me oshëtimë përhapet fjala!…