Agim Xh. Dëshnica:Dy alpinistë mbi humnerat e Dajtit


  Dy alpinistë mbi humnerat e Dajtit

Nga Agim Xh. Dëshnica

Thonë se detarët, kur janë në det të hapur, i merr malli për tokën, ndërsa në tokë kanë mall për detin. Kështu ndihej edhe Berti në ekskursionin drejt Jugut, gjashtë vjet pas luftës, me dyzetë shokët e tij bashkënxënës.Me shtatin pakëz të përkulur, ai binte në sy në fund të rreshtit.Me pushkën belxhik pa fishekë mbi sup.Pa kapele.Me batanie rreth qafës.Me xhaketë e pantallona ushtarake angleze.Me paguren cingo austrohungareze në rripin e belit.Me një çantë shpine ushtarake gjermane e me opinga gome.Në orën e nisjes nxënësve u dhanë nga tri vezë të ziera, bukë e një pako me marmalatë molle, që u squll e u derdh udhës nga vapa.

Udhëtimi më këmbë në atë korrik të nxehtë, zgjati plot një muaj, nga fushat në male. Në pisk të vapës nxënësit i hidhnin hapat njëri pas tjetrit të munduar nga etja, shpeshherë të uritur, të heshtur e të menduar, me kokën ulur, mbuluar me peshqir, duke parë opingat e atij që ecte përpara, në kërkim të gjurmëve të luftës në kohë paqeje.Natën shpesh humbisnin udhën në pyll e flinin nën pemë apo në kasolle bagëtish, madje edhe në sofate xhamish.Të gjithë i tërhiqte diçka joshëse pas reve lart në male.Pasi kalonin rrëke e lumenj nga një mal në tjetrin, në qafa e maja e mbi humnera, në të zbritur shpejtonin hapin të përmalluar për fushat, qytetet e shtëpitë e tyre.

Ai ekskursion me armë në kohë paqeje, sa i këndshëm po aq i rrezikshëm dhe i trishtuar me viktima, e kishte bindur Bertin të mos u qepej më atyre udhëve të vështira e pa kuptim, si muhaxhirët e dikurshëm, duke bezdisur me ato hyrjet e shpeshta e të papritura në fshatra banorët e atyre zonave.

Tani tek sodiste nga dritarja e shtëpisë Dajtin përballë, ku dikur në lashtësi në brigjet shkëmborë përplaseshin dallgët e Adriatikut, i tunduar nga kujtime të fashitur, ëndërronte një ikje, në gjirin e natyrës, i lirë si shpend fluturak. Në ditë me vranësira ai mal madhështor, me honet e majat rresht, ahe e pisha, shkozë e dëllinja, humbiste larg prapa reve, por në orët, kur dielli në kaltërsi ndrinte pafundësinë, krijohej përshtypja sikur natën kishte lëvizur në krah të detit e në mëngjes qe shfaqur më afër qytetit. Kjo dukuri mbase ishte një nga shkaqet, që e joshnin Bertin drejt Dajtit.

Një ditë dhe një natë maji

Aty nga viti 1957, papritur e pakujtuar, në fjalimet e qeveritarëve u vërejt një gjuhë më e zbutur, njëfarë lirim litari.

Ç’ndodhi në të vërtetë?Drejtorët në shkolla e shefat në punë, gazetat dhe radioja, njoftuan të rinjtë të merrnin pjesë në piknikun e madh të majit në afërsi të Dajtit. Pra, nuk do të shkonin në fshat me kazmë e shat e lopatë, por për argëtim.

E diel. Pranverë! Lulet ngjyra-ngjyra kishin shpërthyer nga gonxhet në kopshtet e në livadhet e blerta jashtë qytetit.Zogjtë me cicërima lëvrinin mbi gardhe e nëpër degë pemësh.Grupe – grupe vajza e djem, me çanta e qeska qysh në orët e para të ditës, u nisën më këmbë drejt Linzës.Disa ecnin nëpër rrugën e makinës, disa përmes shtigjeve, që prisnin shkurt.Me ta u bashkuan edhe Berti me Hamzain.Kostën nuk e gjetën në shtëpi.S’dihej nga kishte shkuar me motoçikletën shkataraqe Java, që shpesh e linte në mes të rrugës.Ishte viti i parë i punës.Hamzai qe i fejuar, kurse Berti beqar.I pari dashuronte nusen, i dyti adhuronte natyrën.Sado miq të ngushtë, ata nuk ngjanin njëri me tjetrin në sjellje e aftësi.Hamzai kishte shkëlqyer si student, sidomos në matematikë, kurse në punë gëzonte simpatinë e drejtorit, që e quante “ekonomist me duar të arta”. Berti bënte çmos të mësonte prej tij, veçse ia kalonte në sport dhe për krijime letrare, megjithëse ato flinin të pabotuara, thellë në sirtar, dhe ishte vetë që i lexonte në qetësinë e natës. Por, ai njihej, siç thamë, edhe si udhëtar i çartur.A nuk i kishin ngrënë brirët atëherë, kur qe rreshtuar në ekskursionin e paharruar drejt Jugut?Hamzai në disa raste, qe i papërmbajtur dhe ngulte këmbë për çdo mendim të papranueshëm nga të tjerët, ndërsa Berti ishte më i durueshëm.Në shah luanin rrëmbyeshëm, larg çdo teorie.Një ditë u shkrepi të udhëtonin me biçikleta për në Durrës.Pa u menduar hollë, zgjodhën rrugën e përpjetë me dredha e gropa të Ndroqit. Hamzai udhës u lodh aq shumë sa fajin për atë udhëtim ia ngarkoi Bertit. Ky, i qetë përbri tij, e nxiste: “Jepi! Ja, edhe pak dalim te plepat!”Pamja nga kodrat e Adriatikut e mbushi Hamzanë me besim.Fytyra e tij u çel nga njëfarë gëzimi përzier me dhimbje fizike.

Tani, pa u takuar me Kostën, i cili vendoste për gjithçka, miqtë tanë u nisën për në piknik.Me vete kishin marrë ushqime, si djathë me bukë pesëdhjetëshe, vezë të ziera, sheqer në fishek letre dhe biskota, nga ato që kërcisnin ndër dhëmbë, të famshmet “ingranazhe”.Për argëtim Berti nuk kishte harruar të merrte sazen e gojës “Bravi alpini”, e mbetur në sirtar. E pati blerë dikur në dyqanin privat të veglave muzikore, “Abaxhoglu e bij’’, që njihej me reklamën: “Muzika është ushqim i shpirtit”. Hamzai mbante në dorë një shkop, me të cilin godiste majtas e djathtas gurë e plisa.Në ecje e sipër njëri kishte hedhur mbi sup xhupin me pambuk, tjetri – xhaketën gri.

Të gjithë sa ishin u mblodhën në një fushë të blertë më sipër Linzës, rreth e qark me pemë. Atje vendosën çantat e qeskat, u ulën e pushuan pak. Pastaj lëvizën poshtë e lart.Disa u ndanë në skuadra për volejboll dhe futboll. Shumë vetë zunë vend rreth muzikantëve, ose u rreshtuan krahpërkrah para fotografëve, ca të tjerë u endën më kot të gjenin burimet e një përroi, që rridhte atje pranë. Pas atij argëtimi të zhurmshëm hëngrën e pinë dhe së fundi morën udhën e kthimit për në shtëpi.

Zgjimi i një dëshire

Kur të tjerët po iknin, të dy shokët rrinin mënjanë në një sop. Berti hidhte sytë drejt majave të Dajtit, kurse Hamzai trembte me shkop një grenzë, që sillej duke zukatur, herë rreth flokëve, herë pranë këmbëve të tyre.

– Sa mizë e poshtër, edhe pa e ngacmuar, befas vjen e të thumbon! – shfrynte ai.

– Ashtu ndodh vërtet! – tha Berti. – Ndërsa bleta, vetëm kur mbron mbretërshën dhe veten! Veç, ndryshe nga grenza, për ironi të fatit, e paguan me jetën…

– E godita! Ngordhi pisja! – thirri Hamzai me krahun e zgjatur poshtë, pastaj pyeti: – Ç’presim më? Ec të ikim edhe ne!

– Ikim! – Berti u kthye prapa me vështrim nga mali. – E, si thua? Ia mbajmë përpjetë nga Dajti?

– Çfarë!? Në Dajt!? Bah!

– Deri te livadhet, ku është ndërtesa e kampit. Ja, atje! Shih sa qartë duken drurët poshtë majave! Shtegu shkon drejt.

 Hamzai për një hop heshti.

– Jo, unë do të kthehem. Më presin në shtëpi.

– Po nuk është aq larg. Kemi një rast të rrallë, që nuk përsëritet shpesh!

Hamzai hodhi sytë drejt humnerave.

– Në ç’vend do të ndalojmë?

– Atje, pra, te livadhet! Pastaj, me ndonjë makinë të rastit, në mbrëmje do të jemi në shtëpi.

– Nga cila udhë do të kalojmë?

– Përmes shtegut, djathtas tubacionit të ujit, që pret shkurt deri lart.

– Jo! Jo! Eja të kthehemi!

– Ashtu? – Ik, atëherë! Unë do të ngjitem vetëm.

Hamzai ra në hall.U ngrit më këmbë me pamje nga qyteti, vuri njërën pëllëmbë si trehë mbi sy.Dielli i palëvizur ndrinte në hapësirë.

– Sa është ora afërisht?

– Pothuaj dy.

– Mirë, vetëm me një kusht. Deri në kamp.

– Po. Si të duash ti!

– Atëherë, ec përpara.

E kështu, si në përrallën me qingja, ata u ndanë nga tufa.

Për te livadhet mbi humnerë, morën përpjetë shtegut përbri tubacioneve të ujit, që zbresin e kapërcejnë rrugën e makinave.

– Kjo udhë na nxjerr lart, më shpejt! – tha Berti, ndërsa hidhte hapat lehtë e lehtë, pa vështruar pas. Edhe Hamzai e ndiqte këmba – këmbës pa u ndier, e për çudi, nuk mbetej larg tij në asnjë çast. Dielli i majit pas shpine u jepte kënaqësi, kurse era çlodhëse e dëllinjave ua lehtësonte të marrurit frymë, në atë ecje malore mbi gurë, shtufë dhe rrëkeza. Ik e ik! Freskia që përshkonte shtatet e tyre qe një shenjë e mirë. Hap pas hapi, mesa kuptohej, po qaseshin në krye të humnerës, në afërsi të shkorretës. Në mbarim të saj, pas afro tridhjetë minutave, kur shkelën tokën e butë, shfaqja e majave të malit në qiell do të thoshte se kishin dalë në tarracën e famshme apo në Belvederen mbi qytet, ku dikur në lashtësi dëgjohej gjëmimi i valëve të detit.

Maja e Dajtit

Me të dalë nga shkurret, vunë re një vijë uji, që dilte nga prapa një dushku e rridhte tatëpjetë. Duke ecur buzë ujit, pak më lart, zbuluan burimin. Atje pastruan duart e fytyrën, shuan etjen e u shtruan të hanin pak nga buka e mbetur me biskotat, si meze.Copën tjetër të bukës Berti e futi në xhep për më vonë.

Të ulur në atë vend të blertë nga një krah vështronin poshtë qytetin, kodrat e fushat dhe pak më tej detin, në krahun tjetër brezin me dushk e shkozë përzier me shkurre, që merrte përpjetë nga ngrihej mali. Gjurmë njerëzish humbisnin në disa drejtime nëpër pyll.Pasi pushuan përreth gjysëm ore, Berti u çua më këmbë.Hamzai nuk lëvizi nga vendi. Tek shihte me vëmendje permes drurëve një nga majat e malit, tha:

– Harrova të të pyes, a ka kafshë të egra këtej?

– Çfarë!?

– Arinj, arinj?

Berti qeshi, duke zbuluar katër dhëmbët e parë, që ia shtonin hijeshinë, kur ishte në humor.

– Po me se do ushqehen në këtë mal ata!? Me gurë, apo me degë pemësh!? Pushka dhe ushtria u kanë kallur datën ndaj ia kanë mbathur përtej kufirit, mbase disa fshihen në malet e veriut.

– Po ujq?

– Edhe ata thuajse janë shfarosur nga uria e nga plumbi. Hajt, çohu të ikim, se zumë rrënjë pranë dushkut!

– E di ç’ke? Në kamp shkojmë më vonë!

– Po këtu ç’do të bëjmë? Të shohim poshtë qytetin e të gjejmë, ku bien shtëpitë tona?

– Ja, si është puna! Unë s’jam ngjitur në asnjë majë mali si ti. Meqë na prure deri këtu, si thua, a ngjitemi atje?

Hamzai me dorën e shtrirë përpara, tregoi një nga majat e Dajtit.

Berti vështroi në atë drejtim. Hamzai, pa e ditur, i kishte treguar majën më të lartë.

– Si? Në atë majë? – Nga ajo lutje e papritur, ai ra në mendime. Lartësia para syve, tani s’ishte më as imagjinatë, as ëndërr, por diçka e prekshme dhe joshëse.

– Ç’mendohesh si poetët!?

– S’është aq lehtë sa duket, o profesor!

– Hajt, jepi! Mos përto!

– Ashtu!? Çohu, atëherë! Ec pas meje!

Por, në atë nisje me hamendje e kuturu, as vetë Berti s’dinte ç’krah të mbante. Gjurmët shkonin në disa drejtime.E vetmja udhërrëfyese, ku duhej të arrinin, ishte vetë maja.Në ecje e sipër pa ndaluar askund, i shoqëronte dielli që hidhte dritë-hije para këmbëve tek shkelnin mbi bar, gurë, shkarpa e gjethe të kalbura vite me radhë.Me të hyrë në një zonë të pyllëzuar, rrezet humbën nëpër degët e drurëve. Hijet e shtuan edhe më freskinë, aq sa ata ngritën jakat e kopsitën njëri xhupin e tjetri xhaketën. Heshtje kudo.Nuk dëgjohej asnjë zë, asnjë cicërimë, apo gurgullimë ujërash.Edhe ata vetë merreshin vesh vetëm me duar e sy.Berti u kujtua për sazen “Bravi Alpini.”Ndaloi pak dhe rrëmoi nëpër xhepa.E gjeti së fundi të strukur në astarin e xhupit.U mbush me frymë dhe nisi t’i binte vetëm refrenit të melodisë nga kënga e harruar e serenatave korçare “O Margarita, o Margarita!” Më tej, iu mor fryma, ndaj e ndërpreu këngën dhe sazen e hodhi në xhepin tjetër. Kur lanë pyllin, u doli përpara një pllajë e zhveshur nga drurët. Atje i ranë shtegut tërthorazi mbi një truall të butë me gjethe të ngjeshura fort, si mbi tapet persian me ngjyra të ndezura. Kapërcyen popla gurësh e degë drurësh të hedhura nga era aty – këtu. Dhe ja, mbi ta në qiell u shfaq maja! Ajo për çudi, herë afrohej, herë pa pritur largohej e zhdukej, sikur luante syllambyllas me ata dy njerëz të panjohur që përparonin drejt saj, djathtas e majtas, e pasi humbisnin udhën, pa dashur ktheheshin mbrapsht. Në ato minuta që s’kishin të mbaruar, Hamzai ecte pas Bertit, pa u ankuar.Ik e ik, ngadalë e ngadalë, përpjetë e përpjetë. Maja po merrte trajtën e një bregoreje me bar. Një dru i vetmuar me degë të rralla i rrahur nga era, hepej nga perëndimi.Lodhja dhe rrezet e diellit sajonin ndër sytë e tyre figura nga më të çuditshmet.Bertit i bëhej një si ari i përgjumur që ngrohej nën rrezet e diellit, ndërsa Hamzait një ujk, me veshët ngritur në përgjim. Hap pas hapi, hë këtu, hë atje dhe ja, maja më e lartë e Dajtit po dorëzohej si një dele e butë. Duke u ngjitur edhe më sipër, ecën përbri njëri – tjetrit.Sapo kthyen pak djathtas, u ndalën në drejtqëndrim në bregoren e blertë. Para tyre u ndeh hapësira e gjerë: në përëndim deti, në veri malet e Krujës, lartësitë mbi Mirditë e Theth me Korabin mbi re; në Jug – grumbull malesh me Tomorin hijerëndë mbi krye, kurse në lindje, male mbi male, humbisnin në mjegullnajë e largësi.

Udha e kthimit

Ata djem, që s’ishin anëtarë të asnjë klubi sportiv, në ato çaste tek po thithnin ajrin e pastër malor në lartësi, kishin pamjen e dy alpinistëve më të çuditshëm, mbase në gjithë botën. Qenë si askush tjetër, me veshmbathjet e zakonshme të punës, pa orë e pa hartë, pa dylbi e pa fener, pa çekiç, të palidhur me konop, për më tepër, pa alpinistin e tretë që shmang rreziqet e befta në humnera e rungaja malesh. Ata dy djem të heshtur në sfondin e reve, në një prej majave më të larta të malit, u ngjanin të arratisurve, që ndoshta kishin humbur udhën e tani mbi bregoren e blertë, me një farë ndrojtjeje, shikonin në qiell e tokë, kufirin e panjohur e tragjik midis varfërisë e mirëqenies, dhunës e lirisë. U bëhej, se ndodheshin në qiell, në një botë tjetër, të patrazuar nga shqetësimet e pasiguria e jetës tokësore.

Para se të zbrisnin, pa e ditur se ku, u ulën të pushonin pak. Tek rrinin shtrirë, ashtu më nge, në krahun e maleve, kur u kthyen prapa, vunë re me habi se dritat ndrinin nëpër qytet, ndërsa dielli hileqar qendronte pezull mbi detin e përskuqur. Berti brofi më këmbë.Poshtë në livadhe pa vetëm gjysmëterr.

“Nuk iu besoka diellit, këtu në lartësi! – tha me vete i shqetësuar. – Ai paska perënduar me kohë prapa kodrave midis Ndroqit e Vorës!”

– Çohu! – thirri. – Oburra, të ikim, se na zuri nata në mal!

E lanë bregoren me ngut dhe mbërritën në pllajën e pjerrët mbuluar me myshk të ngjeshur.Atje, të ulur mbi degë drurësh si në slitë, rrëshqitën mbi tapetin e gjetheve teposhtë. Zbritja qe aq e shpejtë, sa brenda një kohe të shkurtër, hynë përsëri në pyll dhe ecën me nxitim.

Humnerat

Si bënë edhe një copë udhë, dolën në zonën e shkurreve, kur nata me hënë e yje mbulonte tarracën nga kreu në fund.Nga qyteti vinte vezullimi i dritave, si prej një prozhektori vigan.Pa pushuar vrapuan të gjenin shtegun përbri tubacioneve për në rrugën e makinës.Tek nxitonin të lodhur nëpër shkurre, errësira i hutoi.Ata ecën si në tym në një shteg të ngushtë, që zgjatej djathtas.Ecën rreth një orë.Diku Berti u ndal të përgjonte zhurmën e një përroi, që vinte nga poshtë.Kur hodhi sytë përmes shkurreve, pa vetëm errësirë. Për çudi, brenda një rrethi të ndritur, iu shfaq një lopë me kokën ulur, që kulloste pranë dy mullarëve me kashtë. Fërkoi sytë.Pamja u zhduk. U kthye nga Hamzai e tha:

– Kemi marrë udhë të gabur!

– Atëherë, zbresim këtu!

– Ashtu thua ti? Pa shiko! – Berti u kap pas dy degëve të trasha, zgjati këmbën e djathtë poshtë dhe preku vetëm ajrin. U kthye mbrapsht dhe thirri: – Këtu qenka humnerë! Kthehemi andej nga erdhëm!

– Jo! Jo! Vazhdojmë më tutje!

– Për ku? Mos ke qejf të fluturojmë mbi humnerat e Shkallës së Tujanit? Kthehu!

– E dija, se nuk do të vija shëndoshë në shtëpi! – rënkoi Hamzai pa lëvizur nga vendi.

Berti e humbi durimin dhe e goditi me grusht në shpinë.

– Ec, të thashë! – ulëriti.

Hamzai heshti.

E kështu, pa thënë më asnjë fjalë, u kthyen dhe i hodhën hapat me kujdes, dalëngadalë.Hamzai përpara e Berti, një hap prapa, i jepte zemër.Udha e kthimit përmes shkurreve në kërkim të vendit, ku qenë ngatërruar, u hëngri goxha kohë.Sapo mbërritën në një truall i zhvehur, zhurma e përroit të padukshëm po ndihej më lart. Befas, duke mos u besuar syve, vunë re përpara refleksin e rrezeve të dritave, që vinin nga qyteti mbi një send të pjerrët.

– Tubacionet! – thirri Berti dhe shpejtoi hapin.

– Ndalo, të pushojmë pak këtu! – u lut Hamzai me gjysëm zëri – S’eci dot më, u lodha!

– Mirë, pushojmë.

Të dy u shtrinë me shpinën mbi bar, njëri në anë të shtegut, tjetri pak më larg, pranë shkurreve. Tek çlodhej, Berti sodiste i qetë yjet në qiell, me njëfarë kënaqësie.Dëgjonte qartë edhe rrjedhën e ujit diku poshtë.Pamja e tubacioneve e kishte gëzuar pa masë dhe qe gjithë besim se tashmë ajo aventurë po merrte fund. Gati sa nuk po binte në një gjendje përgjumjeje, kur e tronditi krisja e një druri dhe thirrja e frikshme e Hamzait: “Rashë, rashë! Obobooo!”Berti brofi nga vendi e u sul nga erdhi e thirrura.Rrëzë shkurreve u ndal. Pa vetëm terr. “Humnera!”, tha me vete i tmerruar. U kthye nga mali e në kulmin e dëshpërimit bërtiti:

– Ho! Ho! Ndihmë! Hoo!

Nuk iu përgjigj askush. Një dritë lëvizte lart nëpër errësirë. Ai thirri përsëri: – Ho, ho! Ndihmëëë!

Heshtje, trishtim e lot, vetëm përroi lajmëronte se viktima ishte atje në shtratin e vet, nën humnerë. Ai hyri në shteg dhe vrapoi për te tubacionet. Atje mori djathtas tatëpjetë, la udhën e, sipas zhurmës, gjeti bregun e përroit.Andej u fut në rrjedhën e ujit, që zbriste shkallë pas shkalle. Duke u mbajtur nëpër shkurret, që vareshin nga dy brigjet, nuk u nda nga shtrati me shtufë, zall e gurë, deri sa hyri në një pellg të cekët, tek i mësuar tashmë me errësirën, pa trupin e Hamzait përmbys mbi ujë e shtufë. Pranë tij shtrihej një degë e thyer.Mesa kupohej, ai i mbajtur fort pas asaj dege, qe rrëzuar nga lartësia në ujë.Iu afrua dhe e preku në sup.

– Hamza, Hamza! – i foli me zë pak.

Asnjë përgjigje. Kur ia kaloi dorën lehtë mbi qafë, vuri re se ishte gjallë.

– Hamza! Si je? – e pyeti.

Ai nuk iu përgjigj.

Kur i preku shputat e këmbëve, kuptoi se njëra i qe enjtur jashtë mase. Hamzai bërtiti:

– Oh! Mos më prek!

Pa dëgjuar kundërshtimet e ankimet e tij për dhimbjet e forta, e tërhoqi zvarrë jashtë ujit. Ç’mund të bënte për të në atë gjendje të rëndë, i vetëm mes asaj gropeje të humbur? I ra ndër mend se më poshtë ndodheshin kantieret e gurores.U orvat ta ngrinte e ta mbante mbi shpinë. Qe një mundim i kotë! E vendosi mbi bar e i hodhi përsipër xhupin.

– Prit këtu! – i tha. – Kthehem shpejt! Mos u mërzit, se s’ke gjë!

– Mirë, ik! – foli duke rënkuar Hamzai.

Berti, pa humbur kohë, u ngrit dhe ndoqi rrjedhën e përroit, herë në ujë e herë në brigje.Sa më poshtë zbriste, brigjet dukeshin më të lartë. U përpoq të ngjitej me duar e me këmbë sipër tyre, për të parë zonën ku ndodhej. Pa u kapur mirë në sop, rrëshqiste e binte në ujë. Aty ku brigjet u rrafshuan pak, në krahun e djathtë te një shesh pranë rrugës së makinave, pa disa baraka. Doli nga përroi dhe thirri: – Heeej! A ka njeri aty?”

Askush s’i ktheu përgjigje.U sul drejt dyerve dhe trokiti fort me grushta.Nuk u ndez kurrfarë drite e s’u dëgjua asnjë zë.

Shpëtimtarët

Ndërkohë dëgjoi zhurmën e një makine që vinte nga lart. Vrapoi sa i hanin këmbët dhe qëndroi në mes të xhadesë me duart ngritur. Para disa metrave ndaloi një kamion Gaz-51.

– Si asht puna? – e pyeti shoferi.

– Një shoku im ka rënë nga shkëmbi pak më tutje!

– Ou! Çare thu’, or ti!? Hyp shpejt!

Gazi nxitoi tatëpjetë deri te fjetoret e punëtorëve të gurores, ku rruga kthehej majtas. Pa dalë nga kabina shoferi u thirri dy – tre burrave, që rrinin ulur dhe pinin duhan.

– O shokë! Pak ma nalt, asht rrëzue prej shkambit nji çun qyteti!

– Jo, mër jahu! – tha ai i shqetësuar dhe u bërtiti: – Çoniju, eh burra!

Dritat në fjetore u ndezën njëra pas tjetrës.U dëgjuan zërat e atyre, që zgjoheshin.Pas pak, një varg malësorësh zbritën nëpër shkallë dhe vrapuan drejt kamionit. Dy vetë, që mbanin në duar fenerët e vajgurit, pyetën shoferin:

– Ku asht rrëzue, bre?

– Tutje mbi barakat!

– Heu! Ke Guri i Kuq, domethonë, a?

Karroceria u mbush përplot me njerëz të ulur shesh.

Shoferi e ktheu timonin, i dha gaz makinës, e ngau përpjetë dhe frenoi te sheshi i barakave. Të gjithë u hodhën përtokë. Një nga burrat me fener pyeti Bertin:

– E ku asht njitash djaloçi?

– Në fund të greminës.

– Si ia thojnë emnin?

– Hamza.

Vargu i atyre malësorëve të rinj të larguar nga shtëpitë e katundet baritore, u nis me hap të sigurt në rrugën e njohur për në kavat e rrezikshme me gurë. Berti, i çliruar pak nga ankthi, sado i lodhur, i ndoqi pas. E sakaq ushtuan zëra të fuqishëm, që thërrisnin Hamazanë! Nga thellësia e errësirës përgjigjja “këtu jam, këtu!”, i gjallëroi të gjithë. Në çastin kur katër nga punëtorët po mbartnin Hamzanë mbi krahët e tyre, Berti ra përdhé, thuajse pa ndjenja.Dukej sikur donte të flinte e të flinte i harruar atje në mes të shkurreve. Si në endërr dëgjoi një zë të ashpër:

– Ku është ai tjetri?

– Këtu, shoku kapter! Asht vra ene ky i shkreti!

– Jo, jo, s’ qenka vrarë aq shumë! Ngriheni!

Berti hapi sytë.Dy vetë ishin përkulur mbi kokën e tij.

– A t’dhem kund? – e pyeti njëri.

– S’kam gjë. Ndiej vetëm lodhje. – I ndihmuar prej tyre, ai u ngrit më këmbë dhe tha: – Faleminderit!

– Ka me të kalu’ gjithça! Mahu ke na, der’ ke barakat!

Dritat e makinës ndrinin udhën e gurores. Shpëtimtarët e viktimat zunë vend në karrocerinë e Gaz-it-51. Ai doli sërish në rrugë dhe ndaloi para fjetoreve. Punëtorët, njëri pas tjetrit, duke u kapur te spondet, prekën tokën e shtruar me çakull. Gjatë atyre minutave, mbërriti papritur autoambulanca e bardhë e urgjencës.

Spitali dhe Drejtoria e Brendshme

Në spital Hamzanë e shtruan menjëherë në pavionin e urgjencës.

Bertin e çuan në infermjeri. Mjeku i turnit të natës pasi e vizitoi,

tha:

– Ke shpëtuar për mrekulli, djalosh, përveç ca gërvishtjeve në fytyrë e duar!

Në mbarim të mjekimeve u dukën dy oficerë me uniforma blu, njëri toger e tjetri nëntoger. I dyti iu qas Bertit dhe e pyeti:

– Hë, mo djalë, si je? Ç’të tha doktori?

– Që s’kam gjë! Siç më shihni, shpëtova vetëm me këto fasho!

– Vërtet? S’të dhemb gjëkundi?

– Jo, jo.

– Atëherë, eja të ikim! – tha togeri.

– Po ky?

– Le të vijë me ne në veturë!

Bertin e shqetësuan mendime nga më të ndryshmet, por kur makina doli nga oborri i spitalit e u drejtua për nga qendra e qytetit, pamjet jashtë dritareve ia davaritën ca mendimet e këqia. Veç heshtja e shoferit dhe e dy oficerëve e ngacmonte disi. Gazi frenoi para portës së jashtme të Drejtorisë së Brendshme pranë Selvisë.Zbritën të gjithë. Shoferi pyeti:

– Shoku toger, ç’do të bëjmë medjalin? Ta lëmë të ikë në shtëpi?

Oficeri, duke u menduar, e pa Bertin i shkujdesur dhe tha:

– Ka kohë! Le të vijë njëherë pak lart me ne!

Berti ngjiti skallët i shqetësuar, duke ndjekur çizmet e togerit.Me të dalë në korridorin e sipërm, të gjithë hynë te një dhomë e gjerë dhe e gjatë. Atje ishin nja dhjetë oficerë të ulur në dy krahët e një tryeze ovale.

– Ulu! – i tha Bertit ai që rrinte në krye.

Berti i cfilitur zuri vend andej nga fundi.

– Pa na thuaj shkurt, ç’ndodhi me ju? Mirë pikniku, po atje lart ç’deshët?A e di ti, se keni hyrë në një zonë, tek s’lejohet!

I hutuar nga këto fjalë e nga pamja e oficerëve, që e shihnin drejt në sy, ai ngriti supet, shqeu sytë dhe me pak fjalë tregoi si kishte qenë puna.

– Sa vetë ishit?

– Vetëm ne të dy.

– A patët me vete aparat fotografik? – ndërhyri një kapiten.

Berti, i befasuar nga kjo pyetje, futi dorën në xhepin e xhupit, nxori copën e bukës, e vendosi mbi tryezë dhe tha:

– Jo! Vetëm këtë!

Ajo përgjigje pa kuptim u prit me një farë habie nga njerëzit me uniformë.

– Asgjë tjetër? – foli një major.

– Ah! Për pak harrova! – Bertit iu kujtua sazja. Rrëmoi në xhepat e pantallova, e gjeti, e vendosi afër bukës dhe tha: – Ja, edhe këtë sazen!

Nëpër ato fytyra të vrenjtura rrëshqiti një e qeshur e lehtë.

– E paska humbur fare! – pëshpëriti njëri prej tyre.

Ra heshtja, asnjë pyetje.Nisën muhabete me kujtime nga lufta, kur në ikje e sipër në male, binte mushka bashkë me mortajën në greminë, rrëzohej mitrolozi tatëpjetë e të tjera si këto.

Shefi e mbylli mbledhjen dhe u kthye nga Berti vetullmbledhur:

– Çohu! Ik, se të presin në shtëpi! Dhe herë të tjera kujdes, hë!

*     *     *

Berti më vonë mësoi se oficeri me gradat e togerit, ndër të tjera e kishte pyetur Hamzanë:

“Mos të dha gjë të shtymën shoku yt?” Ai, duke buzëqeshur i qe përgjigjur se fajtori ishte ai vetë. Hamzai ndenji në spital afro dy javë. Ai tregoi edhe një ndodhi për të qarë e për të qeshur.Në pavion u njoh me inxhiner Rakon, shtruar para një muaji me njërën këmbë të thyer tek ecte në rrugë. Befas kishte shkelur në një katror bosh, ku pllaka qe hequr, ose dikush e kish vjedhur.

Berti, tek shkonte për në shtëpi, me sytë gjysmë mbyllur e fytyrën me fasho, duke i hequr këpucët zvarrë, si mos më keq, me flokët e shprishur, xhupin e pantallonat grisur e shqepur, mënjanohej nën hije drurësh e rrëzë mureve, larg kalimtarëve, që ktheheshin pas mesnate nga dasmat. Nëpër ato hije në atë orë të vonë, ai kishte pamjen e një hallexhiu të dehur e të dëshpëruar.

Ja, çdo të thoshte të dashuroje natyrën e lirë, brenda rrethimit të mallkuar! Mund të përfundoje prapa hekurave të kryqëzuar e telave me gjemba, në galeritë e guvat e minierave.

About Post Author