Ah,ajo perde e zezë-Berzat Sadiki


AH, AJO PERDE E ZEZË

Për hir të bardhësisë së fjalëve,
fytyrës më hudhni
pluhur trëndafili të bardhë!

Fjalët i kam lule kumbulle,
që ia hapin dyert pranverës,
që diellin e zbresin në zemra.

Por njerëzit,
gjithmonë kanë qenë
të çuditshëm –
mosmirënjohës,
moskuptues.

E zeza!
Ah, ajo perde e zezë!
Ajo na pengon.
Sikur të mos ishte ajo,
do të ishim miq,
sikur pëllumbat sykuq,
me pupla kadifeje të bardhë –
pranë njëri-tjetrit,
kokë më kokë.