” Ahhh… dashuria e Nënokes time…Piro Millona Minella


” Ahhh… dashuria e Nënokes time…kafshimi i gishtit…për të marrë dhëmbjen e gjilpërës…. të mbeskës së saj….!!!”

….Duke shfletuar fotot në albumet e familjes, ndesha në këtë foto kaq kuptimplote…

Lidhja e Nënokes time, sidomos me çupën e vogël, Kristin ishte tej parametrave normalë. Të dyja rrinin bashkë, shpesh herë në dhomën e tyre, ashtu të shtrira në krevatet e tyre, bisedat aq të bukura ndërmejet Nënokos dhe mbeskës së saj ishin të gjata dhe “qanin” hallet mes tyre. Nuk kishte diferencë moshe dhe mendimesh.

Por mbaj mënd, qe çupa e vogël si çdo fëmijë, në ndryshimet e stinëve u sëmur.

I digjte balli nga temperatura dhe Nënokja ime i ndronte pa pushim napat të lyera me uthull. E gdhinte Nënokja në kryet e saj.

Duke vazhduar temperatura u detyruam të marrim antibiotikë edhe të shoqëruara me gjilpirat në tul.

Kishim mike Teta Shpresa Shanin dhe vinte na i bënte gjilpërat në shtëpi.

Halli i madh se Kristi nuk i duronte dot gjilpërat, strukej në gjoksin e Nënokes dhe vetëm Nenokja mund te “bindte” për të bërë gjilpërën. Dhe ja në derë u duk e qeshur mikesha jonë Shpresa.

I kishim përgatitur gjilpërat, aget dhe shishet me ilaç.

Kristi nuk pranonte të shpohej. Koha po rridhte dhe atëherë Nënokja ndërhyri me atë dashurinë e gjyshes.

Ju afrua Kristit dhe i tha diçka në vesh.

Kristi u shtri në divanin e guzhinës, teta Shpresa bëri gati agen me shiringën të mbushur me antibiotik. Kur shikoj që Nenokja u ul në gjunjë tek koka e Kristit dhe i ledhatonte ballin dhe flokët e butë.

Aparatin fotografik e kisha mbi tavolinën e guzhinës.

Kur Teta Shpçresa i fërkoi tulet e njoma me pambuk të lyer me alkol, Nenokja gishtin e dytë te dorës së majtë, sapo Kristi hapi gojën të bërtiste nga dhëmbjet e afron dhe sipas “marëveshjes” së fshehtë midis tyre e fut në gojën e vogël te Kristit dhe pranon ta kafshojë Kristi gishtin e saj.

Ngela pa fjalë, Nënokja mori përsipër dhimbjen e gjilpërës së Kristit. Moment rrëmbeva aparatin dhe e shkrepa.

Çudi çfarë dashurie u përcoll në ato momente. Gjyshja, mbesa dhe dhimbja… Nuk kisha fjalë.

Kur ja tregova foton Teta Shpresës u habit dhe vetëm shtoi:

-Prandaj Kristi nuk nxori zë, asnjë britmë fëminore. Nenokja juaj e thithi atë dhëmbje….

As Teta Shpresa nuk i kishte ndodhur kurrë në jetën profesionale, që gjyshja te pranonte këtë dhëmbje për hatrin e mbesës.

…U përlota dhe përsëri e vura me kujdes këtë foto në albumin e fotografive, në albumin e Kristit. Nuk më bindeshin duart…..