AJO ISHTE STINA JONË!


ZYBA HYSA

Qënka e thënë,
Që liria ime të çelë
N’burgun e zemrës tënde!
Mbase natyra kështu e krijoi gruan,
Si filiz q’çel e lulëzon si pjergulla,
Që për të mos rënë,
I duhet një shtyllë besimi,
Të qëndrojë n’këmbë…!

Zemra e një burri mbushet me aromë,
Kur n’zemërn e tij, liria e një gruaje gëlon…
Ndaj kot s’thua: “aroma ime”
Se parfumi i një zemre,
Mbjellë në tabanin e një tjetre,
Fal aromë jete!

Unë çela për pak kohë,
Si me magji formova kurorë,
Se mbaj mend në ishte pranverë,
Verë, vjeshtë, a dimër,
Ajo ishte, stina jonë!
……………………..
Qënka e thënë,
Që liria ime të çelë
N’burgun e zemrës tënde!
Mbase natyra kështu e krijoi gruan,
Si filiz q’çel e lulëzon si pjergulla,
Për të mos rënë,
I duhet një shtyllë besimi,
Të qëndrojë n’këmbë…!

About Post Author