
Cikël me poezi
NGA PANAJOT BOLI
AJO MË IKËN SI YLBERI
Në pikën e vesës vezulloi befas një ylber
Mbi petalen e manushaqes si rubin
Rrathë rrathë zgjerohet
Zgjohet shpirti …
Psherëtin.
Në pikën e vesës la dritën Ylli Polar si ylber
Mbi petalen e manushaqes si rubin
Rrathë rrathë zgjerohet
Si një sy i kaltër…
Më përpin.
Në pikën e vesës agu lë një dritë të roztë
Mbi petalen e manushaqes si rubin
Rrathë rrathë zgjerohet
Si trendafil i dehur…
Më shkrin.
Një çast hutohem e dorën zgjas të kap vesën endërr
Më ikën si ylberi… prit i them.. dhe i therras në emër
PEIZAZH MENGJESI NË FSHAT
Mengjesi i buhavitur po lan fytyrën në çezmën e fshatit
Dielli derdh gjithë dritën, indiferente, aspak të ngrohtë
Sokakët shkundin nga supet lagështinë e nxirë të natës
Një gushëkuq po dridhe mbi dardhën plakë: Sa ftohtë!
Bajamja hap sytë e tund krahët që të çmpihet sado pak
Bletët nxjerrin syrin te dera e shohin se mos iku bryma
Vetëm vesa lumturohet mes mijëra ngjyrash të argjenda
Kollitet lehtë kopshti im, nga azma sa nuk i zihet fryma
PULA E PANDERSHME E KOMSHIUT
Një ditë,
U zunë keq komshinjtë e mi
Sherr të madh benë
Zemërimi nga goja nxirrte shkumë të bardhë.
Nuk priten,
Ngriten armët,
Njeri lopatën,
Tjetri cfurkun.
Pula mekatare kish kaluar zonën e ndaluar
E na paska takuar gjelin e komshiut
Tani me lot në sy
U fut në mes:
-Më kryqëzoni mua
Ju jini të pafajshëm-
Gijotinë e ngriten shpejt
Aty te gardhi
E cfurku e lopata ranë mbi të…
Kurban e bënë,
Pulën e pandershme..
MEDITIM PRANË DETIT
Një yll sonte shuajti etjen në buzët e detit
U dehen valet e puthen gushen e qytetit
I malluar i ndjek e lutem të më sulen me furi
T”ua rrembej yllin e ta var ti,si dhuratë në gji
Dhe unë të kem ku te falem në tempullin e ri
Në qiellin e pëllumbave.ku ndrit nje tjetër yllësi
NUK FLENË KUJTIMET
-për nxënësit e mi-
Një tufë malli i largët, i thinjur çapitet befas
Si një zog i hutuar më struket në gjoksin tim
Një grusht buzëqeshjesh si një llampdarë yjesh
Ma ndezin qiellin e shpirtit tim me flakërimë
Ato janë drita e hënës në muzgun tim
Në supet e viteve të mia trokasin hapat e tyre
Me trendafila të bardha mengjesin ma zgjojnë
Mbremjeve vonë ku lodhja më mundon shumë
Endrrat e tyre, me puthje sytë m’i ëmbëlsojnë
Ato janë aroma e frutave në vjeshtën time
Mblidhen rreth meje si zogjtë që i therret nëna
Kush mban një manushaqe, kush një dashuri
Dikush fsheh lotin,tjetri më kap dorën ëmbël
Dikush ndjesë për fletoren që harroi në shtëpi
Ato janë oksigjeni në frymëmarrjen time
I KËRKOJ DIELLIT NJË GRUSHT DRITE
Zemrës i lutet shpirti: -Më merr në prehër, më puth, më përqafo
Hëna i thotë: -Të jap dritë sa të duash, gjer në të gdhirë mos pusho
Agu i pëshpëerit: -Vesën time për ty e bëj diamante me vezullime
Në lendinë vrapoj unë-thotë Marsi- të zgjedh lule për të ëmblën time
I them diellit:-Më jep një grusht drite, të lumturoj sytë e mikes sime
RIGON DHEMBJA SI VESË
Mes luleve që buzëqeshin në oborrin tim
Një trendafil të bardhë simpatizova shumë
Ai si manar më vinte shpesh edhe në gjumë
E psherëtija unë: Ah, i bukuri trëndafili im.
Bëhesha xheloz kur e përqafonte një flutur
Paçka se trendafilat e tjerë më shihnin me inat
Hutohesha që dorën time me ndrojtje ta zgjat
T’i kërkoja pak aromë me përulësi duke e lutur
Një ditë s’priti me buzëgaz t’i them mirëmengjes
Natën, aty në errësirë, një dorë e kish rrëmbyer
Dora, nga një gjemb i ngelur në të, me gjak lyer
E dhembja pikë-pikë më rigon në shpirt, si vesë.
MBOLLA BORZILOK…
Që të kisha pranë, të të mbaja erë
Borzilok me aromë mbolla për ty
I thashë diellit të shpirtit të kujdeset
Si dado të mirë, të solla dy sytë e mi
Borzilokun, zanat e malit e bënë mall
Mbuloi dhenë ai dhe s’përmbahej dot
Dielli im e ngrohte me afshin zjarrmi
E sytë , ah, papushim e ujisnin me lot
Malli borzilok befas filloi të vyshkej
Se burimi i lotëve në sy ishte tharë
Në gotë, aromën me etje filloj ta pi
Gjethet po dridhen dhe digjen si zjarr