Aktori, artisi dhe regjisori famëmadh Bajrush Mjaku-Zekerija Idrizi


Z. Bajrush Mjaku është një super Yll i teatrit kombëtar shqiptar dhe i filmit. Për jetën dhe veprat e tij me namë aktoriale e artistike kam lexuar gjithandej nëpër internet në pothuaj gjitha gjuhët e botës: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, norvegjish, çekisht, kroatisht, maqedonisht etj, kurse shqip kam lexuar shumë pak.

Për jetën dhe veprat e tij flet më së miri dokumentari i metrazhit të gjatë “101 role, 102 jetë” me regji të Filip Herin, në 8 episode, kushtuar veprës personale, familjare dhe aktoreske të Bajrush Mjakut. Mandej për veprimtarinë e tij të begatë flet më së miri edhe vepra e tij kapitale “Urtësi dhe marrëzi”.

Ky aktor ka një karrierë të spikatur profesionale, plotë 50 vite në 101 role, e cila prej kohësh ka tejkaluar kufijtë e rajonit tonë dhe është përhapur në të gjithë Evropën, deri në Rusi. Do të thotë, veprimtaria e tij aktoreske veçmë njihet botërisht. Me disa shfaqje si “Ditari i një të çmenduri” dhe “Babai” ai përshkoi thuajse gjithë botën. Edhe pse së shpejti do të hyjë në të 70-at, entuziazmi për punën nuk e lë dhe ende gjen dhe punon në projekte të reja.

Për punën dhe angazhimin e tij profesional është shpërblyer me shumë çmime e mirënjohje prestigjioze teatrale dhe filmike. Ndër to edhe projekti i Mjakut për inskenimin e Peer Gynt-it në gjuhën shqipe ka fituar, bashkë me katër projekte të tjera nga vende të ndryshme të botës. Ai ka fituar në një konkurrencë të ashpër në të cilën kanë garuar mbi 50 artistë dhe kompani nga e mbarë bota. Bajrushi fitoi çmimin e lartë “The International Ibsen Scholarship”, i cili është themeluar nga Parlamenti Norvegjez në vitin 2007 bashkë edhe me dy çmime të tjera: “International Award” dhe “National Award”.

Këtë vit, ndërkaq, ai mori çmimin e lartë për merita qytetare dhe aktoriale nga Presidenti i shtetit të Maqedonisë së Veriut z. Stevan Pendaroski.

Në 50-vjetorin e veprimtarisë së tij profesionale plot suksese i uroj shëndet dhe suksese të mëtejme aktorit brilant, bashkëvendasit tim Bajrush Mjaku!

Me respekt të thellë:

Zekerija Idrizi