NJË DRITË E PJERRËT

Unë jam një dritë e pjerrët,
që në zbehtësinë e saj ndriçon,
por dhe as nuk shuhet.
… e pangjyrë, plot melankoli.
Jam përthyerje drite,
që hojet e mendimeve të mia mbush,
si pyll në pranverë jam mbarsur
me vargje që lëvrijnë brenda meje
me sythe e gjethe në të çelur.
Jam fytyra gri e një gruaje shtatzënë
që natën kalon me dhembje,
një zog i pangjyrë unë jam
në sytë e tij një dritë e pjerrët,
melankoli e gjatë perëndimesh jam
në kërkim të një vargu a të një ëndrre.
As e kuqe, as e bardhë, as e zezë nuk jam
kam ngjyrën gri të qiellit në pragun e një dimri
mbarsur dëborë edhe stuhi.
Unë jam.. dritë e pjerrët,
gjëndje e brishtë e pangjyrë, melankoli
jam gongël që vërtitet skajeve të mia
midis gëzimit e trishtimit,
poetja e vogël brenda meje
mbarsur varg e poezi!