Albana Hodaj;Duaje botën, biri im!


Kjo botë bir, ëndrrat t’i thyen

Të shkel në shpirt me dy këmbë

Këmishën e shpresës ta shqyen

Kafshon me gjuhë e me dhëmbë!

Kjo botë bir, është sypafjetur

Kafshatë e frymë numëron

Godet kur je duke ecur

Si gjarpri, helmin lëshon…

Kjo botë bir, mëshirën s’e njeh

S’ndan, as ndjen dhembshuri

Mes mizerjes, ha e fle

Të lutet a besojë nuk di!

Kjo botë bir, të vret pas shpine

Larg të ndjek nëpër mall

Të rropat e përplas me mundime

Të ndëshkon dhe nuk di të falë!

Kjo botë bir, mbi urrejtje fle

Dogma gjithandej do dëgjosh

Qëndro me shpirtin dritë siç je

E dritën Botës t’i tregosh…

Kjo botë bir, është e thepisur

Si malet lart në fshatin tonë

Dorën ta zgjat, në je gremisur

Sapo të ngre, vrap ta lëshon…

Kjo botë bir, është kaq e bukur

Të mahnit e rrëmben tinëzisht

Ti ke ardhur, për të qenë i lumtur

Në do ta mundësh, duaje çmendurisht!

About Post Author