Albana Hodaj:Dy zemra


Ç’do bëje nëse të  thosha kam dy zemra?

Të gjalla, të  vogla, me venë e kapilarë

E nëse e shihje, prapë s’do e besoje

Dhe pse zemrën tënde kurrë s’ke për ta parë.

Ja kështu dhe unë

Vërtet i kam dy zemra

Njëra rreh si jotja, thellë në kraharor

Tjetrën, si dhuratë, një ditë ma dha Ati

Nëna mbolli kopshtin, plot lule në oborr…

As buka, as uji, as gjumi s’i duhet

Nuk thyhet, nuk lodhet si zemra në gji

E fortë, e lëmuar,

as qan e as vritet

Udhëton ndër shekuj, e gurta madhështi….

Ah sikur ta dinit, ah, vërtet sikur!

Mrekullinë e saj, kur  e përkëdhel

Të flet dashuria me dy sy të qeshur

Flladi i gëzimit përreth teje vjen!

Edhe dita mbushet me një shpresë të rrallë

Sikur ngjitesh lart e gjërat sheh bukur…

Me fjalën si rreze    përqafime ndan

E gjithkënd do ta shohësh të lumtur ..

Kjo Zemër-univers, dhuratë kaq e rrallë

Mua më mban gjallë e më mbush me jetë

Rrjedh brenda meje dashuri të gjallë

Për të, ty Zot të falem, sot e përjetë!

About Post Author