Albana Hodaj:I imi qytet


Albana Hodaj:

Jetoj në një vend të çuditshëm

I bukur shumë

Zgjohesh me diellin e ngrohtë

Mes valësh fle gjumë…

Makina zhurmojnë kuturu

Tek ecën ngadalë

Dikush të vret me shikim

Më shumë se me fjalë..

Me zërin e lartë ky qytet

Në mbrëmjen e vonë

Nga brenga dhe në ëndërr bërtet

Kështu sikur thonë…

Klith shpirti i tij marazesh

Si drer i plagosur

Rënkime rrugësh, trotuaresh

Gjymtuar,baltosur…

Pikturat në mure mbetur

Pemë që flasin…

Porta që hapur presin

Rrugica që plasin…

Zëra fëmijësh lodrojnë

Cicërojnë si  violinë

Prej tyre dhe detit me valë

Qyteti s’njeh perëndim!

I çuditshmi, imi pallat

I plakur, me katet e pakta

Do thjesht mua të gjithën

Pa takat e larta.

Kjo heshtje tani buzë detit

Me dritat lakuar

Si fllad ma solli qytetin

 Mos ndoshta më ka përqafuar?

About Post Author