Albena Palushi, Gjeneve-Eugene Pittard: Një histori e dashurisë për kulturën dhe historinë shqiptare


Albena Palushi, Gjeneve
Eugene Pittard: Një histori e dashurisë për kulturën dhe historinë shqiptare.

Lidhja e fortë midis Shqipërisë dhe Zvicrës: Nga takimi i zhvilluar këto ditë në Gjeneve mbi librin “Rrugëtimi i mbramë i Helene dhe Eugene Pittard”

Nëpër rrugët e historisë, një lidhje e fortë ka shkëmbyer bukurinë e kulturave dhe frymën e traditive të dy vendeve. Lidhja e Zvicres me Shqipërinë ka qenë e fortë në çdo aspekt, duke e bërë Zvicrën të jetë një vend i pëlqyer për shqiptarët në rrugëtimin e tyre historik. Para Luftës së Dytë Botërore, intelektualë shqiptarë, në kërkim të një jete më të mirë dhe mundësive të reja, gjetën strehimin e tyre në Zvicër. Neutraliteti i këtij vendi i priti me zemrën e hapur dhe u ofroi atyre shpresë dhe siguri.
Libri i shkruar nga publicisti Kudret Isaj, “Udhëtimi i mbramë i Helene dhe Eugene Pittard në Shqipëri, Gjenevë-Tiranë, në gjurmët e Kryqit të Kuq shqiptar në Gjenevë,” hedh dritë mbi kontributin e profesor Eugene Pittard dhe bashkëshortes së tij, e njohur me emrin e shkrimeve si Noelle Roger. Eugene Pittard, në rolin e tij si antropolog, ka studiuar historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Duke u përpjekur të kuptonte rrënjët e tyre historike, ai ka kryer ekspedita arkeologjike dhe etnografike në territorin shqiptar. Përmes kërkimeve të tij të thella, Pittard ka dokumentuar me kujdes zakonet, traditat dhe mënyrën e jetesës të popullsisë shqiptare. Përveç punës së tij në fushën e shkencave humane, Pittard ka qenë edhe një mbështetës i madh i çështjes shqiptare në diplomaci. Ai ka kontribuar në lobimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Një tjetër kontribut i pazëvendësueshëm i Eugene Pittard ishte themelimi i Kryqit të Kuq Shqiptar, duke krijuar një organizatë humanitare të rëndësishme për të ndihmuar popullsinë shqiptare në kohëra të vështira. Bashkëshortja e tij, Helene Pittard, me penën e saj vazhdoi rrëfimin e dashurisë midis dy popujve.
Promovimi i këtij libri vjen në kuadër të aktiviteteve të Klubit kulturor të miqve shqiptaro-zviceranë “Tradita”, i krijuar në Gjenevë, Zvicër në vitin 2019. Ky klub u krijua për të ruajtur traditat shqiptare, për të forcuar miqësinë dhe urën mes dy kulturave. Festimet e ditës pagane të verës kanë qenë fillesat e njohjes së themeluesve të këtij klubi. Dashuria e tyre për traditat shqiptare dhe kulturën e vendit mikpritës ka qenë motivi frymëzues i bashkëpunimit dhe bashkimit të tyre në këtë klub.
Ne fund do te citoja poezine e shkruar nga Noelle Roger në vitin 1921, “Rugëve të Shqipërisë”, ku ajo shpreh magjinë e udhëtimit nëpër rrugët e Shqipërisë dhe dashurine e paharrueshme ndaj saj :
Fëmijë të vegjël më dhanë lule
Lule Shqipërie
Dua t’I kujtoj ngjyrat e tyre
Dhe duart e brishta që i mblodhën

Nga malet, liqenet, pyjet e tyre
Zbritën burra Shqipërie
Lotët u turbullonin sytë dhe zërat…
Sytë e tyre të qeshur do i kujtoj gjithmonë

Nëpër rruge ndjeva se si rrihte
Zemra krenare dhe e plagosur e Shqipërise
E njoha e do ta marr me vete
Dashuria e saj do ta mbështjellë jetën time

Jehona e shtypit shqiptar mbi udhëtimin e Eugene dhe Helene Pittard në Shqipëri

Autori i librit ka sjellë fakte mbi përshkrimin dhe komentet e shtypit shqiptar në lidhje me vizitën e Eugene dhe Helene Pittard në Shqipëri në periudhën gusht-tetor të vitit 1921. Çifti vizitoi Shqipërinë nga jugu në veri, me qëllim kryesor kërkimin shkencor në fushën e antropologjisë. Në janar të vitit 1921, Iljas Vrioni, kryeministri i kohës, emëroi Eugene Pittard si konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë në Gjenevë.
Fatkeqësisht, vitet 1920-1921 ishin vite te vështira trazirash për shqiptarët. Në 1920-ën ushtria serbo-croato-sllovene, në kundërshtim flagrant me vendimet e konferencës së Londrës të vitit 1913, kishte sulmuar disa herë territoret e Shqipërisë duke kryer barbarizma tek popullsia shqiptare dhe duke i lënë ata në mjerim të plotë. Në atë kohë Evropa qëndroi indiferente ndaj agresioneve që po i bëheshin Shqipërisë.
I tronditur nga ky fakt, Eugene Pittard u përpoq të bënte gjithçka që ishte në mundësinë e tij për të bërë të ndalonte agresioni i fqinjëve.
Në libër është botuar letra e hapur që Eugene Pittard i drejtonte mbretit të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve nëpërmjet gazetës La Suisse në prill 1921.
Mbështetja që Eugene Pittard i jepte Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si dhe kërkimet dhe studimet e tij të kulturës dhe traditave shqiptare bënë që shtypi shqiptar i asaj kohe ta mirëpriste vizitën e tij dhe ta shfrytëzonte këtë rast për të shprehur mirënjohjen e shqiptarëve, të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve të thjeshtë, ndaj misionit të tij.
Në mitingjet popullore që u organizuan me rastin e vizitës së tyre, të bën përshtypje bashkëpunimi i ngushtë midis autoriteteve politike, fetare, tregtarëve, zanatçinjve dhe njerëzve të thjeshtë të popullit. Ata bëjnë c ‘është e mundur për t’i nderuar miqtë zviceran që do të vizitojnë qytetin e tyre në shenjë falenderimi për gjithçka që ata kanë bërë për Shqipërinë.
Gazeta « Agimi », e përkohshme letraro-politike e qytetit të Shkodrës, boton informacionin me titull Orë e fundit, të cilin autori e ka cituar në libër duke i qëndruar besnik dialektit shkodran. Ja se ç ‘shkruhet në këtë informacion :
« Marrim vesh se prof. Eugene Pittard prej Svicret albanofil i përmendun, antar ndërjet i Shoqnis Vllaznija ka ardhnue bashkë me Zojën e vet në Tiranë me qëllim të vizitojë gjithë Shqipninë. Nuk asht nevoja me diftue se sa i ka ndihmue Z. i Tij çashtjes s’onë komtare, prandaj qyteti i jonë ashtë i detyruem me e tregue mirnjohësine e vet ndaj tij, tuej i ba nji të pritun të meritueshëm në rasë t’ardhunit në Shkodër »
Autori e përshkruan Eugene Pittard si një nga personalitetet e huaja që me ndërgjegje te plotë e ka mbrojtur Shqipërinë duke hedhur poshtë me argumente intrigat dhe akuzat e stisura që fqinjët e saj të jugut dhe të veriut përpiqeshin t’ia shisnin Evropës si të vërteta absolute.
Gazeta Përparimi e Korçës pasqyron jehonën e telegrameve që profesor Eugene Pittard u dërgoi gazetave zvicerane dhe Lidhjes së Kombeve në Gjenevë në lidhje me përgënjeshtrimin e lajmeve të gatuara në kuzhinat e Athinës : « Kinse ne Himarë dhe në Korçe po kërkohet autonomia e Shqipërisë se jugut. Të njëjtën kantilenë grekët kanë vite që e këndojnë dhe përpiqen ta përhapin kudo duke u përpjekur t’i hedhin Evropës hi syve ».
Kudo që Eugene Pittard udhëtonte, njerëzit e prisnin me entuziazëm dhe brohoritje si mik i Shqipërisë dhe mbrojtës i çështjes së saj kombëtare.
Gazeta Jet’ e re e Korçës, në 9 shtator 1921, në rubrikën Lajme të brendshme boton njoftimin me titull «Sot pritet në qytetin t’onë i dëgjuari Profesor z. Pittardi bashkë me zojën e tij. Z. e tij është një n’ata shkrimtarë që ka mbrojtur çështjen kombëtare tonë nxehtësisht në më të dëgjuarat gazeta helvetiane. Populli po pregatitet për pritjen e tij »
Ja se si e përshkruan gazeta Koha e qytetit te Korçës vizitën e Eugene Pittard në këtë qytet:
«Për nder të profesorit Helvetian Z. Pittard, që ariu këtu, qytet’ i Korçës u stolis dhe me flamurë të Helvetise. Idealistet shqiptare kanë dëshëruar dhe ëndërritur kurdoherë të marrin për shembëll Helvetine në lindjen e re te Shqipërisë. Ja një rast i bukur, o burrani që të gjithë të çfaqim përpara Z. Pittard simbathinë tonë që ndjejmë për të bukurin atdhe të tij, dhe të përpiqemi të kërkojmë dhe të sjellim organizatorë Helveciane, dhe kështu të humbasim një herë e mirë nomet e kalbura dhe adetet e qelbura të anadollakëve…»
Gazeta Posta e Korçës e datës 10 shtator 1921 do të botonte një reportazh të posaçëm me titull: Pritja e shkëlqyer e Profesor Pittardit në Korçë. Në krye të faqes së parë të gazetës ishte shkruar me gërma të mëdha në gjuhën frënge: « Soyez le bienvenu Mme et M. le prof. Pittard nos amis bien aimés ». Po ju lexoj një fragment nga artikulli i përmendur në libër, një përshkrim shumë realist dhe i bukur i pritjes :
« Mbas shpalljes që i kish bërë Katundaria e Popullit, qyteti ish stolisur me flamuj të Shqiprisë dhe të Helvetisë, dhe më ora 4 Pas M.D. Banda Kombëtare dhe Banda e Katundarisë, të drejtuari prej Profesorit tyre, z. Nassi, bëne një shëtitje nër rrugët principale të qytetit dhe populli si mizëria u radhuan me një regull pas syresh, dyke patur në ballë Kryekatundarin me këshillën e Katundarisë, priftinjtë kombëtar me këshillën e Mitropolisë, të Përndershmit at Ramadanin dhe at Hajderin, zëvendësit të Myftiut, të Perndershmit Riza Hoxhën dhe Hafez Xhaferin, Kryetarët e zyrave Qeveritare me nëpunësit e lartë dhe sekretarët e tyre, kryetarët e gjykatorevet me antarët dhe sekretarët. Drejtori i arsimit, z Dhosi Havjari me gjith komisionin e Arsimit dhe me Drejtorët e gazetave të këtushme, kryetari i shoqërisë Vatra me tërë trupin e komisionit, dhe pas tyre vinin me radhë profesorët e Lisesë Shqiptaro-frenge me studentët, Drejtorët e shkollavet fillore me mësuesit dyke patur me radhë nxënësit e gjithë reshteve, Drejtoresha me mësueset dyke patur me radhë gjithë nxënëset, kryetarja e shoqërisë gravet Përlindja me gjith komisionin dhe anëtaret, dhe pas syresh vinin Parësia e qytetit dhe gjith populli me radhë, dyke mbajtur flamurët e Shqipérise dhe Helvetisë. Pas vinte kumandari i ushtërisë, Major Mustafa Spathara me oficerët e gjith klasevet, kumandar i Reth kumandës, Toger Harilla Kolea, dhe ushtëria e cila kumandohej me një regull të veçantë prej Toger Osman Gazepit. Dyke shkuar të gjithë me këtë regull rugës Kolonjës arinë pranë urës Drenicës. Më ora 6 vijnë automobilat, dhe miqët’ e shkëlqyer, Prof. Pittard-i me Zonjën e tij, zbritnë nga automobili në mes të enthusiazmës të popullit, i cili thërriste pa kursim: Rroftë Svicra. Rrofshin miqtë t’anë. Rroftë Shqipëria. Në mes të kesaj enthusiazme, Prefekti me një buzëqeshje dhe me fytyrën e tij simbathitike e rekomandon Kryekatundarin dhe gjithë kryetarët e zyrave. Pasandaj, i njohuri orator ne gjuhën frëngjishte, z. Petro Harizi, mbajti një fjalë dyke lavdëruar Sviceren gjerë e gjatë dhe së cilës Profesori Pittard iu përgjigj dyke thën midis të tjerave se, gjer tani u kam njohur theorikisht porse tani u njoh edhe me syt’ e mija nënë qiellë e bukur të Shqipërisë, dhe se unë do të bëhem advukati juaj për t’u bërë të njohur n’ata që nuk iu njohin dhe n’ata që nuk duan t’u njohin. Gjer tani jam përpjekur për të drejtat e Kombit Shqiptar dhe për të cilën vepër mburem e pas kësaj do punoj akoma më tepër për të plotësuar idealin t’uaj. Fjalën e tij ia përktheu popullit Kapiten Salahedin Blloshmi, dhe populli thëret: Rroftë miku i Shqipërisë. roftë Helvetia ; dhe dyke shkuar midis djemvet dhe vajzavet të shkollavet qëndron përpara syresh. Atë çast vajza Emilia V. Marko mbajti një fjalë të shkurtër në gjuhn frëngjisht dhe u jep zonjës dhe zotit Pittard nga një buqetë lulesh, së cilës z. Pittard i përgjigjet dyke e përgëzuar e dyke thënë se, shpresa e Atdheut t’uaj është nër ju e të mësoji dhe të harriji për lartësimin e Atdheut t’uaj… »
Ky libër jep një pamje të qartë të vlerësimit që shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, i bënin profesor Eugene Pittard si një mbrojtës i palodhur i kombit të ri shqiptar, nëpërmjet studimeve të tij mbi kulturën, zakonet dhe traditat shqiptare, si dhe përmes shkrimeve të tij në gazetat zvicerane, dhe misioneve zyrtare që ai ndërmori në emër të qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar në organizatat ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Lidhjes së Kombeve.
Në të njëjtën kohë, nëpërmjet fakteve të paraqitura me kujdes, këmbëngulje dhe frymëzim nga autori i këtij libri, si lexues, zbulojmë me kënaqësi etjen e hershme të shqiptarëve për dije dhe zhvillim, mendjen e tyre të hapur ndaj vendeve dhe kulturave të tjera si ajo e vendit të Eugene Pittard, bashkimin e tyre pa dallim feje apo ngjyrash politike kur bëhej fjalë për mbrojtjen e çështjes kombëtare, mikpritjen e tyre si dhe veprimtarinë në të mirë të çështjes kombëtare të intelektualëve shqiptarë të asaj kohe.
Leximi i këtij kapitulli është një udhëtim i mbushur me kuriozitet, shpeshherë i mbushur me keqardhje për gjendjen ekonomike të Shqipërisë, por më tepër i mbushur me krenari falë shqiptarëve të asaj kohe, me ngrohtësi dhe bukuri shumëngjyrëshe falë mikpritjes, entuziazmit dhe besimit të tyre tek e ardhmja. Të gjitha këto pasqyrohen në shtypin e kohës dhe janë paraqitur me mjeshtëri nga autori i librit.
“Ne zviceranët, – shkruante Pittard, – mund të jemi vetëm admirues të shqiptarëve. Shqipëria është Zvicra e Lindjes. Nga aspekti fizik, nga jeta baritore e banorëve të saj, nga thjeshtësia dhe ndershmëria e tyre, nga trimëria dhe kujdesi për fjalën e dhënë, Shqipëria është shumë pranë nesh…”