Albert Z. ZHOLI-Flet Prof. Zija Vukaj: Rruga plot lavdi e Festivalit të Këngës për Fëmijë në Shkodër


Flet Prof. Zija Vukaj: Rruga plot lavdi e Festivalit të Këngës për Fëmijë në Shkodër

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Festivali i Këngës për Fëmijë që zhvillohet për dekada të tëra në Shkodër qytetin e dijes dhe kulturës. Ky Festival me jetëgjatësi të madhe ka tërhequr vëmendjen e shumë kritikëve të artit. Prej këtij Festivali kanë dalë shumë prej këngëtarëve që sot janë me emër Brenda dhe ajshtë atdheut. Ja si shprehet Prof Zija Vukaj për këtë Festival….

Festivali i këngës për fëmijë në Shkodër një histori suksesi. Madje ky Festival e dallon Shkodrën nga qytetet e tjerë në atdhe, pasi për dekada të tëra ka zhvilluar me sukses një Festival që mbart një histori specifike.

Historia e lindjes së festivalit të këngës për fëmijë në qytetin e Shkodrës nuk është rastësi. Zanafilla e këngës për fëmijë është e hershme. Në larminë e këngëve që lindën në Shkodër edhe ajo e fëmijëve kishte vendin dhe peshën e vet. Që në vitin 1911 në botimin folklorik të titulluar “Kangë popullore gegnishte” kemi të dokumentuara 35 këngë për fëmijë që u përfshinë në ciklin “Vjersha fëmijsh e lonjash”. Përpjekjet serioze në lëvrimin e këngës për fëmijë filluan në periudhën e viteve 1920- 1924 me kompozimin e mjaft këngëve të reja nga Martin Gjoka dhe nxënësi i tij Prenkë Jakova. Fëmijët e kohës, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Ramadan Sokoli etj., ishin pjesëtarë të formacioneve muzikore të asaj kohe, si fanfara, formacione orkestrale dhe kore. Në vitin 1953 Tonin Harapi do të shkruante për fëmijë veprimet muzikore “Kufitarët”, “Mësimi i pyllit” dhe “Djaloshi guximtar dhe e bukura e dheut” (1955) me libret të Lec Fishtës dhe regji të Andrea Skanjetit.

Në Shkodër në vitin 1962 për herë të parë në Shqipëri kompozitorët ftoheshin të ballafaqonin krijimtarinë e tyre në një event konkurues të këngës. Me gjithë izolimin, artistët dhe artdashësit kishin marrë vesh se në anën tjetër të Adriatikut, në një qytet të vogël kishte lindur një festival i madh, ai i San Remos. Muzikë e ndaluar, por mjaft e ndjekur nga shkodranët. Festivali lokal i këngës së lehtë u zhvillua më 6, 7 dhe 9 nëntor 1962. Në dhjetor të atij viti me nismën e Prenkë Jakovës u zhvillua në Tiranë Festivali i Parë Kombëtar i këngës në Radiotelevizion.

Më 10- 11 maj të vitit 1963 forcat krijuese të qytetit të Shkodrës organizuan festivalin lokal të këngës për pionierë. Që atëherë Shkodra do të bëhej qyteti i Festivalit, ku do të ballafaqoheshin përvojat krijuese dhe interpretuese të këngës për fëmijë

A ka ndonjë motiv. Apo ndonjë direktivë partie të asaj kohe që domosdoshmërisht të organizohej ky Festival në Shkodër, apo thjesht ishte dëshira e organizatorëve, që lidhej me kulturën e qytetit?

– Festivali nuk u vendos nga lart. Ishte në logjikën e gjërave që klima e begatë, e tejngopur me kulturë të hershme e të vonë muzikore të arrinte në konkretizimin e një klimaksi të tillë artistik ose të institucionalizohej një realitet artistik që ekzistonte prej rreth një shekulli. Ishte iniciativa e Tonin Daisë dhe kujdesi i veçantë i Prenkë Jakovës, të cilët u morën edhe me detajet e përgatitjes së tij. Në dy netët e para të festivalit u interpretuan 18 këngë nga 40 të paraqitura. Çmimi i parë i festivalit iu dha këngës “Dy letra”, të Gjon Kapedanit. Ky ishte fillimi. Një vit më pas Tirana do të organizonte festivalin e saj, por Shkodra do të bëhej mikpritësja e krijuesve dhe interpretuesve në nivel kombëtar.

Një festival që ka nxjerrë talente që më vonë u bënë këngëtarë me përmasa kombëtare cilët prej tyre do të veçonit?

Nga arena e këtij festivali zuri fill rrugëtimi i këngëtarëve të tillë si Inva Mula, e cila shprehet: “Në qoftëse kam sot një karrierë artistike, nuk do ta ndaja asnjëherë nga periudha e festivaleve të këngës për fëmijë në Shkodër, ku kam hedhur hapat e para si artiste dhe kam përjetuar emocionet e para shumë të veçanta.” Ndër emra të tjerë të spikatur që e nisën udhëtimin artistik mund të përmendim pa kronologji, Justina Alija, Nikoleta Shoshi, Zeliha Sina, Ardit Gjebrea, David Tukiçi, Yllka Mujo, Beatriçe Balliçi, Parashqevi Simaku, Jonida Maliqi, Rosela Gjylbegu, Gledis Dume, Ketlin Pjalmi, Niki Mjeda etj.

Nëse kalojmë në kohë, si vijnë kujtimet tuaja për Festivalin e parë apo ato Festivale që ju kujtohen? Si janë përcjellë dhe si e priste Shkodra këtë event?

Ditët e festivalit ishin ditët e një gjallërie të jetës kulturore e shpirtërore të qytetit me traditat më të spikatura të një kulture muzikore. Krijohej një atmosferë e veçantë jo vetëm në ambjentet e zhvillimit të eventit, por edhe në mbarë qytetin. Ditët e festivaleve ishin të mbushura edhe me diskutime të preferencave për këngët dhe interpretuesit. Publiku që i ndiqte ishte shumë artdashës dhe vazhdon të jetë akoma i tillë. Kur festivali u zyrtarizua si event në vitin 1966 dhe kur pjesëmarrja në të ishte mbarëkombëtare, vihej në pah edhe mikpritja tradicionale e qytetit të Shkodrës ndaj pjesëmarrësve dhe familjarëve të fëmijëve të rretheve. Këto përjetoheshin edhe si ditë feste dhe takimesh që mbeteshin të pashlyera.

Thuhet që në monizëm kërkesa e llogarisë për teskstet e këngëve ishte rigoroze. Duhej nivel i poezive. A kishte ndonjë direktivë partie që patjetër në këtë Festival t’i këndoje partisë apo Enver Hoxhës?

Natyrisht që asnjë prej arteve nuk mund t’i shpëtonte politizimit. Regjimi donte të shfrytëzonte çdo kanal komunikimi, qoftë edhe tekstin e një kënge për fëmijë që të emetonte ideologjinë e vet. Kjo kishte krijuar me kohë censurën apo një lloj policie estetike zhdanoviste. Censura dora- dorës kishte krijuar autocensurën. Kjo kishte bërë që autorët e teksteve të mos shkelnin në dërrasën e kalbur të injorimit të frymës së kohës. Kishte klishe dhe parafabrikate sintagmatike që futeshin vrazhdë në mes të një strofe të bukur, si fjala vjen, partikooperativëxhaxhi Enver, duke u vendosur edhe si tituj këngësh, si “Në krahët e partisë”, “Lulet e partisë” etj. Pra nuk ishte e mundur t’i shpëtohej politizimit, me përjashtim të rasteve kur tekstet e këngëve ishin fabula me personazhe zoomorfe apo fitomorfe, si bubrreca, gruri, lulja etj.

– Cilët nga poetët janë dalluar në këtë Festival?

Nga poetët dhe autorët e teksteve mund të veçojmë emra të tillë si Robert Prennushi, Lajde Staku, Fadil Kraja, Toni Papuçiu, Alfred Çapaliku, Xhahid Bushati, Gaqo Bushaka, Paulin Shtjefni, Tasim Gjokutaj, Zhaneta Lazri, Adelina Mamaqi, Odise Grillo, Jorgo Papingji, Sandër Gera,  Zhuljana Jorganxhi, Adil Zeka, Agim Doçi etj.

– A ka ardhur ndonjë nga udhëheqësit e sistemit monist në këtë Festival?

Prania e autoriteteve të sistemit monist dhe lançimi i këtij eventi në fillimet e veta kanë qenë të zbehta, aq sa periodiku zyrtar i kohës i kushtonte pak rreshta kësaj ngjarjeje artistike. E vetmja gazetë që përcolli evenimentin ishte “Pionieri” e datës 22 maj 1963. Por në vazhdimin e rrugëtimit të festivalit vëmendja e autoriteteve të sistemit, sidomos në nivel vendor është rritur dhe prania e tyre ka qenë evidente edhe pa ardhur fizikisht. Kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit e sistemit ishin të zhveshur nga ndjenjat estetike dhe prania e tyre ishte thjesht ushtrim tutele. Kemi njohur syresh që e kanë dashur dhe përkrahur çdo lëvizje artistike të qytetit. Fakti që disa kanë qenë pjesë e administratave moniste, nuk përjashton afeksionin për qytetin e tyre të lindjes, pasi ky afeksion nuk është monopol vetëm i disave. Pra sot është i tejkaluar tundimi t’i ndajmë njerëzit në “ne dhe ata”.

-Nëse bëjmë një krahasim me sistemin e kaluar dhe me sot, ka diferenca në nivelin artistik?

Sipas njohësve dhe interpretuesve të fushës, në edicionet e festivaleve deri në vitet ’90 kënga për fëmijë vuajti nga disa gjëra. Larmia e tematikave shpesh i kalonte caqet e moshës. Kënga u përdor si mjet për formimin ideologjik të fëmijëve. Shpesh krijoheshin këngë himne ose me tonalitete marciale. U ruajt karakteri masiv i interpretimit. Dëshira për krijimin e formacioneve të mëdha vokale, krijoi shpesh interpretime të paarrira.

Festivalet e viteve të fundit patën ngritje cilësore. Lindën këngë me tekste dhe muzikë të një autori apo edhe interpretimi i tyre nga këngëtarët krijues, kënga me play bag e deri te kënga live e shoqëruar me orkestër. U rrit hapësira skenike me dekore të përmasave të mëdha. Festivalet u zhvilluan në skena të mëdha e të hapura me shumë pjesëmarrës.

Këtu dua të dal pak nga konturet e pyetjes, duke shfrytëzuar rastin të përmend me nderim e respekt të ndjerin Kujtim Alia, mikun e madh të të gjithë qytetarëve të Shkodrës e më gjerë, emrin e të cilit mban sot kjo qendër kulturore. Në sajë të një përkushtimi, profesionalizmi dhe idealizmi të këtij individi të talentuar dhe vizionar u bë e mundur që kënga për fëmijë jo vetëm të vazhdonte të demonstrohej me dinjitetin që krijuan të parët e mëdhenj të muzikës shkodrane e shqiptare, të cilët i përmendëm më lart, por edhe të zhvillohej, në nivele të larta estetike konform kohëve të reja. Nga duart e tij mjeshtërore dhe të fisme dolën talente, që rrugëtuan gjer në sferat e epërme të artit të këngës. Ai ishte edhe drejtues i qendrës kulturore të fëmijëve në Shkodër dhe organizator për shume vite i “Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve” si dhe festivalit “Bilbilat e Vegjël të Shkodrës Këndojnë”. Kujtimi drejtoi edhe Orkestrën Frymore të Qytetit të Shkodrës me të cilën organizoi shumë evente si: “Ndërmendja” dhe fitoi shumë çmime në konkurse Kombëtare e Ndërkombëtare.

-Sot a kujdeset shteti për këtë Festival?

Realizimi i festivalit sot arrihet nga projektet e Ministrisë së Kulturës e të Ministrisë së Arsimit, por peshën më të madhe e ka Bashkia e Shkodrës. Tani që pjesëmarrja është shumë e gjerë, sepse përfshin të gjitha trojet shqiptare, edhe volumi i punës dhe i investimit është më i madh.

-Cilat janë problemet e këtij Festivali sot?

Duke pasur parasysh kushtet e reja të realizimit të një aktiviteti kaq të madh e me rëndësi kombëtare është e kuptueshme edhe domosdoshmëria e paraqitjes dinjitoze të çdo etape të realizimit të këtij eventi. Kjo ka krijuar vështirësi që në akomodimin e pjesëmarrësve, sigurimin e infrastrukturës përkatëse dhe kostot e çmimeve dhe honorareve të ndryshme. Këto çështje deri tani janë zgjidhur jo vetëm me investimet e pushtetit, që duhet pranuar se kanë qenë të pamjaftueshme, por edhe me ndihmën e donacioneve të ndryshme.

About Post Author