Në kuadër të muajit “Qershori i Çamërisë”, po ju sjell një ngjarje të jetuar vite më parë në Greqi. Të pa harruar Martirët e Çamërisë heroike!
***
Çami nga filati dhe amaneti i nusë (nënës)
Nga Albert Z. Zholi
Ditë qershori! Athina përvëlonte. Dukej se po mirrte zjarr. Nxitonim të futeshim në ndonjë lokal për tu freskuar me ndonjë pije freskuese. Si gurisht me aq sa na mbante xhepi si emigrant. Bashkë me një mikun tim, mësues letërsie dikur në atdhe, hymë në një lokal të vogël, në rrugën “Zinono”, Athinë dhe porositëm nga një birrë. Kamarieri ishte një mesoburrë i shkurtër e i shkathët. Ne akoma nuk kishin këmbyer dy fjalë, ai u gjend me dy birrat që i mbante majë gishtave të dorës së majtë, në një tabaka, në dukje argjendi. Biseda jonë sillej ndaj zhvillimeve në Atdhe. Diskutonim me zjarr sikur të ishim në qendër të Tiranës dhe jo të Athinës.
-Shqiptarë jeni zotërinj?- foli kamarieri duke na përshëndetur me kokë.
-Po, po juve, mos jeni nga Gjirokastra?- ja ktheu iku im.
Ai qeshi, na pa në sy me dashamirësi dhe na tha se ishte shqiptar, por jo nga Gjirokastra.
-Nga dialekti dukeni si gjirokastrit, -ia ktheu sërish miku im.
Por unë s’kam qenë asnjëherë në Shqipëri,-sqaroi kamerieri.
– Si s’keni qenë në Shqipëri?- pyeta unë. Dhe dini kaq bukur shqip?!
– Jam çam nga Filati,- shpjegoi përsëri kamarieri dhe vazhdoi punën. Ndërsa kamarieri vajti tek një klient i porsaardhur, ne mbetëm disi të shushatur.
– Epo të ka faj çami?! Është më shqiptar se shqiptarët –foli si me shaka miku im dhe e gjysmoi birrën me një frymë. Dhe sa bukur e fliste.
– I rritur dhe i lindur këtej dhe e flet shqipen më mirë se disa emigrantë që më shpejt kanë harruar shqipen se kanë mësuar greqishten- fola unë me mikun e tavolinës.
Në këtë kohë ia mbërriti sërish kamerieri.
-Nuk dua t’ju lë vetëm, por puna…Dua të flas sepse kënaqem kur flas me gjuhën e nënës.
-Si ka ndodhur që nuk e keni harruar shqipen?- e pyeti sërish miku im. Lindur dhe rritur në Greqi….Kur sot…
-Ndonjë i ikur nga Shqipëria mund ta harrojë, kurse ne e kemi folur brez pas brezi. Atë që do shumë nuk e harron – dhe ai përsëri qeshi miqësisht.
– Kini vite këtu tek kjo punë?- pyeti miku im sa për të vazhduar bisedën.
– Kam katër vjet. Më parë kam qenë në kurbet. Në Amerikë, në Gjermani…edhe andej shqipen nuk e harruam, se do bëheshim harram.
– Pse thua “ nuk e harruam”?-fola unë.
– Se nuk kam qenë vetëm. Isha në punë me një kosovar në Mynih. Ai kosovari mbante ca libra në shqip dhe lexoja edhe unë bashkë me të. Pastaj gjuhën kam amanetin më të madh nga Nuja (nëna në dialektin çam). Para se të shkonte në përjetësi më la amanet: Mos harro gluhën (gjuhën) tonë të bukur. – dhe lotoi. Ne shtangëm. Nuk gjenim fjalët që ti përgjigjeshim. Edhe miku im lotoi… Çami e “goditi” me këto fjalë mikun tim aty ku i sëmbonte zemra, te gjuha që ua mësoi tërë jetën qindra nxënësve. Ua mësoi dhe tani pa profesionin e bukur bridhte rrugëve të Athinës për një copë bukë. Shteti e la në harresë. Si dhe gjuhën…
-Dua të flas shumë, se ja, tani që erdhët ju na doli drita të flasim shqip. Por tani kam punë…. “Gjuha jonë sa e mirë / sa e ëmbël, sa e dlirë.” -recitoi duke ikur vargjet e Naimit dhe fluturoi tek një klient i porsaardhur.
-Për disa minuta mes nesh ra heshtje. Shikonim njeri-tjetrin dhe nuk flsinim. Çami nga Filati na la të shtangur. Më patriot se mijëra të vetashtuquajtur “Vorioepiriot”” të viteve të fundit.
-Do thuash gjë?- më pyeti miku.
Jo- i thashë. Çami na dha një mësim të madh.
-Ti një artikull shkrove për Çamërinë ne Greqi dhe tu sulën “Stohos” me kompani, po ky qerrata si ka mbijetuar me gjuhën e zotit për 50 vjet?! Fol Berti! Unë ngrita supet.
-Po të mos ishin shqiptar si ky, shqipja do kishte kohë që do kishte humbur- i thashë.
Duke marrë vargjet e Naimit me vete, dolëm nga lokali të mrekulluar. Nga një çam i thjeshtë morëm një mësim të madh! Një mësim që duhet të jetë postulat për çdo emigrant! ATHINE QERSHOR 1996.
