Alma Sinan Feruni:Ditar qiellor-Anit


Ditar qiellor-Anit

Alma Sinan Feruni

Anita Bitri, ose një ditar qiellor. Na fale këngën, po të dhurojmë ëndrrën…Një ëndërr të bardhë

Si një lamtumirë e përjetshme, si një kometë e përflakur. Zjarrminë e ndjente t’i rrëshqiste dejesh.

Një llavë e nxehtë gati i merrte frymën.

Perëndime të përflakura dielli të bëra bashkë. Vezullim i rubintë i gjakut. Kurorëzim i spektaklit. Lojë midis mistikes dhe legjendës…

Dhe akti sublim që niste me mallin, gllabërimin dhe pushtimin e ndjenjës…

Kode të shenjta fatesh. Dhe të dritës për jetë a vdekje.

Nuk po kuptonte se ku ndodhej. Dritat e forta të prozhektorëve po e verbonin. A mos një dritë nga ëndërra e largët po vinte drejt saj si një lamtumirë e përjetshme?

Kishte mall sa shumë mall për Vlorën e saj legjendë. Petale lulesh në sallë. Të trëndafiltë si kurmi i saj dhe duartrokitjet valë, dallgë nga shpirti i saj. Kjo mbrëmje kishte një magji që nuk mund ta përshkruante kurrë.

Po çfarë po ndodhte me të?

Po zhytej në detin e kujtesës njerëzore dhe nuk po dinte më si të dilte. Një vajzë e brishtë me emrin Vlora e përshëndeste pa zë. Veç mijëra duartrokitje si një simfoni e pambarimtë. Ëndrra e saj e prekur e realizuar dhe buzëqeshja e ylbertë dhe yjet rrinë rreth saj e thurnin këngën. Motiv jeta… Kompozim, telat violinë mbi shpirtin, trazim.

-Po pse e ka marr kaq shumë malli për Vlorën? Po e mbyt nostalgjia…Nuk kishte shumë që ishte kthyer nga mëmëdheu. E kishte prekur dashamirësia e njerëzve që e prisnin të mallëngjyer dhe kishin kaq mall t’i ndienin zërin të buçiste në sofrën shqiptare.

Po. U duk se një çast ndaloi.

-Të përkas ty, Vlora ime… do kthehem tek ty. Ta ndiej mungesën. Ta dua aromën tënde, parfumin e jargavantë, e ndiej ndër pore shkëlqimin e ditëve të tua. Dhe perëndimin e diellit kur fshihet mbas gjirit Karaburun e Sazan; aroma e limonit, e portokallit shpërndan magjinë mbi detin Jonian. Ja dhe ullinjtë shekullorë, pritësit e përjetshëm të shpirtrave njerëzore në udhëtimin e përjetshëm. Eh, Sazan madhështor ku dremitin valët ndër shkëmbinjtë shekullorë…

Po ç`është ky tingull?

Një tel violinë. Paganini në skenë me telin e vetëm vazhdon simfoninë. Promete i zjarrit shpirtëror që përcillte magjinë. Perëndi e ardhur nga Olimpi i largët, qenie e perëndishme, si shëmbëllimi i afrimit të tokësores me hyjnoren, magjistar.

I kujtohet papritur se drita e fortë e prozhektorëve e ka rrethuar të tërën si një aureolë gjigante. Koha ka heshtur. Dëgjohet veç trokëllima e fortë e shpirtit të saj që do të çaj tejpërtej qiellin, të kaloj oqeanet e të prehet veç pak në gji të tokës mëmë…

Por ah është larg, sa larg. Kjo kohë vërtet ka krisur por ajo nuk mund të ndalet; është në piedestal të këngës dhe duartrokitjet në sallë e prekin dhe e emocionojnë kaq shumë, sa ndihet në qiell. Veç zëri i saj atje dhe përjetësia. Dhe orkestra e vërtetë, valët dhe tingujt hyjnorë. Ishte rritur me këngët e magjishme të Meliha Dodës, të Kleopatra Skarços, të Reshat Osmanit, mes motiveve të magjisë Joniane. Dhe kishte prekur skenën dhe kishte falënderuar Zotin gjithë mirënjohje, zemërdredhur. E kishte falënderuar me gjithë forcën e shpirtit dhe ishte ndier krenare dhe kaq e lumtur. Nuk e kishte kuptuar kurrë se si nuk i kishte pushuar zemra nga emocionet e shumta që i kishte dhuruar publiku… dhe vazhdonte t’i dhuronte akoma vitesh. U ishte mirënjohëse përjetësisht. I kujtohej çdo gjë. Përfytyrimesh prekte vet ëndrrën.

Kishte rënë borë dikur. Në Vlorën e saj bregdetare dhe vlonjatët gëzoheshin si fëmijë e loznin, e qeshnin, e harroheshin, e bëheshin një të vetëm, fëmijë e moshatarë. Dhe engjëlli i saj u pagëzua Sibora, e dëlirë si dëbora e bardhë. Dhe ajo tani në skenë ishte shndërruar në petal bore dhe po fillonte të merrte përmasat e një orteku gjigant. Ishte ajo dhe gjithësia dhe tingujt hyjnorë. Ajo i përkiste dritë jetës dhe shpirtin kishte dhuruar për këngën…I kujtohej si nëpër ëndërr se kur shoqet e saj bashkëmoshatare luanin me kukulla, ajo ledhatonte violinën, të vetmen dashuri. Ishte dashuruar me të, me tingujt e saj magjik dhe çudibërës. Ishte dashuruar me jetën dhe ndiente se i përkiste publikut. Shpirti i saj tashmë ishte ulur në çdo vatër, në çdo buzëqeshje që rrezatonte gëzim…Zoti që krijoj botën ëndërrimtare i përhershëm në koncertet e saj dhe ajo ndihej e lumtur…Tingujt dhe harmonia shpirtërore ishin ndërthurur pazgjidhmërisht nën një yjësi shumëndritëshe ku nuk kishte dimension tjetër ku të zbërthehej pengu i jetës së saj për qiellin e vendlindjes dhe mallin për Vlorën.

Nostalgji… kishte për të shtrenjtën Shqipëri. Nën tingujt melodiozë, në këngë dëshirat, ndjenjat, bota e brendshme shpirtërore përcjellë me anë të tingujve të mrekullueshëm dhe ndjenjës përmallim…

– Të bukurën rini që kalova aty, Shqipëria ime. kujtimet te vendi im dhe publikun e adhuruar, sa mall, nostalgji. Psherëtin vet koha. Dhe ajo vazhdon këngën. Dritat qiellore ndriçojnë profilin e saj. Plot hir dhe bukuri, si e derdhur në bronz si skulpturat e lashta antike. Kishte hedhur aty vështrimin dhe Homeri i verbër dhe e adhuronte këtë zë hyjnor. Ah sa do të donte që vargjet e tij të ktheheshin prelude të një simfonie ku të deheshin ëndërrimtarët dhe të dashuroheshin pafundësisht, me jetën, me artin që dinte sa mirë të shpërndante magjinë.

-Unë e di se një ditë tek ju do të vij. Mirënjohje për ju, miqtë e mi, si zog shtegëtar do të vi tek ju, do ulem e do puth tokën e shenjtë amtare.

“Dashuria e parë”, – sepse i kujtohej motivi i kësaj kënge. Publiku po e duartrokiste dhe ajo përkulet respektesh.

-“Mos u nxito, mos u gabo”, – një tjetër këngë e dashur për të.

– S’ka formulë në dashuri.- po e shoqëronin tingujt qiellorë dhe ndihej kaq mirë. Po fluturonte shpresash.

Amerikë…Ç`do gjë është e mundur.

Album i radhës me titullin “Gjithnjë mes jush”- një titull profetik si një premtim, që do ta mbante kurdoherë. Ja kishte borxh publikut që e pat dashur dhe duartrokitur gjithmonë. Si premtimi i legjendës së Kostandinit dhe Doruntinës…do të mbahej premtimi. I përkiste publikut shqiptar dhe i ishte përjetësisht mirënjohëse.

Kjo jetë…Etalon i këngës, lindur në një ditë të ftohtë dimri dhe u kthye ortek malli për vendlindjen dhe nostalgjinë që i kish grumbulluar shpirti kaq rrëke loti që asnjë oqean a pafundësi ujore, nuk mundej ta ngushëllonte dot. Misioni dhe shenjtërimi i Nënë Terezës ishin si një profeci, një profeci mistike, pa kthim përgjigjesh për pyetjet ngelur pezull. Dhe qielli ishte kaq i paqtë, kaq i pafajshëm, sa kotej në përgjumjen e dritë- shpresës. Dhe ja në këtë mbrëmje të nëntëmbëdhjetë tetorit ajo po përhumbte mes duartrokitjeve dhe pak, dhe pak po drejtohej nga spektatori që po e duartrokiste nxehtësisht.

Dhe sa lule të grumbulluara. Ishte një qiell plot me yje por që humbi befasisht shkëlqimin dhe u mbulua tërësisht me lule, me bukuritë e gjithë botës. Aty në skenë, petale trëndafilash, jargavanë, karafila e tulipanë, dhe zambak të bardhë. Ja dhe krizantema. Lule lloj-lloj sikur i bënin zili vet yjeve qiellorë. Ishte në dilemë. Të bënte dhe një hap e të shkonte përjetësisht drejt publikut apo të drejtohej nga ajo dritë e bardhë qiellore ku po e thërrisnin të ngazëllyera e bija dhe e ëma?

E kishte bërë zgjedhjen. Publikut i kishte borxh këngën, e jetës ti falte ëndrrën.

Do të donte, të vazhdonte të këndonte pambarim. Por fati ishte shkruar. Tani do të jetonte për atë që donte më shumë se jetën e saj. Të jetonte tani në skajin qiellor me engjëllin e saj, Siborën. Dhe e ëma që po e shoqëronte në heshtje…

Dhe perde lotësh ranë pambarim. Dhe brengë e fshehur në skutë të shpirt trishtim.

Mbajti frymën të mos klithte nga kjo dritë që po i verbonte çastin, në skenën ku kishte prekur magjinë…

Shelgje lotues dhe nimfa përrallore ju shfaqën para sysh.

Statuja të bardha, mozaik ngjyrëdeti, qiej të rubintë, vezullim.

Dhe ah…! Rubin i mrekullueshëm në formë loti, nën dritën e qirinjtë, vegim…shkëput pafajësinë.

-Eh, miq të mirë, – psherëtiu. – Ju dhurova shpirtin, këngën, rininë time, po jetën time po ja dhuroj ëndrrës së bardhë. Po bashkohem me pafundësinë qiellore, me dritën e gëzimit tim, që është bekimi i dritës mbi botë për mua…

Shkëlqim verbues hapësirë përtej. Vezullim i përgjakur ky qiell i kuq.

Diej të grumbulluar brenda vetes. Si një lamtumirë e përtejbotës.

Zjarrminë e ndjente ti rrëshqiste dejesh.

Një llavë e nxehtë. Uragan…

Prindër, vëllezër, motra, miq, kolegë, artistë, kompozitorë, instrumentistë: Mos harroni, unë jam në çdo çast me ju në Përjetësinë e këngës, të tingujve magjik të saj!

-Sa pranë të ndjej Anit!

Diçka do të më thuash. Mos hesht por fol, unë të dëgjoj…Mos resht së kënduari, unë të dëgjoj. Mos i largo valët e detit, ata zhurmojnë dhe nota muzike bëhen….

-A i dëgjon????

Anit` e magjishme. Të mahnit me buzëqeshjen margaritar..

About Post Author