Amaneti i Kastriotit-Leonard Pipa


AMANETI I KASTRIOTIT

Amaneti i Skënderbeut,

Kalbet në malet e dheut!

Këtë tokë dikur të shenjtë,

Për një burrë paguajmë shtrenjtë!

Për një burrë a për një grua,

Lumenj gjaku japim hua!

Lumenj gjaku, gjak shqiptari,

Nga i fundit tek i pari!..

Heh moj balta jonë nazike,

Që na lodhe,që na fike…

Nën çatinë e zotit t’zotave,

S’u vë dorë këtyre tokave!

Që nga koha e Skënderbeut,

Presim një të dalë prej dheut!

Presim një ta pjellësh vetë,

Duam burra të vërtetë!

Se këta që ke dërguar,

Na kanë lidhur këmbë e duar,

Me zinxhirë të rëndë çeliku,

Sikur të ishim armiku!

Që nga kohë e Kastriotit,

Jemi veç në dorë të Zotit!

Ishim mbi njëqind milionë,

Mbetëm sa një Napolon!

Që të gjithë që ke dërguar,

Na kanë vjedhur,na kanë zbuar,

Që të gjithë të babzitur,

Na kanë vrarë, na kanë shitur!

Sa marrin shtetin në dorë,

Që të gjithë diktatorë!

Nga i pari tek i mbrapshmi,

Nga i vjetri tek i tashmi!

Pill një burrë a pill një grua,

Prapë nga balta e qëmotit,

Sharlatanë më nuk dua,

Asnjë si këta të sotmit!

Amaneti i Kastriotit,

Të mos kalbet, ndryshket motit,

Gjaku i derdhur i të parëve,

Për bashkimin e shqiptarëve!