Analizë letrare poezisë “rrëke lotësh” të Kumrie A. Shala-Nga Dr. Agon Halabaku


Analizë letrare poezisë “RRËKE LOTËSH” të Kumrie A. Shala

U çmalla mes luleve

e gjelbërimit,

bisedoja pa da me aromën

e tyre,

e zogjtë këndonin këngët më të bukura rreth jush.

Era e lehtë freskonte ballin

e djersitur

loti rridhte rrëke buzë pishës së madhe

që u bënte hije të gjithëve.

Fillova t’jua ledhatoj fytyrat tuaja, e ju ishit akull.

Përmes këngës së bilbilit

më flisnit,

soditnit ecjet, hapat e mi i numëronit kur puthja sa një gur varri, sa tjetrin.

Eh, asnjëri nuk flisnit me mua,

vetëm më shikonit si me habi,

bëheshit sikur nuk më njihnit.

U ula në një cung,

e strukur si zogu pa krah,

e ju rrinit të heshtur e nuk erdhët të më pyesnit çfarë kam.

U mërzita e sillesha vërdallë

si e marrë,

Ju me gojë nuk më flisnit.

Lotët rridhnin si gurra e kroit e i ujisnin lulet e Shëngjergjit rreth jush.

Juve nuk ju kish pas marrë malli për mua. Pse?!

Aty pranë jush nga Zoti im kërkova të vi tek ju,

që edhe unë të jem e qetë,

të rri si ju e heshtur pa folë asnjë fjalë të vetme.

Sot më mërzitët shumë,

se edhe kur u largova nga ju, nuk më përshëndetët asnjëri: as ti nënë,

as ju vëllezër e ju axhallarë, e as ti baba,

që ishe pika ime e dobët,

që atë ditë që ike m’i këpute të dy krahët.

Ishe forca ime,

ishe kuptimi i jetës sime.

Ti ishe ai i vetmi që të besova vërtetë.

Fjala jote ishte busullë e rrugës sime,

e tani të kam engjëll mbrojtës, o mbreti im! Pushoni të qetë!

O bre, sa më ka marrë malli t’ju shoh!…

Poezia “RRËKE LOTËSH” e K. A. Shala, reflekton dhe zbulon dhimbjen e shpirtit duke ndaluar kohën dhe duke e shfaqur atë si një moment të pafundëm të vetmisë dhe ndarjes.

Poezia, në fillim, është një “metafizikë çasti”, duke zbuluar dhimbjen dhe duke ndaluar kohën në një moment të trishtimit. Nëpërmjet ritmit dhe rimës, poetja shpalos dhimbjen dhe e shtrinë atë nëpërmjet tablos poetike, duke kapërcyer jetën dhe duke e jetuar në të njëjtën kohë dialektikën e gëzimeve dhe dhimbjeve.

Imazhet e poezisë, si lulet, zogjtë, dhe rrëkeja e lotëve, puthja e gurëve të varrit, përforcojnë përvojën e dhimbjes, ndarjes dhe i shtojnë dozën trishtimit.

Poetja përshkruan një atmosferë të mbyllur dhe të mohuar, ku personazhet përjetojnë mungesën e lidhjeve dhe bashkësisë, ku ajo kërkon të shkoj tek ata, të jetë e qetë,

të rri e heshtur pa folë asnjë fjalë të vetme.

Kjo kthehet në një eksperiencë të thellë për lexuesit, që bashkëndjejnë një dhimbje të thellë të empatisë për personazhet.

Në mënyrë të veçantë, poetja shfrytëzon tingujt për të prodhuar një çast të saj, duke shkatërruar vazhdimësinë e kohës për të ndërtuar një moment të komplikuar dhe të thellë. Kjo krijon një përvojë poetike që tërheq lexuesin dhe e bën atë të ndjehet pjesë e përvojës së poezisë.

Përmes analizës letrare, poezia “RRËKE LOTËSH” shfaqet si një ekspresion i fuqishëm i përjetimit të ndarjes dhe trishtimit, duke i dhënë lexuesit një përvojë të pasur emocionale dhe letrare.