Andej nga vi unë malet janë të zotave-Leonard Pipa


Andej nga vi unë malet janë të zotave,
Burrat si lisat i kanë kokat në mjegull,
Rrugët gjarpërojnë në kurris të kodrave,
Vesa si pikë loti kullon ndënë pjegull…

Ikin tutje vjeshtës zogjtë ngakuar rëndë,
Sa herë i shikoj mall për ty më mbyt,
Me dashuri njerzish, pyjesh hijerëndë,
Lotët shpejt më varen e ma zënë në fyt!

Humbën zogjtë humbën,humbën horizontit,
Unë mbeta këtu rrufe e pashkrepur,
Gjithmonë i jam lutur për të mira zotit,
Nuk ka më asgjë që nuk më ka gjetur!

Andej nga vi unë bie breshër, brymë,
Burrat s’janë prej mishi po janë prej stërralli,
Furtunat gjithherë i frikim me frymë,
Por për dashurinë shpesh na këput malli! 

Andej nga vi unë bie breshër, brymë,
Burrat s’janë prej mishi po janë prej stërralli,
Furtunat gjithherë i frikim me frymë,
Por për dashurinë shpesh na këput malli!