Andrew Faber-Përktheu: Ervina Toptani

Një ditë, një mik më tha:
“Sikur të mund të zhdukesha.”

E tha butë, pa inat, qetësisht,
me zërin e atij që s’ka më asnjë
justifikim për botën.

“Pse?”- e pyeta.

Ai ngriti pak sytë,
si dikush që është lodhur prej të folurit,
e m’u përgjigj:

“Sepse nuk mjafton të jesh i mirë.
Nuk mjafton të bësh gjithçka që të kanë mësuar.
Mos i bëj keq askujt.
Thuaj faleminderit.
Kërko ndjesë.
Mbaje derën hapur edhe për ata
që s’e mbajnë kurrë hapur për ty.
Ul kokën, puno, sakrifiko edhe ëndrrat.

Por jeta nuk e shpërblen mirësinë.
Nuk ka drejtësi në dhimbje.
Nuk ka logjikë, nuk ka përgjigje, as barazi.

Jeta të rrëzon përdhe edhe kur s’ke bërë asgjë.
Madje, pikërisht pse s’ke bërë asgjë.
Dhe aty s’ka medalje, s’ka shpjegim,
vetëm të nxira në trup që i numëron
me sytë mbyllur.

Atëherë, të vjen të zhdukesh,
pse e kupton se mirësia vetë,
nuk të mbron nga asgjë.”

Unë, mbeta…pa fjalë.
Kishte të drejtë.
Shumë të drejtë, miku im.

E di dhe unë që ka momente
kur jeta thyhet,
çahet në pika të padukshme.

Nuk ka rëndësi sa i fortë je, sa durim ke,
për të buzëqeshur sikur s’ka ndodhur gjë,
për t’u shtirur sikur gjithçka është në rregull.
Ndonjëherë, jeta të vret duke të lënë gjallë.

… u mendova, u mendova gjatë.

Kuptova që kur fati na sjell një çikëz lumturi,
sado e vogël, sado e çrregullt,
sado ndryshe nga ajo që kemi ëndërruar,
duhet ta trajtojmë si dhuratë të rrallë.

Sepse ndodh që një prind sëmuret,
që nga puna të flakin,
që siguria të rrëshket nga duart,
që gjithçka shkon keq pa qenë faj yt.

Jeta ngec.
Ngjan sikur dikush fik muzikën,
pikërisht kur ti, më në fund,
mësove të kërcesh.

Dhe kupton që askush s’të ka borxh asgjë.
Që lumturia nuk është e drejtë,
por është vetëm një çast që kalon,
dhe nëse nuk e kap, nuk e jeton,
humbet përgjithmonë.

Prandaj, kur ju vjen një çast i bukur,
një mbrëmje kur merr frymë më lehtë,
një zë që të thërret në mënyrën e duhur,
një dritare që hapet dhe të duket si shtëpi,
mos e shpërdoro.
Mos ik prej çastit nga frika se do të mbarojë.

Qëndro.
Qëndro sa të mundesh.
Deri në dritën e fundit.
Deri në pikën e fundit të paqes së shpirtit,
e pije me fund.

Nuk i thashë asgjë mikut tim,
iu afrova dhe e përqafova fort,
duke jetuar çastin…

Pastaj, butë, i pëshpërita:
“Nëse një ditë vendos të zhdukesh,
më lër të paktën një shënim.
Do të vij me ty”.

Sepse e di…
Askush nuk shpëton dot i vetëm.
Dhe secili nga ne,
kur është në errësirë,
ka nevojë veç për një njeri që t’i rrijë pranë,
pa kërkuar asgjë.

Veç të qëndrojë,
dhe të thotë:
Jam këtu,
tani.
Jemi bashkë.”

Andrew Faber
Përktheu: Ervina Toptani