Angela Kosta –
Chiara Mimini stilistja e ardhshme shqiptare dhe Qendra e Artit dhe Kulturës Kombëtare “Margarita Xhepa.”
Chiara Mimini ka lindur në 18 maj 1998 në Shqipëri. Ajo ka vetëm disa vite që jeton në Itali me prindërit dhe vëllain e saj, e megjithatë ia arriti fare mirë, të integrohet në shoqërinë italiane. Chiara studion në Istitutin e Arteve: “I.I.S. A. Castigliano” në Asti.
Para një muaji, pas një pune të lodhshme por me mjaft zell, ajo arriti të paraqesë në pasarelë krijimet e saj të modës. Stili i saj u pëlqye dhe u vlerësua jo vetëm nga komisioni por edhe nga të gjithë prezantuesit e ftuar në këtë event sfilate. Kjo u vu re nga duartrokitjet e shumta, teksa modelet sfilonin në pasarelë fustanet e Chiarës. Ajo e di fare mirë se ka akoma shumë hapa për të bërë, dhe arritja e ëndrrës drejt suksesit është rrugë jo e lehtë dhe mjaft e ndërlikuar, por vullneti e bën atë t’i japë krahë arritjes së këtij qëllimi. Chiara gjithashtu është pjesëmarrëse edhe në eventet që organizon Komuniteti Shqiptar, Qendra e Artit dhe Kulturës Kombëtare “Margarita Xhepa.” në Asti. Kjo Qendër ka midis të tjerash edhe shkollën në gjuhën shqipe “Udha e Shkronjave” ku deri tani janë regjistruar shumë fëmijë. Në Qendrën “Margarita Xhepa” funksionojnë gjithashtu edhe kurset në: recitim, kërcim, violinë, këngë, gjuhë të shenjave për ata të cilët nuk mund të flasin dhe nuk mund të dëgjojnë, instrumente tradicionale, pikturë, anglisht, etjer. Kjo Qendër organizon herë pas here veprimtari të ndryshme shoqërore – kulturore. I fundit që u zhvillua, solli në skenë muzikën dhe vallet shqiptare me veshjet tradicionale të trevave tona. Kjo ia shtoi akoma më shumë, bukurinë kësaj veprimtarie, zë jehone, që rrënjët dhe traditat tona përcillen edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Le të shpresojmë që Diaspora në mbarë botën të organizojë dhe të ketë sa më shumë veprimtari të tilla. Gjithashtu, i urojmë Chiarës shumë suksese në rrugën e saj të modës.