Angela Kosta –
Poetja e famshme amerikane Emily Dickinson
Nëse lexoj një libër që ma ngrin gjithë trupin, aq shumë sa që asnjë zjarr nuk mund të më ngrohë, e di që ajo është poezia. Nëse konkretisht ndjej sikur më është shkëputur maja e kokës, e di që ajo është poezia. Këto janë mënyrat e vetme që njoh. Nuk ka të tjera.

Emily Dickinson, lindi më 10 dhjetor 1830 dhe vdiq më 15 maj 1886. Edhe sot e kësaj dite ajo është ende një zë modern i poezisë amerikane. Teksa jetonte në izolim total, gjithmonë e mbyllur brenda katër mureve të dhomës së saj në Amherst, Emily Dickinson mundi të krijojnte një poezi plot jetë, natyrë, dashuri e mister. Emily Dickinson konsiderohet poetja më e rëndësishme amerikane e shekullit të XIX, falë fuqisë së madhe evokative të vargjeve të saj. Në fakt ajo gjithë ekzistencën e saj ia përkushtoi poezisë. Në moshën tridhjetë vjeç vendosi të izolohet nga bota dhe të jetojë në shtëpi, duke ekzaminuar brendësinë e shpirtit dhe ankthet e tij. Poezitë e saj zbulojnë një notë të shkujdesur, një himn për rininë dhe një notë më negative, të ngjyrosur me ndjenjën e vdekjes dhe errësirës.
ZEMRA ESHTE KRYEQYTETI I MENDJES
Mendja është një shtet i vetëm,
zemra dhe mendja së bashku
përbëjnë një kontinent të vetëm.
Popullsia është: një shumicë aq sa mjafton
ky komb mahnitës
kërkoje: je Ti!
TA SHOHËSH ËSHTË NJË PIKTURË
Ta shohësh është një pikturë
ta dëgjosh është muzikë
ta njohësh një mospërmbajtje
e pafajshme si qershori.
Të mos e njohësh një trishtim
ta kesh si shoqe një ngrohtësi
të afërt sikur dielli
të të shkëlqente në dorë.
NJË FJALË VDES KUR ËSHTË THËNË
Një fjalë vdes
kur është thënë
thotë dikush.
Unë them që pikërisht atë ditë
fillon të jetojë.
ËSHTË NJË KRIJESË KURIOZE E KALUARA
Është një krijesë kurioze e kaluara
dhe ta shikosh në fytyrë
mund të arrish në ekstazë
ose të dëshpërohesh.
Nëse dikush e takon i paarmatosur,
Shpejt, i bërtas, ik!
Ato municionet e saj të ndryshkura
ende mund të vrasin.
SHPRESA ËSHTË AJO GJË ME PENDË
“Shpresa” është ajo gjë me pendë
që vjen për të pushuar në shpirt.
Këndon melodi pa fjalë
dhe nuk ndalet kurrë.
Dhe e ndjen ëmbëlsisht në erë
dhe e ashpër duhet të jetë stuhia
e aftë të frikësojë zogun e vogël
që u ka dhënë ngrohtësi shumë vetave.
Unë e dëgjova në vendin më të ftohtë
dhe në dete alienësh.
Megjithatë kurrë, as në rraskapitje,
kërkova një thërrime prej meje.
Përgatiti dhe përktheu: Angela Kosta.
23 Korrik 2023