Angela Kosta: Rikthehet tek lexuesit me librin e saj të 13-të me poezi Maria Teresa Liuzzo


Angela Kosta: Rikthehet tek lexuesit me librin e saj të 13-të me poezi Maria Teresa Liuzzo.

Pas shumë publikimesh të romaneve dhe librave të ndryshëm me poezi, dhe pas trilogjisë së përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, Maria Teresa Liuzzo rikthehet mes lexuesve me penën e saj të fuqishme me librin e 13-të me poezi: “Në Vigjilje të Armëve dhe Fjalëve – Ëndërroj akoma në ty atë çka nuk vdes”.
Maria Teresa Liuzzo ka lindur në vitin 1956 në Saline Montebello dhe jeton në Rexho Kalabria, qyteti ku studioi dhe vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite. Ajo është: Pedagoge Universiteti, gazetare, kritike letrare, shkrimtare, poete, dramaturge, dhe Drejtoreshë e Revistës Ndërkombëtare të Artit dhe Kulturës “Muzat.” Maria Teresa Liuzzo ka filluar të botojë për herë të parë në vitin 1970.
Ja çfarë thotë Maria Teresa Liuzzo për librin e saj të ri me poezi:

Është e mrekullueshme ta kesh këtë libër në duar ende të freskët nga shtypi, të ngjosh parfumin e faqeve të këtij libri, të humbasësh në ngjyra e tij, të ndjesh rrahjet e zemrës dhe aromën e shpirtit tënd dhe të atyre që i janë përkushtuar realizimit të këtij libri:  Profesorët dhe studiuesit e mëdhenj: Wafaa Raouf dhe Mauro D’Castelli dhe, Profesor Antonio Catalfamo i Universitetit të Mesinës, studiuesi i Cesare Paveses, kritik letrar, si dhe eseist dhe poet i shkëlqyer. Një falënderim i veçantë i shkon djalit tim Davide Borruto të cilit i kam dedikuar librin, Zëvendësdrejtor dhe Kryeredaktor i Revistës Ndërkombëtare të Artit dhe Kulturës “Muzat”, i cili merret me shkrimet e mia duke sakrifikuar momentet e rralla të lira të profesionit të tij si avokat”.
Po sjellim këtu një pjesë të pasthënies së Wafaa El Beih, Profesore e Letërsisë Moderne dhe Bashkëkohore Italiane, Drejtore e Departamentit të Studimeve Italiane në Fakultetin e Letërsisë, Universiteti Helwan në Kajro, gjithashtu Profesore e Letërsisë Krahasuese në Universitetin ”La Sapienza” në Romë:

Përmbledhja poetike e Maria Teresa Liuzzos është, duke u nisur nga titulli, një vepër shumëdimensionale. Dimensioni i parë lind nga bashkëjetesa midis ëndrrës dhe realitetit. Në ëndërr, perceptohet një mundësi e re për të qenë në botë; mënyra egoike e të qenurit lë hapësirë ​​për ta lënë atë të ndodhë, për mundësinë e të jetuarit me vetëdijen e  thesit” të përjetshëm për të cilin është destinuar jeta. Fjalët e Liuzzos shtrihen drejt këtij lëshimi, të cilat mbeten, në mënyrë paradoksale, kaq të lidhura me realitetin, nga një dhimbje që i shpëton çdo armëpushimi. Dimensioni i pritjes, në të cilin poezia e Liuzzos duket e pezulluar, modifikon njësitë e ngurta të kohës dhe të hapësirës: koha bëhet fleksibël, elastike, siç na bëjnë të kuptojmë Orët e goditura të piktorit Dalì. TekLiuzzo, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të pranishme njëkohësisht, me të njëjtin dimension…

Sjellim gjithashtu një pjesë të recensionit nga studiuesi, kritiku letrar, eseisti, poeti dhe Profesori në Universitetin e Mesinës Antonio Catalfamo.

Duket fare qartë që Maria Teresa Liuzzo ka vuajtur shumë në jetën reale. Dashuria e saj mbeti e parealizuar, për shkak të moskuptimit që rrethon shpirtrat e zgjedhur dhe shumë të ndjeshëm, ndonjëherë edhe të “përdhunuar”, të përfolur. Por ajo vazhdoi të mbillte dashuri, pa u lodhur, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri sa të ketë frymën e fundit. Dashuria si një përvojë trupore dhe, në të njëjtën kohë, “shpirtërore”, dashuria si një përvojë kulturore, sepse poezia ka një funksion shumëfishues të realitetit, ajo i shërben për ta pasuruar atë me këndvështrime të reja, sikur të ishte një dhomë me mure tapetesh me pasqyra, të cilat e “deformojnë” realitetin, por në të njëjtën kohë e bëjnë atë prizmatik, duke propozuar një numër të pafund këndvështrimesh.

I urojmë Maria Teresa Liuzzo suksese në rrugën e krijimtarisë letrare.
Përgatiti Angela Kosta
13 korrik 2023