Angela Kosta shqipëron vargjet e poetit egjiptian Abbas Mahmoud Amer


Sot sjellim në Gazeta Destinacioni poetin egjyptian Abbas Mahmoud Amer.
Abbas Mahmoud Amer ka lindur në Warraq të Gizës (Republika Arabe e Egjiptit).
Amer është poet dhe shkrimtar i akredituar nga Sindikata e Unionit të Shkrimtarëve Egjiptian dhe Unioni i Përgjithshëm i Shkrimtarëve Arabë. Të gjitha veprat e tij poetike dhe letrare janë të botuara dhe të disponueshme në Bibliotekën Ndërkombëtare të Aleksandrisë, në Bibliotekën Kombëtare të Mbretit Fahd, në Mbretërinë e Arabisë Saudite si edhe në Bibliotekën Al – Babtain në shtetin e Kuvajtit.
Poeti Abbas Mahmoud Amer është përfshirë në: Fjalorin polak të poetëve ndërkombëtarë Slowo Pisana – Ewelina Malet në tetor 2023, në “Fjalorin Al – Babtain” të poetëve bashkëkohorë arabë në mbarë botën arabe, botuar në Kuvajt, në Enciklopedinë e Madhe të Poetëve Arabë të botuar në Marok. Amer është gjithashtu folës në radio dhe televizion.
Poezitë dhe veprat e tij letrare janë transmetuar në radio dhe kanale satelitore, dhe në kanalin Kunooz Arabiya, janë riprodhuar në video të përgatitura dhe të prezantuara nga personaliteti i madh mediatik, Xhihan Al – Awadi, dhe në kanalin Al – Nujoom, të përgatitura dhe të prezantuara nga personaliteti i madh mediatik algjerian, Amal Nour, të publikuara në rrjetet sociale. Amer ka marrë pjesë në shumë festivale poezie, konferenca kulturore dhe mbrëmje poetike ashtu sikurse në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Kajro. Disa nga poezitë e tij janë përkthyer në spanjisht dhe gjermanisht.
Veprat e tij poetike dhe letrare janë botuar në një numër të madh gazetash dhe revistash egjiptiane dhe arabe.
Amer është poeti i parë që botoi një poezi mbi rezultatin e kalendarit të ri Gregorian (Rezultati i Murit) për vitin 2005 si një ide e re e këtij lloji për herë të parë në Egjipt. Ideja vazhdoi të zbatohej për tre vite të njëpasnjëshme.
Abbas Mahmoud Amer ka botuar këto libra:
Dielli i Shpresës” përmbledhje me poezi, botuar nga Fondacioni Al – Fagala për Printime dhe Botime.

  • “Mendimi i mesditës” përmbledhje me poezi botuar nga Këshilli i Lartë i Arteve dhe Letërsisë dhe Ministria e Kulturës e Egjiptit.
  • “Zjarri dhe shtiza” (përmbledhje me poezi)
  • “Shkenca prozodike e muzikës së poezisë”, një studim mbi poezinë arabe, botuar në një libër të botuar në vitin 1987, e cila më parë ishte botuar në episode në revistën Saudite “Al – Majalla Al – Arabiya” në fillim të viteve ’80. Ky libër është botuar nga Qendra për Qytetërimin Arab.
  • “Çohu, Izo…” dramë poetike e botuar nga Qendra për Qytetërimin Arab.
  • “Amshir” përmbledhje me poezi e botuar në vitin ’94 nga Qendra për Qytetërimin Arab.
  • “Zjarr në hi” përmbledhje me poezi e botuar në vitin 2015 nga Autoritetet e Përgjithshme të Librit Egjiptian.
    Disa nga librat e tij u ribotuan në kopje elektronike për t’u ofruar për shitje në platformën e shitjeve elektronike.

NJË FALJE E BUTË

Një falje e butë
Dhe ti gëzohesh
Gjethe bukurie magjike
Në detin e shpresës
Buzëqeshje në ngjyrat e spektrit mbart
Çdo ngjyrë përcakton drejtimin e erës
Në detet e tua të valëzuara

Velën time shpalos
Prej bukurisë tënde
Me vrull më fryn era duke më verbuar
Ndaj anija ime lëkundet
Midis dashurisë dhe psherëtimës
Si xhin rikthehem
Por deti me dallgët
Komploton herë pas here.

Më pengojnë uraganët
Dallgët më thërrasin
Një vorbull më tërheq
Dhe një rrethrrotullim
Tej më zvarrit
Në fund të dëshirave
Gjarpërinjtë e dyshimeve më vëzhgojnë.

Duke parë në sytë e tu
Peshkaqenët dhe krokodilët
Ulërasin mendimet
Në egërsinë e lotëve
Zemra ime në copa shkatërrohet
Duke pritur frymën time të fundit
Shorewsin 
Dhe Heronin
Në kotësinë e netëve
Nga fiksimet e vizioneve
Zvarrë tërheq nga bishti
drerin në flakët përvëluese
Tunden degët e vjeshtës
Dhe bubullima e dimrit po afrohet
Ti ngrihesh
Dhe dridhesh.
Sa shumë më plagose
Skena e nisjes më lëndoi. 
Midis dy situatave jemi
Ti je e mërzitur ndaj ia mbath
Përpiqem në çdo Lindje dhe Perëndim
Në çdo errësirë dhe agim
Të mbledh gjethet e tua të bukura
Për të plotësuar fytyrën në pasqyrë
Nga kapërthimi i heshtjes rënkon
Hesht teksa në nostalgji vajtoj
Por ty nuk të intereson.
I vetëm jam… 
Falje të kërkoj tani.
Të kërkoj falje për mjegullën e natës
që Hënën mes nesh e fshehu
Edhe pse nuk ishte e plotë.
Largohem…
Në shi shëtis tani
Derisa kjo gjysmëhënë të përfundojë.

Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta Akademike, shkrimtare, poete, eseiste, kritike letrare, redaktore, promovuese, gazetare