Anila Rezhda-“24 orë nga jeta e një Femre me Atë…”


Anila Rezhda

  · 

“24 orë nga jeta e një Femre me Atë…”

Është një detyrë nate që duhet bërë…krehja e flokëve përpara se të flë.

Jam e lodhur, e dërmuar, e dëshpëruar, nuk kam fuqi, dita nuk më shkoi mirë…jo duhet bërë më thotë Ai!

I qulla, i mbështolla, i lashë të torturohen mes lagështirës në peshqir…Ai nuk më lë të flë me flokë të çrregullt!

Nuk më intereson si janë flokët, si jam unë sonte më preokupon…Ai më qorton se një femër që do veten nuk flë ashtu!

Luajti Era u kënaq me to, unë ç’faj kam?…Ai thuajse më detyron.

Nuk i pëlqen të vë kokën në jastëkun e bardhë me tantella me një tufë qimesh të bëra njësh…dhe ashtu gjysëm e ngordhur u ngrita që të krihem para pasqyrës.

Ai më detyroi, Ai që shkruajti për të Krehurën e saj në shtratin e rënkimit dikur…!!

Që atëherë, prej fjalës së Tij të artë, unë krihem ç’do natë përpara pasqyrës përpara se të filloj t’i tregoj përrallën e ditës jastëkut tim.

Është kaq e bukur të të detyrojë një mashkull me këshillën e Tij që të drejtosh flokët, t’ju shkundësh pluhurin që natën e qetë të mbështetësh faqen mbi to dhe agimi të të bëjë fotografinë e parë të ditës dhe të të përjetojë të bukur….

Nuk i mjafton të merret vetëm me flokët e mija, do që edhe të lexoj para se të shuaj diellin elektrik të dhomës.

Nuk kam fuqi, kam ankth për të nesërmen…Ai më thotë se dy rreshta poezi janë ilaç shpirti!

E morra librin, e hapa, në cilën faqe ka poezi për dashurinë?…Ai më shikon vëngër dhe qesh me preferencën time bazuar mbi bashkim trupash!! “Nuk shplodhet trupi me lodhjen”-më thotë. Ka poezi për qytetin, për nënën, për jetën, për shpresën që do pish në buzët e filxhanit të kafes sapo të hapësh sytë nesër.

Dhe, ngaqë e di që është kërkesa e Tij e përnatë, tashmë vë librin te koka e jastëkut, pastaj hedh tutje shapkat dhe shtrihem. Ndonëse më ka parë që jo rrallë libri më ka rënë në turi, Ai prap beson se kështu është më mirë, ndoshta zgjohem dhe vazhdoj leximin.

Pa Ty…me Ty…nuk kam kohë të mjaftueshme të zbras trurin…gjethe që bijen…Pranverë e pajetuar…Dimër që rënkon…varri…ikja e hijes…nëna…dyer të thyera…mbresa që çelin kur nuk duhet…dashuri që fshihet nën çarçaf…kur ajo kalon rrugës time…pendesa që vjen kur nuk ndreq dot asgjë…

Kështu i sajova titujt e poezive vetë se kuturu po lexoja.

Ai nuk u zëmërua që nxorra nga koka këto tituj poezish, përkundrazi qeshi.

Nuk i pëlqen të jem si majmun imitues cirku, të përsëris gjithçka të shkruar, më do të zhdërvjelltë në mendime, me fantazi…

Dhe ashtu e dërmuar nga një epokë që nuk arnon dot një qiell këtu e 10 vjet në krizë!! e qetë që Ai nuk u dëshpërua me mua, më zuri gjumi me libër të përthyer në faqen…Tani kërkoj unë posht’ e lart/ Një vend ku ty të të lëshoj /Një strofë, një notë a një brilant/ Ku të lë, të puth, të shkoj…

E nesërmja më gjeti me shumë njerëz diku. Të huaj nga mbarë bota.

Nuk ja kam ngenë asgjëje.

Mijëra konferenca për zgjidhje të problemeve kur rinia nuk do të mbjellë në tokë të vet as bukë që të ngopur urinë!!

Dreq o punë kjo!

Me interes të humbur fare, pija kafen si e babëzitur.

Kur…filluan të flasin për Atë!!

Si nuk m’u ndanë debatet për Të?!

Në shtrat, para pasqyrës, në punë, kudo…

Kthehem dhe i vë veshin debatit.

Dikush e adhuron, dikush e gjykon, dikush asnjanës fare, dikush thjesht flet që të flasë, dikush nxjerr një tufë idjotësirash nga goja, të huajtë e humbën toruan fare të zinjtë. Pasi kishin thënë mënçurira të gjithë, më erdhi rradha mua.

Ç’të thoshja unë? Që e Dua? Ajo dihej. Dhe përsërita thjesht që “E Dua”.

Qeshën që nuk dija të artikuloja një opinion për Të!

Po i imi është i Imi dhe kaq.

Unë fle me Të, mbështes kokën, i dëgjoj këshillat e dukshme dhe të padukshme, e respektoj, kam etje të marrë për Të.

Pyetet një femër e dashuruar ç’farë opinioni ke?

Debati zgjati gjatë rreth Tij sikur Ai kish lindur për të tjerët dhe sikur dikujt i kish borxh lindjen!!

Nuk e mbroja dot se isha për të nxjerrë bukë në atë tavolinë dhe kur do të hash dhe ke nevojë punën, liria e fjalës të lë shëndenë! I urituri nuk ka fuqi të flasë se i mblidhet stomaku!

U ngrita nga tavolina me nerva dhe ika për ta mbrojtur brënda meje…nga ku nuk ma marrin dot kurrë!

Atë ditë nuk ma ngriti njeri telefonin. Dhe kisha kaq nevojë të flisja me dikë, të thoshja dy fjalë të paktën!

Teksa ecja rrugëve të qytetit dhe thithja marrëzisht më tepër oksigjen se doja të mbushesha me erë çaj mali, e pashë që ishte ulur i vetmuar në një kafene me një revistë në dorë.

I qetë…ashtu duket Ai gjithmonë por bluan brënda vetes mal me vullkane.

Nuk është e lehtë në këtë jetë të bësh diçka që të pëlqen dhe bota të merret me Pse e bën këtë dhe Si nuk e bën siç duam ne? Nuk kanë fuqinë mendore as të të propozojnë si e duan!

Mendimi i parë ishte të shkoja ta përqafoja fort derisa të më shtynte nga bezdisja.

Mendimi i dytë ishte ta vëzhgoja.

Shikonte diçka që nuk e shikoja! Diçka të vetën për të cilën nuk është fajtor se ashtu lindi, diçka që ja adhurojnë por ja shajnë.

Sikur ndiqte një Hije njeriu që duhej të kish qënë nga më të rëndësishmit në jetën e Tij.

Dhe ashtu e bërë grusht, më ranë dhe u rrokullisën në kalldërëm syzet. I ndoqa t’i marr dhe padashje i bëra copë se i shkela me këmbë. Hajde ta dëgjoje tani Atë natën që Nuk do mund të lexoja!!

Morra të tatëpjetën të vete në shtëpinë time në “Hazmurat”, kur shoh që po vinte me ecje të qetë dhe të rëndë, sikur firmoste gurët e qytetit.

Majtaj djathtas fol e përshëndet mileti, Ai thosh diçka të ëmbël që reflektohej nga dielli i syzeve me xham të errët dhe shpërndahej.

Hapi portën dhe i foli Malit të gjërë nga shtëpija e Tij…

Atë natë po vonohesha të shtrihesha.

Nuk doja ta mërzisja me pakujdesinë time.

Laj e laj dhëmbët sikur ishin 102.

Krih e krih flokët sa koka më dha një therje.

Tendos e tendos çarçafin sikur ishte me pala korenti.

Dhe kur kuptova kotësinë e lëvizjeve të mija u shtriva si plumb dhe prisja…

Nuk më foli fare fare…

U gëzova…

Kisha nevojë për qetësi…

Shtypi një buton dhe dhoma e errët u pushtua nga tingujt e një kënge…teksti ish i Tij…

Këndoja, lotoja, këndoja…

Më puthi në ballë dhe fjeta më ëmbël se kurrë!!

Si mashkull i zgjuar që është e kuptoi se ato vargje dhe ajo melodi më kishin çuar në një udhëtim pa kthim të mbylljes së syve!

Të nesërmen dëgjova të çirren prapë e ta shajnë se diçka i mungon që Nuk merr dot diçka që të mburren të tjerët!!

Diçka që të mbushin boshllëqet e tyre!!

Ai ja’u thotë troç, bukur dhe Shqip gjithçka, këta çirren përse ata që nuk dinë Shqip, nuk i japin atë gjënë!!

U kreha, vura pak parfum Trëndafili roz, burgosa macen me këmbë se filluan të më ngrinë, vjeshtë, i fishkëlleva një libri në biblotekën e dhomës së gjumit, ra, më erdhi pranë dhe hapi faqen tek novela e Tij: “E krehura”.

Flokët e vajzës së sëmurë në novelë u bënë njësh me të mitë, gërmat e Ismail Kadaresë tim të dashur më mbuluan si një jorgan magjik në këtë Vjeshtë paraprirëse të një Dimri të madh që thonë se do ngrijë shumë Flutura në tavanet e shtëpive tona nga i ftohti!

Me një libër të Kadaresë në gjoks tim, me këtë ngrohtësi trupi gjallese 36.7, dhuratë zoti për mua, besoj se do i’a dal mbarë edhe kësaj situate.

Më erdhi mesazh nga Ismal Kadare në celular dhe më shkruan:

Nila ime…

Duke të puthur pa të dashur

në shpirt ai ty të plagoi,

buz’përgjakur nga t’kuqt e tu

si vrasës tinëz shkoi.

Krenar që ty “të shtiu në dorë”

gjithë shokëve emrin tënd ju tha,

pran gotës birrës për ty folën

në park të dielave ata…

Dhe ti e vetme mbete

bosh mbënë sytë e tu në netë bilbilash,

si sheshi i shkretë ku porsa ndodhi

një katastrofë automobilash…

Tani, kur shkon rrugës së Dibrës

ata me sy të ndjekin pas.

Dikush me brryl i bie shokut,

-e sheh filanen? e ka pas…

Dhe ti ul kokën, shpejton hapin

t’arrish tek shoqja sa më shpejt,

të përsërisësh fjalët standart:

“ah njëlloj janë të gjithë djemt”…

Të dyja t’ulura pranë radios

do ndizni heshtur një cigare,

tek supi i saj nën fjalë lajmesh

një çast dremitja do të marr

dhe do të çoj në një rrugë tjetër

më gjerë, më bukur, dhe me re…

Atje në sfond fabrikash njerëzit

nga këmbët s’do tu vënë re.

Atje tek ecësh në mes turmash,

në një grup djemsh, ndoshta midis,

dikush me brryl do ti bjer shokut,

-e sheh filanen? ishim miq…

Me dashuri për Idhulin tim ❤️Ismail Kadare

Natën e mirë me ëndrra të bukura…❤️ NilaR

About Post Author