Anila Rezhda-Ishte një mbasdite e pjekur në njgjyra diellore Tirane


Ishte një mbasdite e pjekur në njgjyra diellore Tirane.

Kisha dalë në ballkonin e katit të dytë (qoshe) dhe shikoja si gjithmonë rrugën e Ambasadave. Vila 210 ishte një vilë realisht e rrallë nga konstrukti i saj i jashtëm dhe i brëndshëm. Dhoma të mëdha, mure të larta, dysheme shtruar me mozaik mermeri, banjo, parabanjë, koridore që bukuri mund të bëhej edhe dasëm.

Ndjehesha e gëzuar që rroja në një shtëpi të tillë falë aftësive profesionale të babait tim të vyer.

Vilë në Tiranë-shtëpi magjike në zëmër të Gjirokastrës!

Jo rrallë fëmijët më pyesnin për shtëpitë e mija dhe vinin që t’i shikonin sa të bukura ishin.

Babai Nuk më linte kurrë të gëzohesha, mburresha me pronën e tjetrit!!

10 herë në ditë do na theksonte që kjo vilë parajsë i përket të zotërve që në atë kohë jetonin mbrapa vilës, fix nën hijen e pasurisë së tyre, atje ku dikur strehonin kafshët e tyre! 🥲🥲

Nuk na linte kurrë të kalonim para tyre me kryeneçësi pronari-pushtues!!

Ai vetë ndalonte kur vinte me makinat e Ministrisë dhe shkarkonte ushqime, fruta ose zarzavate të marra sipas krahinës që kish qënë me shërbim edhe për Ta.

I pyeste gjithmonë nëse ju duhej diçka, nëse kishin ndonjë hall.

Ata ngujonin të shkonin dyerve të shtetit jo vetëm si të “Këqinj” të pasur!!! por dhe si shtetas Grek.

Të ndërtosh një Perlë me djersën tënde dhe të ikësh nga jeta pa e shijuar fare, e quaj dënimin më të hidhur në këtë botë!

Jeta e njeriut sado madhështi irreale të ketë, realja lumturi janë ato katër mure që përkufizojnë një shtrat të ngrohtë, nuk ka rëndësi se është 40-100-500-2000 metër katror shtëpia!

Atë mënjgjes u ngrita herët fare se do shkonim me Nënën te dyqanet poshtë shtëpisë, ato që duken me tenda, për të mbajtur rradhën për qumësht, mish dhe zarzavate. Në pritje të një kafeje të ngrohtë nga duart e saj të arta, shihja përballë vilën që sot është ambasada Kineze. Ishte një vilë që Nuk do ketë të dytë në botë besoj nga bukuria! Unike! Shihja teta Dritën, tezen e Arben Papulit tonë të shtrenjtë tek ujiste lulet. Kur më thërriste të veja atje ishte sikur hyja te vila e Presidentit Amerikan, kështu ndjehesha. Vila ishte në dy pjesë si dy fëmijë binjakë. E njëjta në të dy kahet.

Në të djathtë jetonte teta Drita. Në të majtën një familje me biografi të keqe. Një grua zonjë nga jugu me shami të zezë në kokë që fliste aq me edukatë dhe ngrohtësi!

Teksa po erotizoja me agimin plot njgjyra të arta, teksa shpresoja të shihja nënën e Atij te ndonjë rradhë, teksa prisja të zbardhte dita e takimit me Atë, (e Mërkurë), një maune ndaloi te dera e vilës, majtas.

7 burra me kostume dhe gravata zbritën me rrëmbim. Shqyejtën derën dhe u futën brënda. Nga ballkoni filluan të hidheshin mobilje me shpejtësi drite!!🥲🥲 Fëmijët qanin, nënën e tërhiqnin thuajse zvarrë.

Dy burra ngarkuan një divan 8 mijë leksh në makinë, 4 karrige, një tavolinë, ca valixhe gjysëm të hapura me rroba, hodhën si thes me kripë një nga fëmijët. Heshtje, qetësi uluritëse!!

Askush nuk Mund të ankohej e kërkonte ndihmë!

Ku dhe pse?

Isha ngrirë, isha bërë mermer, më rridhnin lotët çurk, nëna pa skenën dhe më tërhiqte nga krahu me forcë, më la shenja.

Ula kokën dhe pashë një kalec te X ballkon!!

Edhe ai më pa dhe më tha me gishta që do flasim pastaj!!🥲🥲

Makina u mbush me minimumin e plaçkave, shoferi i dha gaz si i çmëndur, duhej ikur pa u zgjuar mileti, ca plaçka ranë dhe u copëtuan nga makina!! Në prehrin e nënës me të zeza dy fëmijë qanin me tmerrin e atij zgjimi të frikshëm!!

Rrëshqita në divan dhe një tmerr i vërtetë filloj të nxirrte zëmrën nga vëndi me rrahje e shpeshta!

Nëna zgjoi babin dhe ai erdhi zbathur mbi mua.

Ai dinte gjithmonë shumë gjëra!!

E përqafova fort dhe e luta mos shkonte në Ministri tek vëndi i sekreteve të mëdhaja që të mos na merrnin dhe ne dikur kështu natën me makina!! 🥲🥲 Isha fëmijë!!

Ishte hera e parë që pata frikë që jetoja në një vilë të bukur falë postit të babait!

Babi i kërkoi nënës një kafe dhe i tha diçka në vesh.

Nuk e di por duke shkuar në banjo që të laj sytë, sikur pashë hijen e kalecit pas xhamave kristal të portës tonë!!

E pashë, jam e sigurt!

Babi shkroi një letër dhe ja dha nënës t’ja çonte mësueses time në shkollë.

Vendosi të më marrë me vete në Durrës.

Nëna vajti në rradhë, më thirri nga dritaret të zbrisja ta ndihmoja.

Duke zbritur u hap dera dhe doli Ai!! Më pyeti pse nuk kisha gjumë dhe rrija majë dritares pa u gdhirë ende dhe i thashë se do shkoja me nënën në rradhë për pazare ndaj. Më pa vëngër dhe më tha se është më mirë të shkruaj ato poezi romantike pa mbajtur mënd mirë se ç’farë pashë!!🥲🥲 ndryshe do trokiste edhe dera jonë.

U mundova t’i them që jo nuk mbaj mënd asgjë por, ai vuri dorën te hunda dhe më tha mbylle dhe shporru me dorë.

Dita në Durrës me babin kaloi qetësisht bukur.

Ai hyri tek Hotel “Adriatiku” me delegacion të huaj dhe unë humba mes detit, qetësisë, imagjinatës se pak javë më parë shtrihesha në rërë dhe luaja me top me shoqet. Një amaretë me bajame dhe një çokollatë m’i solli një kamarier i bukur.

Ecja vetëm mbi atë copëz beton dhe më vinte të ulurisja që sa shumë, sa shumë e doja vëndin tim dhe sa frikshëm jetoja mes kërcënimeve për dëbime nga shtëpitë e mija!! 🥲🥲

Dhe më dëbuan pa bërë asgjë fare nga të dyja!! 🥲🥲

Ka Atdhe pa copëz shtëpi tënden mbi themele të trashëguara nga gjyshërit?

Kthimi në shtëpi ishte jo i dëshëruar.

Babi njoftoi nga telefoni i hotelit vëllain e tij që të na priste atje.

Rrugës folëm dhe qeshëm me xhaxhi Sotirin, shoferin e Mercedesit që më donte shumë.

Morra qesen me rrush që kishim blerë dhe u njgjita për në shtëpi.

Xhaxhai i ra rreth e përqark por e kuptova që donte të dinte si më kish pyetur Ai.

Familja jonë i ruante fëmijët nga rreziqet si drita e syrit!

U ndjeva e mbrojtur.

Të nesërmen u ktheva nga shkolla dhe qëndrova para vitrës së një ambasade. Tek dera u shfaq një burrë i bëshëm që më përshëndeti shqip. Qesha dhe ja ktheva anglisht. I shkëlqyen sytë nga gëzimi. Më kapi te faqet me gishta. Hoqa shallin nga gryka dhe hapa çantën. Një dorë e pështirë me djesë të ftohtë më kapi dorën: “Mos të të shoh më këtu. Po e mbush kupën. Dëgjon? Kthehu në udhë të mbarë. Hiq dorë nga kurioziteti i tepruar. Ndryshe do më takosh në ca dyer…” . Kaleci iku si hije dhe mbeta pa frymë!!

Pak ditë më vonë nëna më çoi në Gjirokastrën tonë, aty ku shpirti im shërohet nga të gjitha plagët sado të thella qofshin!

Morra shpërngulje për të ndjekur mësimet atje, 1-2 muaj më duket.

Pyetjet që i bëj vetes:

1. Përse kur Nuk jemi të pushtuar pushtojmë veten?

2. Përse kur jemi të Lirë sillemi si pushtues me tonin?

3. Në cilën parti është ikuadruar kaleci me demokracinë?

4. Ku dhe me cilën mënyrë hanë sot bukë ata fytyra të poshtra që

terrorizonin bashëatdhetarin?

5. Kush mund të më thotë si është dhe ku jeton sot ajo familje e

ndershme që u internua aq frikshëm?

6. Nëse dashuria për atdheun është e njëjtë, përse ndëshkimet dhe

hallet për Të i mban gjithmonë vetëm një shtresë e popullit?

7. Përse prindërit e mij të ndershëm që ruajtën si sytë e ballit sekretet shtetërore meqënëse punonin të dy në sektorë delikatë mbrojtje/ekonomi u dëbuan nga shtëpitë e tyre së qënër endacakë?

Mos ndoshta Liria si e drejtë legjitime Atdhetare duhet mësur nëpër bankat e shkollës?!

Si duhet quajtur lënda dhe kush mësues duhet të na mësojë Lirinë, parimet e saj, si ta shijojnë të gjithë, kur rrezikon dhe nga kush, cilat janë shenjat se ka ikur, ka shtegëtuar si zogjtë dhe na ka lënë në dorë të tytës si Evropën sot? 🥲NilaR

About Post Author