Anila Rezhda-Ora 18.45…uluni dhe dëgjoni përrallën e ditës…


Ora 18.45…uluni dhe dëgjoni përrallën e ditës…

Mbështeta kokën mbi parvazin e dritares dhe shikoja botën sa e largët dhe e paarritshme bëhet sapo trupi nuk komandohet më nga dëshira dhe etja por nga rënkimet e tij. Çuditesh si ajo/ai vrapon të kapë autobusin, bën një piruetë mbi shi dhe qesh sikur nuk ka të nesërme! Një tjetër ecën me çantat plot si varkë e ngarkuar dhe qesh e uron majtas, djathtas ndërsa ti mezi mban në dorë kupën e çajit. Me një mace që nuk i dëgjon koka të hyjë brenda dhe rri jashtë…hapa radion dhe…

Të dashur dëgjues të vegjël mirëmbrëma. Ora është 7 pa çerek, sot ditë e Dielë e vitit 1982 dhe unë Teta Vera Zheji do tregoj përrallën e ditës për ju të dashur fëmijë.

Zgjodha për ju sot përrallën “Djali që kërkonte fatin” e autorit Virgjil Muçi. Do e tregoj pak më shkurt që të ngjall kërshërinë tuaj e të shkoni ta blini te librari e rrugës “Durrësi”.

Na ishte e ç‘na ishte një herë një djalë jetim që ia thoshin emrin Marash. Përveç nënës plakë në shtëpi, Marashi ishte njeri pa njeri në këtë botë dhe i varfër sa s’bëhej.

Një ditë prej ditësh, iu mbush mëndja të shkonte në kurbet e të kërkonte Fatin ia kumtoi lajmin së ëmës, por e gjora plakë s’dëgjonte dhe s’donte kurrsesi ta linte të birin të merrte udhët e pafundme të botës. Por Marashi e kishte ndarë mendjen dhe as që ia vuri veshin lutjeve dhe përgjërimeve të saj.

U ngrit mbënatëherë, shtiu në strajcë një çerep bukë, ca kokrra qepë e një calik me gjizë dhe u nis e mori udhën e kurbetit.

Të tretën ditë, Marashit i ra udha përmidis një pylli të madh. Ec e ec dhe veç kur i zunë sytë një ujk trupmadh, por të ligur që ishte strukur pas një trungu. Marashi u tremb dhe hodhi dorën te palla, por ujku s’u tund nga vendi dhe i tha:

-Për ku je nisur, mor djalë?

Marashi u tromaks më keq, kur e dëgjoi ujkun t’i fliste si njeri, por i dha zëmër vetes dhe iu përgjigj:

-Po shkoj në kurbet të kërkoj Fatin.

Ujku i tha:

-Po qe se do ta pjekësh, pyete edhe për mua, pse këto kohët e fundit më është mbyllur oreksi dhe punët s’ më ecin mbroth si më parë?

Marashi tha:

-Mirë, do ta pyes.

Të nesërmen ra në një fushë pa anë e pa fund. Aty po ndesheshin dy ushti të mëdhaja dhe beteja ishte e përgjakshme. Marashit iu drodhën leqet e këmbëve. Ndërkaq çatisën disa kalorës, e lidhën kokë e këmbë, e hodhën në shpinë të kalit dhe e shpunë në shtatoren e mbretit. Mbreti ishte i ri, si ndonja pesëmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe fort i hijshëm, i veshur fund e krye me ar e gurë të çmuar. Marashi u mahnit nga pamja që iu shpalos para, aq sa po rrinte e po e sodiste gojëhapur e pa ia shqitur sytë. Atëkohë, mbreti dha urdhër ta zgjidhnin dhe e ftoi të ulej. Mbasi e pyeti se kush ishte dhe nga ç’ vend vinte, mbreti u hodh e tha:

-Për ku je nisur kështu?

Marashi tha:

-kam dalë të kërkoj Fatin, Madhëri.

Mbreti u mendua një hop dhe tha:

A mund ta pyesësh fatin edhe për mua, në do ta fitoj luftën apo jo?

Marashi tha:

-Mos ki merak Madhëri. Do ta pyes e do të të kthej përgjigje.

Si u përshëndoshën, Marashi u vu sërish në udhë.

Ec e ec, mbërriti te një gjol i madh. Teksa po çapitej me kryet e rrëzuar mbi gjoks, i kapitur nga rruga e gjatë, dëgjoi një zhurmë e zallamahi që u ngrit nga gjoli. Ngriti kryet kur ç’të shohë! Një peshk i gjatë e i trashë sa një plep, kishte nxjerrë kryet mbi suprinën e ujit dhe i foli:

-Ku po shkon o djalë?

Marashi iu përgjigj peshkut:

-Po shkoj në kurbet të kërkoj Fatin.

Peshku i tha:

-Pyete edhe për mua, si t’ia bëj hallit, se u bë kaq kohë që as ha e as pi?

-Mirë, mirë, do e pyes-i tha Marashi dhe u dha këmbëve e u largua prej andej nxitimthi.

Si shkuan edhe tri ditë, Marashi po ecte ndanë një are. Aty na ndodhje një shelg i tharë, i cili sa e pa djalin, u hodh dhe e pyeti:

-Për ku kështu, o djalë?

-Po shkoj në kurbet të kërkoj fatin.

Shelgu i tha:

-Po e hase gjëkund, pyete edhe për mua e thuaji, pse nuk çel gjethe e nuk gjelbëroj si shoqet e mija, por sa vete thahem e bëhem kërcu?

-Mirë, do ta pyes edhe për ty, – i tha Marashi dhe pa humbur kohë u vu në udhë e u nis.

Të nesërmen e asaj dite, në rrugë e sipër u gjend para një kroi. Tek u përkul të gjerbte ujë me grushta, pa një plakë që ishte ulur aty pranë dhe po hiqte viza përdhe me shkop.

Plaka i tha:

-Për ku je nisur kështu, o bir?

Marashi iu përgjigj:

Po shkoj në kurbet të kërkoj Fatin.

Plaka i tha:

-Bën mirë të kthehesh andej nga erdhe, se sapo i dhashë duart dhe e lëshova. E ke përpara.

Marashi u çmerit një grimë dhe e pyeti:

-Po ti kush je?

Plaka i tha:

Unë jam Zonja e Fatit.

Atëherë Marashi u lumturua dhe i tha:

-Rrofsh e qofsh moj nënë. Se rraha gjithë këtë udhë e s’lashë vend pa të kërkuar.

Para se t’i linte shëndenë plakës, djali nuk harroi ta pyeste edhe për shelgun, peshkun, mbretin dhe ujkun. Plaka iu përgjigj një për një të gjitha pyetjeve dhe në fund i tha:

-Dhe nxito se Fatin e ke përpara.

Si iu fal me shëndet plakës, Marashi ia grahu këmbëve dhe u nis nxitimthi se druhej mos nuk e mbërrinte dot Fatin.

Ec e ngarend, mbërriti te shelgu dhe me një frymë i tha:

-Zonja e Fatit më kallëzoi që te ndër rrënjët e tua ka një poçe me florinj. Pa e nxjerrë atë poçe prej andej, nuk ke për të çelur gjethe e nuk ke për të lulëzuar si shoqet.

Shelgu i tha:

-Të falem nderit, o bir. Nxirre atëherë poçen e merr florinjtë, se t’i kam falur për nderin që më bëre. E kësisoj, ti bëhesh i kamur ndërsa unë do të përtërihem si shoqet e mia.

Marashi ia ktheu:

-Ohu, ku kam kohë unë të rrëmih e të nxjerr florinjtë! Duhet të nxitoj e të kap Fatin, se zonja më tha që e ka lëshuar dhe e kam para.

Dhe pa sosur fjalën, iu dha këmbëve e morri udhën.

Mbërriti te gjoli.

Peshku e pyeti:

-A e poqe Fatin, or mik?

Marashi tha:

E poqa dhe i fola edhe për ty.

Më tha që ti ke në gojë në xhevahir që s’të lë as të hash e as të pish, ndaj, pa e nxjerrë nga goja xhevahirin, s’ke për të gjetur shpëtim.

Peshku i tha:

– Ç’pret atëherë, nxito e ma shkul. Unë do shpëtoj kurse ti do bëhesh i pasur.

Marashi tha:

-Shih e gjej ndonjë tjetër, or mik, se s’kam ngenë tënde. Më duhet të nxitoj e të zë Fatin se Zonja më tha që e kam lëshuar dhe e kam para.

Dhe pa një e pa dy, Marashi krisi e iku.

Më në fund u gjend në fushën e pafund, ku ende vazhdonte beteja. Marashi e mbajti vrapin fill e në shatoren e mbretit. Sapo hyri i tha:

-Po ti paskëshe qenë vajzë dhe unë i marri të kujtova djalë!

Mbreti shtangu, por shpejt e shpejt e mblodhi veten dhe i bëri shenjë të mos bëzante. Paskëtaj i nxori rojet nga shatorja dhe e pyeti:

-Kush të tha që jam vajzë?

Marashi ia ktheu:

Më tha Zonja e fatit.

Atëherë, vajza e pyeti:

-Po tjetër, ç’të tha për mua?

Marashi i dëftoi fije e për pe gjithë ç’i kishte thënë plaka e kroit.

-Më tha që ti je vajzë, por kurrkush nuk e di. Pastaj më tha, që të fitosh luftën, duhet të martohesh me një djalë, po ky djalë duhet të jetë nga një tjetër vend, jo nga vendi yt.

Vajza u mendua një copë herë, u kthye nga djali dhe i tha:

-Eja të martohemi bashkë, ti do bëhesh mbret ndërsa unë mbretëreshë.

Marashi e humbi torua, por veç për një çast, ndërkaq iu ndërmend Fati dhe i tha:

-Nuk mundem. Zonja më tha të nxitoj e të rrok Fatin, se e ka lëshuar dhe e kam para.

Iu lut e iu stërlut vajza gjorë, por Marashi nuk ia vuri veshin dhe ia mbathi me të katra.

Mbërriti te pylli. Sapo e pa djalin, ujku i thirri:

-Mirë se erdhe, or mik! A e ndeshe gjëkund Fatin?

Marashi iu përgjigj:

-Po mor po, por jam i kapitur e më ka ardhur shpirti në majë të hundës. Kam bërë gjithë atë udhë, ndalo këtu e ndalo atje, se veç teje kisha dhe ca porosi të tjera.

Dhe i kallëzoi ujkut historinë e vajzës-mbret, të peshkut dhe shelgut. E dëgjoi sa e dëgjoi ujku dhe i tha:

-Domethënë zotrote nuk begenise të merrje poçen me florinj, as xhevahirin dhe as nuk pranove për grua mbretëreshën. Unë s’di ç‘të them or mik, se nuk jam fort i mençëm, por më njgjan se ke bërë marrëzi me brirë.

Marashi u përtyp ca dhe i tha:

Mbase ke të drejtë, por ja që ngutesha të mbërrija fatin, se Zonja më tha që e kishte lëshuar dhe e kisha para.

Ujku ia priti:

-Nejse, kjo është puna jote or djalë, dhe mua s’ka ç‘më lipset. Por, pa më thuaj, ç’ porosi të dha për mua?

Marashi iu përgjigj:

-Për ty më tha që, duhet të hash një marrok me brirë e paskëtaj punët do të venë mbroth si më parë.

Ujku vrau mendjen dhe i tha djalit:

-Keq më vjen or mik, por bëhu gati se do të kollofis.

Marashi u bë meit dhe mezi foli:

-Pse, mua gjete të më hash?

Ujku i tha:

-Po, ty do të ha. Kam frikë se s’kam ku gjej marrok më të madh se ty.

Marashit i ngriu gjaku dhe e pyeti me gjysmë zëri:

-E pse qenkam marrok, or ujk?

Ujku u zgërdhi dhe i tha:

Po të mos ishe i marrë nuk do lije poçen me florinj, xhevahirin dhe mbretëreshën me gjithë mbretëri.

Dhe me të sosur fjalën, ujku u lëshua dhe sa hap e mbyll sytë e përlau me gjithë lecka e pecka Marashin e shkretë.

Morali nga NilaR:

1. Mendohu mirë kur merr udhën larg atdheut se Fati kur lind të shkruhet në gjuhën e nënës.

2. Bë një të mirë dhe hidhe në det, mos përto. Mirë është të ndihmosh këdo mundesh, sot është skllav, i sëmurë, nesër i Madh e me pushtet!

3. Fati vjen e të prek në sup, puno i kërrusur pa frikë dhe i humbur nga dynjaja, të gjen ai kudo që të jesh, se për ty ka lindur.

4. Fatin-thoshte Nëna ime e vyer Gjylfidan-lumi ta nxjerr dy herë si kucur. Të iku i pari nuk e kape, prit të dytin, lufto dhe kape se Më nuk ka. Marashi im i gjorë la pas tre kucura-Fati.

5. Marashi im i voçkël më njgjan me veten në rendjen e Fatit!! Kush nuk e do Fatin! Por ja që duke u nxituar për ta gjetur, lëmë pas shanse të mundur në emër të së pamundurës!

6. Më mirë një Përrallë me mend se 1000 pallavra pa mend!

7. Lexoni përralla, mos i thoni vetes jam i rritur. Jeta përditë na vë detyra të reja dhe si e tillë, ne duhet të mbetemi fëmijë që ta zgjidhim detyrën.

E kështu të dashur fëmijë, ora jonë e dashur mbaroi. Nesër sërish në të njëjtën orë me një përrallë të re. Nëse doni ta mësoni Shqipen bukur, shkruani një përrrallë si kjo në fletore dhe do shikoni se sa notë të lartë do merrni në lëndën e Gjuhës dhe në atë të hartimit. Fjalë të vjetra e të harruara nga historia e gjuhës tonë. Shikoni apostrofat kur vihen, presjet, vijat e dialogut gjithashtu që, të mos e hajë Ujku gjuhën tonë!!

Hiqini këmbët e voçkla tani nga mangalli se dieg dhe merreni bukën e thekur ta hani me vaj dhe kripë sepse gjalpin nënat tona nikoqire do e ruajë për bakllavanë, e kanë fshehur. Mbulohuni me jorgan se është ftohtë, latat e druve do vijnë pak ditë më afër Vitit të Ri. Mos hani karkanaqe fshehurazi në krevat që padrejtësisht morët nga tepsia se keni edhe vëllaçko edhe shoqe e shokë në klasë nesër. Mbyllini syçkat dhe besoni tek ëndrrat sepse…nëse i doni me shpirt, ato bëhet realitet dikur diku dhe le të kushtojnë, për një ëndërr jetojmë!

Me dashuri pë ju, Natën e Mirë dhe të Ëmbël, Teta Vera Xheji e juaj…

(E dashura dhe e shtrenjta ime Teta Vera ❤️😘sa shumë e doja dhe sa fort e përqafoja sa herë e takoja tek teta Violeta Papuli, shoqe të ngushta

About Post Author