Anila Rezhda:Kronologjia e ndërrimit të viteve të mija


Anila Rezhda

Kronologjia e ndërrimit të viteve të mija

15 Dhjetor i një viti të jetës time…

Ora 3 drekë. Mamaja dhe babai vinin rrogat mbi tryezë. Nëna priste pensionin nga Gjirokastra. Laps& letër dhe bëhej lista e ushqimeve për darkën e vitit të ri. Mbasdite, rruga e “Durrësit” në Tiranë, ngjitur me Hotel “Pensioni” , mbaja radhën te dyqani i ushqimeve. 1litër vaj ulliri, 4 kg sheqer se vit i ri, 100 gram kafe, sapunë, sodë për rrobat, biskota të thjeshta, oriz, miell. Trasta plot dhe gëzimi i madh. Ne gjithmonë të njëjtin racion hanim por ishte gëzimi që do kishim mundësinë të prisnim miq.

16 Dhjetor i një viti të jetës time…

Ora 3 pika e sabahut. Nëna më mbështillte kokën me shall si dhe ajo të vetën dhe zbrisnim poshtë vilës që ishin dyqanet dhe zinim radhën për gjalpë. Shumë i rëndësishëm për bakllavanë me 100 petë. 2 vetë në radhë për më shumë gjalpë se nëna ime e shtrenjtë bënte bakllava edhe për vajzën tjetër, për mbesë, nip dhe vur. Xhaxhi Masar Sinoimeri i dashur, nip i saj që rrinte përballë nesh, përqafonte tezen fort dhe i premtonte se do i siguronte edhe ai gjalpë të shkrirë. Dyqani hapej dhe për 1 orë gjithçka shitej dhe mbaronte!!

Mbasdite, babi vinte si bleta nga Panariti, Leshja, Korça e dashur dhe linte një thes të madh me arra, arkë me mollë starkinge, fasule, raki, gështenja. Mami trokiste te komshinjtë dhe fillonte ndarja për ato që ata nuk kishin siguruar dot. Teta Violeta Papuli e dashur përballë nesh zinte radhën që nëna t’i bënte bakllavanë edhe asaj. Mami im ndante përherë gjithçka vinte me tepricë dhe emërohej si grua me zëmër Flori.

Çekiçin në dorë, ulur në qilim, dëgjoja “Përralla e fëmijëve për sonte” , ora 7 pa çerek darkë me zërin e të shtrenjtës teta Vera Zhei dhe çaja, çaja dhe pastroja arrat, duke mbushur tasa me të njëjtën sasi. Duhet t’i mbaroja shpejt se fillonte filmi me Dik Sheltonin dhe Xhoanën.

17 Dhjetor i një viti të jetës time…

Mëngjes i ftohtë sepse shtëpia ishte lakuriq. Mami ngrinte gjithçka për larje. Perde, mbulesa, çarçafë, çentro, rrugica. Do shkoja një orë me vonesë në shkollë se duhej të prisja të vinte lata e druve që ishte kujdesur babi i shtrenjtë që t’a binin në kohë si dhe thesi i qymyrit. Nëna ishte në radhë për patate dhe domate të ngrira.

18 Dhjetor i një viti të jetës time…

Me tepsi 500-qindshe në dorë mbaja rradhën mbas Hotel “Pensioni” sepse dyqani i ushqimeve shiste nga mbrapa ullinj. Unë 5 kg, nëna po ashtu, bukuri 10 kg. I çanin, i fusnim në kupa qelqi me kripë të trashë që t’ju ikte hidhërimi. Në darkë, bënim likerin dhe çokollatat me arra. Që të kishin formë të bukur i shtypnim me gisht te ajo maja e shtrydhëses së limonit dhe dilnin si piramida të voçkla. Zienim verën e kuqe me kanellë, sheqer, karafil. Nëna nxirrte nga soba karkanaqet. Të gjitha futeshin në një anë të bufesë dhe kyçeshin që të mos i hanin para kohe kalamajtë. Tani duheshin ngrirë çentrot që futeshin më parë në ujë me niseshte që të kallkanoseshin. Mbi një peshqir dhe rreth 4 orë hekurosnim çentrot!! Ishte dita e Mërkurë dhe Televizioni jepte muzikë klasike, opera ose koncet orkestre. E lodhur, merrja librin “Bel Ami” dhe lexoja e strukur te gjoksi i nënës që të isha më ngrohtë. Një tërheqje e bishtalecit më trondiste. Mami më hakërrehej ku e sigurova këtë libër, kush ma dha dhe si zgjodha për lexim libër me dashuri!! Nëna më përqafonte dhe fillonte më thoshte përrallën me Nastradinin.

19 Dhjetor i një viti të jetës time…

Taraca e pallatit mbushej me gjela të gjallë. 4 familje që ishim nga 1 gjel. Përgatisnim miell misri me ujë që t’i ushqenim. Fillonte tortura ime.Vdisja dhe vdes nga dashuria për qënie të gjalla që Nuk flasin. 3 vjet rresht timin e zgjidhja dhe ai morri dhenë nga taraca, hëngra pandoflën kineze si tatuazh te këmba dhe pikë, u vendos ta sillnin përherë të therur që të mos e shikoja unë. Xhaxhai im i mençur dhe i dashur Pasho Rezhda, mentori dhe rregullatori i fisit tonë më shpëtonte. Sillte dy pula të majme. Më përqafonte dhe më thoshte: “Po pse moj çupkë e xhaxhit e bën këtë gjë? Të ka xhaxhi nuse ty. Bilo, do e marr çupën sonte me vete, e keni mërzitur shumë”. Fjala e tij ishte ligj. Dorë e voçkël e shtrënguar nga një dorë e madhe e një burri gjigand, oficer. Ecnim te rruga e ambasadave drejt shtëpisë së tij.

20 Dhjetor i një viti të jetës time…

Isha e hutuar se më kishte propozuar një çun king në lagje. Më tha se e kishte seriozisht me mua. Dilja shpesh dhe blija një nga një gjërat që ta shikoja. Shkriva peçikllas me diluent, bëra manikyr dhe lyejta thonjtë për herë të parë të kuqe. Preva me thikë pak buzëkuq nga i mamit dhe e fsheha që të lyeja buzet jashtë shtëpisë. Me ca lekë që më jepnin andej këndej bleva dhe bigudina që flokët t’i bëja me onde. Mëndja fluturonte por okllaija e nënë Gjylfidanit të bënte esëll sepse filloi hapja e bakllavasë nr.1 për vajzën e saj të madhe dhe nuk më linte të dilja nga shpija. 100 petë donin 4 orë e ca punë. Hap petë e shtro çarçafëve që kishim vetëm për gatime si petë, trahana, kritharaqe etj. Unë me pak pambuk zbukuroja lule shqiponjën. Varja dhe ca gjëra të voçkla, ndonjë tullumbac. E vija tepsinë te beli se ishte e rëndë dhe direkt te furra e pjekjes që ishte mbrapa një pallati përballë ishambasadës Jugosllave, pak para se të dalësh te rrugica e Bogdanëve. Numri metalik i tepsisë në mes dhe 100 porosi të nënës sa vetë petët se mos ngatërrohej e na i merrte njeri. Por ai burrë i dashur, i shkurtër dhe zëmër artë, furrëpjekësi, thoshte se bakllavaja e Gjylfidanit Gjirokastrite nuk ngatërrohej kollaj se kundërmonte e bënte bam.

21 Dhjetor i një viti të jetës time…

Hapej bakllavaja jonë që në pikë të sabahut, ora 4. Vrapoja për në shkollë dhe po prapë vrap për në shtëpi se kishim punë. Nëna më linte të luaja pak me vajzat e lagjes mbrapa pallatit. Irma, Eranda Libohova dhe Shpresa Hysi me kitare këndonin këngën:

Ankohem nga një plep në qafë që më ka rënë…

Dritaren e gjitonit ky plepi me gjethe ma ka zënë…

Por prapë do vijë Vjeshta ti plep do thahesh fare…

Do vyshken ato gjethe që çelën në dritare…

Dhe ndoshta do pendohesh të çelësh në Pranverë…

Po ku ta dish gjer atëherë ty plep do të’t prerë….

Lina e dashur dhe Klarita e bukur motrat yje, Donika, Teuta, Mirela, Moza, luanim shtetesh. Gocat shikonin me kërshëri bluzat e pleksura me art nga shtizat e nënës. Një mercedes ndalonte pas pallatit, shoferi i hapte derën, babi zbriste dhe me qetësi trokiste te dera e shtëpisë së pronarëve të vilës që jetonim ne dhe ata banonin te ish stani i Lopëve të tyre!! Barba Jorgo, Kasiania, Andrea, gëzoheshin si fëmijë që babi ndonëse zyrtar në Ministri, shtet, NUK harronte kurrë t’ju kërkonte falje të deklasuarve meqë jetonte ai tashmë në sarajet e tyre, i pyeste a kishin ndonjë hall dhe një arkë plot me bereqet shkarkohej për Ta. Ata sot janë pronarë të ligjshëm e gëzojnë pronat e tyre mes parasë dhe lluksit të merituar…JO si bija e Atij veç që i respektoi e cila rropatet ende dhe ende dhe dje dhe sot dhe deri kur…për pronat???

22 Dhjetor i një viti të jetës time…

Në shkollë zbukuronim klasat me letrat kineze me njgjyra. I bënim dritë të bukura edhe nga pastrimi si dezhurn javor që kishim. Kishe qef të shkoje. Në korin e shkollës “Avni Rustemi” bënim prova për koncerit e bukur. Java e pastrimit të Tiranës. Java e pastrimit në lagje. Pallati im kishte vetëm çuna dhe unë gocë me fshesë në dorë rreth e qark pallatit, pastaj pastrohej shkalla. Tubat e sobës duheshin shkundur e djegur bloza se nuk tërhiqte tymi si dhe duheshin lyer me varak. Vitrina e bufesë lahej dhe mezi e prisja se prekja kukullat me dorë!! të cilat hermetikisht ishin vetëm për zbukurim!! Fillonte interesimi për biletat e Festivalit se doja të shkoja tre ditë rresht. Boll miq. Teta Violeta Papuli ishte kryetare komisioni e koncerteve direkt biletë. Dashi saksofonisti i orkestrës së radio televizionit dhëndri jonë, po. Unë vetë prezantuese te Pallati i Kulturës i thoshja Lad Kotanit aman më gje! Bëja dhe një xhiro nga opera e baleti dhe ja përmëndja edhe Vladimir Makos dhëndrit tonë të dashur që më thoshte: “Ec mi goce se të fus unë, si do ngelesh pa biletë ti. Ja futu tani shif provat po deshe. Lene mo tashi atë muhabet se nuk osht problem”…dhe ç’do vit Ai provonte bakllavanë e nënës time. Gjatë kësaj periudhe ishim shqepur me fasule, me preshë, me spinaq se gjasme mishi i grirë dhe pazaret e bëra duheshin ruajtur për vitin e ri. Derë më derë me gjet frigorifer te komshiu pastaj se i joni po pëllciste.

25 Dhjetor i një viti të jetës time…

Mami më merrte me vete te Shkolla e Bashkuar sepse bëhej festa e vitit të ri dhe ndaheshin dhuratat e kalamajve të punonjësve. Komandati i shkollës xhaxhi Hyseni, dhëndri jonë, më merrte hopa dhe i thoshte mamit të më sillte ndonjë mënjgjes kur bëhej parada e studentëve që ta shihja. Në kthim bleja plot kartolina që t’i shkruaja dhe dërgonim me postë në familjarë, miq dhe shokë. Nënës i bleja te Mapo fustan nate ose shall dhe mamit te fillimi i rrugës së “Durrës”-it parfum 30 ml. Atë çunin e takoja pak minuta dhe më ndrinte turiri por…më pa me Të komshiu i parë dhe këtu fillonte e tatëpjeta e një dashurie. Sapo të shihnin të donin të martoheshe dhe ai djelmosh, student, trëmbej dhe ikte.

27 Dhjetor i një viti të jetës time…

Sherbetoheshin bakllavatë. Moskovoliste dynjaja nga aroma. Nënën e thërriste nipi tjetër i dashur i saj pastaj në telefon, djali i vëllait që e kishte rritur vetë, Adil Tushen, babai i Nestit tim të dashur, që të venim atje sepse teta Vera donte ca këshilla për bakllavanë. Kur venim si dhe kudo, nënën e donin me shpirt dhe se linte njeri të ikte. Llafoseshim për Gjirokastrën tonë yll, për Tushet e Palortosë, Qoftetë e Hazmuratit, për Kokonatët, Çuberatët, Sinoimeratët, Karagjozatët, familjet e fisme Gjirokastrite ku nëna kish dhënë motrat për nuse. Shtëpia e tyre ishte plot dashuri e përqafime. Xhaxhi Adili ishte si Princ Francez dhe unë e doja shumë. Të hapej barku nga kujtimet se jeta e tyre kishte dhe shuplaka që i kishin ngrënë pa fjalë fare jo si sot që vë tellallin njeriu. Mëngjesi na gjente udhës për te biletaria afër Xhamisë. Ç’të bënte nëna e shkretë, duhej të vente…një vajzë e kishte në Veri ndërsa shtëpinë e saj në Gjirokastër. Kishte mbledhur dhe ca lekë nga pensionet që t’jau u çonte.

28 Dhjetor i një viti të jetës time…

Bora kishte zbardhur Tiranën yll!! Te tarraca e pallatit tim mbledhur çuna e goca dhe me Avniun e bukur që ishte kopje e Richard Gere, gjuanin këdo që kalonte. Git Mukelin e bukur, Almën, Kirovin që na shante keq, Toren që qeshte si shpirt masanej dilte nëna e vet dhe na i këndonte këngën se e merrte personalisht. Ylli Pango që ecte si Princ, nuk ma mbante ta gjuaja se të impononte respekt. Shoku i Tij dhe komshiu im yll, i paharruari Ben Papuli edhe ndoshta. Punët e vitit të ri ishin thuajse të mbaruara. Nata magjike me qiell kristal më gjente te rruga e Ambasadave duke shkuar te shtëpia e shoqes time Anila Dindi ose motra e Marias me kaçurrela me nam nga bukuria në Tiranë. Nuk ka pse të kishte prindi frikë se ishte plot me kaleca lagjja. Në ndonjë rrugicë pak më të errët merrja ndonjë puthje të mjaltë nga djaloshi dhe fluturoja nga gëzimi. Kthimi ishte me kokë ulur dhe nata mbyllej duke shkruar në ditarin personal.

30 Dhjetor i një viti të jetës time…

Shtrohej e pastrohej shtëpia. Bëhej dritë. Gjithçka shkëlqente. Unë përgatisja valixhen për udhëtimet e gjata në borë me nënën. Babi më merrte në Ministri që të merrja edhe atje dhuratën. Ishin të shtrenjta se Ministri hesapi, lodra të rralla. Babi më thoshte të bëja kujdes që nëse më binte po për gocë ta ndërroja se kishim dhe vëllaçko në shtëpi. Por xhaxhi Dhimitër Miska i dashur, thuajse vëlla me babin, kujdesej me stil që mua të më binin lodrat më të bukura. Ai e dinte që unë rritesha larg tyre dhe besonte se qoftë dhe me lodra do afrohesha më shumë me ta. Më morri hopa në një përqafim aq të ngrohtë dhe më dha në dorë sobën-lodër të famshme kineze që ma kishte prurë vetë kur erdhi nga Kina. Atë sobë kaluan gjithë gocat e klasës që ta shikonin pastaj. Në darkë përgatisnim sallatën ruse dhe bënim byrekun me lekun e fatit brënda.

31 Dhjetor i një viti të jetës time…

Mëngjes. Gjeli ose pulat në furrë. Nëna bënte kulaçin. Një Ije e shtrenjtë Tironse që na sillte në shtëpi sallatë jeshile, vezë, kastravecë, qepë të njoma ishte po aty te dera si shpirt. Soba ishte ndezur që në mëngjes. Shkoja te një dyqan te Braka përballë –sot Prokurorisë së Tiranës dhe merrja birrë të hapur. Në televizor luhej filmi i mëngjesit “ Zonja nga qyteti”. Gjithçka gati. Kundërmonte shtëpia gatime, pastërti. Radio kishte këngë shumë të bukura. Postieri binte kartolina. Jeta ndjehej e gjallë…paratë kishin mbaruar por do hanim nga ushqimet që kishim gatuar për ditë të tëra. Shkalla oshtinte jetë. Nikoqiret jepnin e merrnin për ndonjë vezë ose piper të zi mangët. Sigurisht fëmijëve ndonjë lekë dhuratë. Tirona dukej si nuse në të bardha. Faturinot e autobuzave mërmërisnin që ende punonin. Radha e fundit për bukë Lepurushi e vitit te dyqani i bukës. Shkak donim të ngacmoheshim pak si të rinj që ishim. Kupa me karamele dhe llokume gati te bufeja. Drekë, qetësi, gjumë me babin në krevat, puthje mami. Atmosferë familjeje në sigurinë e përqafimit të tyre. Jeta të dukej e bukur me idealë të përcaktuar!! Ëndrra mund të bëje mjafton që mos kapërcenin kufirin!!

Dhe pritej ardhja e vitit të Ri…ndrrimi i viteve…

Një makinë ndalonte para shtëpisë dhe Nënë Gjylfidani dhe unë niseshim për tek pyjet me borë ka jetë. Duhej të arrinim te vajza e saj me tre fëmijë sa më shpejt. Tepsija me bakllava më shtrëngonte se nëna e mbante në duar që mos derdhej sherbeti. Te këmbët torba me ushqime. Arritëm, trokitëm, tre fëmijë derdheshin si drita mbi gjyshen e tyre. Me shpejtësi drite shtrohej tryeza edhe në atë vatër. Thuhej gëzuar, malle, përqafime, urime, qarje për vështirësi dhe fate jete dhe… prapë rrugës për në Gjirokastrën tonë.

Nëna ishe copë copë e lodhur, unë po ashtu, fëmijë në udhëtime pafund mes të Dimrit. Por Ajo ishte nënë-NËNË, shqiponjë për fëmijët e saj, për tre vajzat e saj. Kur arrinim në odanë tonë Nëna ndizte me vrap zjarrin, mbushte mangallin, çaji në çajnik, djathi që shkrihej në lugën metalike në prush, unë thithja hundën e voçkël, shtronte krevatin, bukë thekej dhe kështu…fillonte përkushtimi i Saj hyjnor për mua të lënën pas dore kaq ditë!!

Gjente fuqi dhe me plastelinë më bënte një shportë me mollë, një dele, dhe një derrkuc. Shtriheshim dhe humbja në përqafimin e Saj diellor…pritej të na zgjonte ora e Kalasë, ora ime, ora e jetës time❤

Në Tiranë më 1 Janar kishin filluar vizitat e vitit të Ri.

Sot, 2020, vit i Ri…plot vizitorë edhe tek unë…kujtimet e mija të mjalta!!

About Post Author