Apokalips 1997-Vladimir Muça


Bankat piramida të reja moderne si në 1997

APOKALIPS 1997

Dremit vendi im

Mes parash të krimit,

Ëndërron parajsën në errësirë,

Plangprishësit u bënë politikanë

Dembelët i bien kavallit në një vrimë.

U shumuan gangot si pjellë e tyre,

Pijanecë, sekuenca të këputur të një filmi,

Marramenden rrugëve të frikëshme,

Fajdexhinj të rinj në tubime grosiste

Mes kamareve të humbura arkaike.

Ngryset e zgjohet vendi im,

Gjithçka zhubrosur, lolo kur qesh;

Se dembelët vdekëtarë shtetin e ngritën

Mbi supe maskaradash

Në emërin tënd.

Vendi im ngopur në letargji,

Tund në përhumbje Çekun e Bardhë

Si shami lerosur e varrmihësit,

Në talkinin e madh.

1997

EMIGRANT

I vetmuar endem mes qiellgërvishtësve,

Fik-detë i vendlindjes më gërric shpirtin,

Më mbyt mallkim i perendive

Më ndjekin nga pas të vdekurit e fisit.

Rrudhet dita nën avuj asfalti

Në shikim të trembur shkretëtire,

Nga vendlindja, diku shkrep masati

Në eshkë regjur prej vendlindjeje.

I vetmuar endem në kët’ qytet të huaj,

Varkën e kthimit mallkimi po m’a mbyt,

Me kipsin tim tragjik zë të luaj,

Qarkuar me kurora bukovilesh jonik.

DHIMBJE

Kur shkruaj

Botën ushqej me dhimbjen time,

E ajo

Veç zgërdhihet në përqeshje.

Në çdo varg bota ime

Më ushqen me lotët e dhimbjeve.

Me botën time

Unë qaj pa pra.