‘Solomon, mos ma pre foshnjen, mos e pre, n’emër t’Zotit,
le të mbetet pjella ime e paprekur, pa cenuar!
Dhe ju, o perëndi të qiellit, ju o perëndi të paqes,
jepjani mollën e sherrit, drejtësisht, kujt i takon.’
Naim Frasheri, Dëshirë e Vërtetë e Shqiptarëve
Shkruan: Xhemail Peci
(Fragmente nga libri: Apologji për Albanokaustin, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Kombin Shqiptar)
Fushata e shfrenuar, e kordinuar për të denigruar dhe e sinkronizuar për të qëlluar, për të hedhur gurin e për të fshehur dorën, e paramenduar dhe e dirigjuar mirë nga qarqe te caktuara të politikës së vjetër të mendësisë së tejkaluar, të asaj që në analet politike quhet mjerisht jo rallë si Europa e Vjeter, na ka prekur jashtëzakonisht thellë në krenarinë tonë të ligjshme kombëtare të të qenunit shqiptarë dhe na ka indinjuar po aq thellë për shkak të pavërtetave dhe shpifjeve, të cilat kanë pasur për mentorë arkitektët e gjenocidit ndaj shqiptarëve, si Ilia Garashanini, Vlladan Gjrogjeviqi, Jovan Cvijiqi, Ivo Andriqi e Dobrica Qosiqi, së bashku me zbatuesit e kësaj politike, si Aleksandër Karagjorgjeviqi, Nikolla Pashqi, Josip Broz Tito, Sllobodan Millosheviqi etj.
Një fushatë e tillë e orkestrës simfonike të shpifjeve (me dirigjentët: Karla Dela Ponte, Dick Marty e Shmidt) të qarqeve të caktuara të mendësisë së vjetër anakronike, e që njihet tani në terminologinë e marrëdhënieve ndërkombëtare si Politika e Vjetër e Europës së Vjeter, nuk është zgjedhur rastësisht.
Në të vërtetë, një fushatë e tillë ka ekzistuar që më parë ndaj kombit shqiptar në përgjithësi, e tani mjerisht po përsëritet dhe po shafqet në veçanti në format dhe në metamorfozat e saj më të shëmtuara, si vetë metastazat e kancerit.
Kjo fushatë, sa tinzare aq edhe qyqare, sa e padrejtë aq edhe e rrezikshme, sa mjerane po aq edhe trumpetonjëse, e drejtuar kundër kombit shqiptar, kundër dinjitetit të tij, kundër lirisë dhe pavarësisë shqiptare, kundër kulturës dhe traditës sonë liridashëse dhe demokratike, e në mënyrë të veçantë si një mynxyrë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën synon dhe mëton me çdo kusht ta shpallë si heretike dhe si kriminale, te cilën synon me cdo kusht ta demonizojë, ta satanizojë, ta linçojë, ta denigrojë, ta degradojë dhe ta delegjitimojë luftën e saj te drejtë dhe heroike, ka për qëllim të vetëm rrezikimin e paqes edhe ashtu të brishtë në hapësirën ballkanike të luftërave dhe fushëbetejave të përgjakshme e të panumërta, ka për synim të vetëm prishjen e paqes dhe të stabilitetit, dhe përfundmisht ka për objektiv çekuilibrimin e balancës politike të cilën bashkësia ndërkombëtare, e ka arritur me aq mund, përpjekje dhe investime të mëdha.
Jo rastësisht këto qarqe anakronike, zgjodhën ndofta momentin më të gëzuar në historinë e shqiptarëve si komb, Liberalizmin e Vizave për Shqipërinë. Pa iu gëzuar mirë festës, fill pas këtij evenimenti kaq të rëndësishëm për ne si komb dhe për atdheun tonë të shumëvuajtur, me qëllim që të na prishnin harenë dhe kremten, gazin dhe gëzimn e kësaj feste të madhe, për të cilën breza dhe gjenerata të tëra të shqiptarëve kishin pritur dhe ëndërruar me shekuj, një gjuhë gjarpri derdhi helm e vrerë mbi krenarinë dhe dashurinë tonë të përmasave sa reale po aq edhe mitike: Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kur Shqipëria po shijonte për herë të parë në historinë e saj si shtet, më në fund, dorën e ngrohtë te Europës mëmë, prej prehrit të së cilës, politika e ftohtë e ansambleve të mjekrrave të thinjura të qarqeve hipokrite të padrejtësive historike të së kaluarës, e kishte mbajtur aq larg, padrejtësisht larg, dhe kur Kosova – firmamenti i përgjakur i shqiptarëve ndër shekuj, populli i saj dhe shteti i porsalindur e i pagëzuar nga bota përparimtare liridashëse me të drejtë aq simboliksiht si Newborn, po shpallnin fituesin e zgjedhjeve, mjerisht historia u përsërit kundër nesh.
Dick Marty me një gur synoi të vriste dy zogj: shtetin e Republikës së Shqipërisë dhe shtetin e posaformuar të Republikës së Kosovës: Merrini, ua solla, ishte një terren i vështirë dhe vazhdimsht binte shi! Kështu do të shprehej Gjenerali i ushtrisë së vdekur, në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Kështu bëri edhe ky Gjeneral i Ri me një mision tepër të vështirë – si vetë Guri i Sizifit; herë avokat dhe herë prokuror ky që me veprimet e tij na kujton thënien e moçme latine se padrejtësinë e urrejnë edhe ata që e bëjnë, e që në qëllimin e vet dinak e perfid na kujton gjithashtu thënjen e shquar të Denis Didëros, se kur e keqja mbërrin kulmin, zëron të kthehet në të mirë, sepse po këtë politikë e ka pohuar edhe vet Dobrica Qosiqi kur thoshte se gënjeshtra po të përsëritet njëqind herë, ajo bëhet e vërtetë: “Ne gënjejmë…Ne gënjejmë, e kemi gënjyer veten, se ngushëllojmë veten; ne gënjejmë se na vjen keq për veten, ne gënjejmë kur themi se nuk kemi frikë, se jemi të guximshëm, sepse fshehim fatkeqësinë tonë dhe të tjerëve. Ne gënjejmë kur themi se e bëjmë këtë nga dashuria dhe mirësia njerëzore, ne gënjemë për hir të nderit, për hir të lirisë. Gënjeshtra është lloji ynë i patriotizmit dhe rrëfimi i intelektualeve tonë të degjeneruar. Ne gënjejmë me qëllim, me këmbëngulje dhe vazhdimisht. Të gënjyerit është një aspekt i patriotizmit tonë dhe një prapambetje e intelegjencës sone të lindur”.
E në qoftë se është e vërtetë se historia është mesuesja e jetës, në qoftë se është e vërtetë se Eva është nëna e njerëzimit, në qoftë se është e vërtetë se liria ështe bija e fitores, në qoftë se është e vërtetë ajo që e ka thënë Napoleon Bonaparta se në perehër të nënave lindin kombet, në qoftë se është e vërtetë se shtypshkronja është nëna e të gjitha revolucioneve, në qoftë se është e vërtetë se Europa është nëna e lirisë dhe e arteve, ashtu siç e ka cilësuar ate aq bukur poeti romantik gjerman e me origjinë hebreje Hajnrih Hajne, atëherë s’ka se si të mos jetë e vërtetë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi më myjnor me te cilin Zoti i madh e i plotfuqishem ia ka dhënë misionit dhe vizionit njerëzor, e njekohesisht përmes urdhërit të tij dhe bekimit të tij hyjnor na e ka dhënë atë neve, pikërisht për lirinë, për pavarësinë, për begatinë dhe lumturinë e një kombi të cilit ne e kemi tepër për nder dhe për krenari të ligjshme që i takojmë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është paja me të cilën atdheun dhe kombin tonë e ka pajisur Zoti vetë.
Prandaj akuzat dhe shpifjet me paramendimet dhe prapavijat janë pa bazë reale. Të lindur dhe të rritur në një traditë të fortë familjare e shoqërore, në një rreth intelektual tepër të gjërë e premtues sa dhe rrezatues, shqiptarët kanë respektuar gjithmonë normat që parcaktuan të parët tanë që në Kanunin e Lekë Dugagjinit, se as robi e as kufoma e të vrarit nuk guxojnë të preken, e lëre më të shëmtohen.
Këto fakte të dokumentuara historike flasin vetvetiu sa herë që dalin kësi kaubojë si Dik Marti, mendje tejet të çekilibruara që herë akuzojnë e herë shpifin në raportet e tyre prej një imagjinate të sëmurë, që merren me profka dhe jo me prova, që merren me llafe dhe jo me fakte, që herë qeshin e herë qajnë, që herë na shajnë e herë na kërkojnë falje; që herë na vrasin e herë na përqafin, apo edhe të tjerë të cilët mund të shfaqen e përshfaqen nesër apo pasnesër, prej të cilëve nuk është çudi që një ditë do të dëgjojmë të thonë se edhe arkitekti gjenial Karl Gega i ka projektuar kryeveprat e veta gjeniale arkitektonike në Europë (ura, tunele-si ai i Semeringut, e hekurudha me të cilat lidhi më shpejt Alpet dhe Europën), me qëllim që shqiptarët, përkatësisht guerilët e UÇK-ës të kalojnë andej për të transplatuar veshkët; se edhe Marko Boçari, edhe Bubulina Laskalina e madje ndoshta edhe vetë poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni, apo në kohët pas tyre, Asim Vokshi, Xhemal Kada a madje edhe Petro Marko duhet hetuar se mos kanë shkuar për të marrë mëlçi, veshka a zemra e jo për të lënë kockat për Republikën edhe lirinë e Spanjës, e rrjedhimisht edhe për lirinë e Europës së bashkuar e demokratike!…
Ushtria Çlirimtare e Kosovës eshtë nderi dhe krenaria e kombit shqiptar.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është rrufepritësi i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është gjaku i derdhur lumë, i bijve dhe bijave më të mirë të këtij kombi.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës as nuk ka qenë dhe as nuk është Ushtri grupesh e klanesh.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është Ushtri e dalë nga gjiri i popullit dhe me rrënjët në popull.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vetë ajo që e ka shkruar Elena Gjika: Liria, thonë Fatosat e Sulit në përsëritjen e një kënge që e kanë fort për zemër, ka qenë kurdoherë e bija e ngadhënjimit.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është themeluar, është formuar, është konsoliduar, është masovizuar, është drejtuar dhe është profilizuar në pozicionn e saj më të drejtë kombëtar e historik, nga intelektualë, studentë, profesorë, ushtarë, oficerë dhe ushtarakë të dalë nga masat e gjëra të popullit e me pjesemarrje masive në baza vullnetare dhe kurrsesi në baza mercenare; ajo është formuar dhe është konsoliduar nga bijtë dhe bijat e saj më të mirë dhe më të devotshëm, me një traditë të formuar familjare, kombëtare e liridashëse përparimtare, të cilët kanë punuar, kanë vepruar dhe kanë luftuar duke u mbështetur fort në bazat e parimeve dhe principeve themelore të filozofise politike e ushtarake kombëtare shqiptare, si dhe të asaj euro-perëndimore.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës për platformë të saj politike, praktike dhe ideologjike, nuk e ka pasur krimin te cilin mëtojnë me çdo kusht t’ia veshin, por çlirimin dhe përparimin e vendit dhe të popullit.
Ushtria Çlirimtare e Kosvës e ka meritën e pamohueshme politike dhe historike, sepse i ka dhënë fund njëherë e përgjthmonë padrejtësisë së shëmtuar mijëravjeçare serbe, e cila me dhunë dhe me gjak e mbante nën thundër e nën lak, me topa dhe me tanke, mes kudhrës dhe çekanit, mes Scillës dhe Haridbës, mes gjëmës dhe gjakut, truallin dhe popullin e Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka meritën e pakontestueshme politike dhe historike, sepse e ka shkëputur popullin e vet, njëherë e përgjithmonë, nga zinxhirët e skllavërisë e të barbarise shoveniste serbe të Hiltlerit të Ballkanit – Sllobodan Millosheviqit.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ka meritën e patjetërsueshme politike dhe historike, sepse i ka dhënë fund, njëherë e përgjithmonë robërisë në Europë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ka meritën e saj kombëtare sepse mbi themelet e gjakut të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, ka mundësuar që të ngriten themelet e shtetit te Kosovës, të Republikës së Kosovës, shtet i pavaur, sovran dhe demokratik, ku respektohenn parimisht, si të drejtat e shumicës ashtu edhe të pakicave.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës e meriton mirënjohjen më të lartë dhe më të thellë, si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare, sepse Kosovën pas njëqind vjet të sundimit të egër, gjakpirës e tiranik okupues serb, ia ka kthyer Europës sërish në gjirin e saj, do me thënë, ia ka kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur popullit te vet dhe e ka kthyer Kosovën në prahrin e Europës, aty ku e ka vendin e saj të merituar, ashtu siç kanë gjakuar breza dhe gjenerata të tëra të shqiptarëve atdhetarë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ka meritën e pamohueshme, të pakontestueshme e të patjetërsueshme, politike dhe historike, sepse de jure dhe de faco, ia ka kthyer Mona Lizën Muzeut të Luvrit, do me thënë se Kosovën e vjedhur, të grabitur e të plaçkitur, të robëruar e të masakruar padrejtësisht me shekuj, të sakatuar mizorish dhe egërsisht, ia ka kthyer Europës mëmë, nënës së lirisë dhe ateve, gjirit të saj dhe prehrit te saj, ku ajo e ka vendin të cilin e don dhe e meriton.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është vetë bekimi dhe urimi që ka bërë poeti atdhetar, Pjeter Budi:
Qoftë për të mirën e dheut të Arbërit!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, po të na lejohej të merrnim lirinë e të parafrazonim Pjetër Bogdanin dhe librin e tij “Çeta e Profetëve”, është vargu vargan për truallin dardan të larë me gjak: ‘Veshur me Diell e mbathur me Hënë.’
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është ajo që e pat thënë poeti lirik e njëlloj atdhetar, Lasgush Poradeci: Pelerinata e gjakut!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, siç do të thoshte këtu e 70-të vjet me parë, poeti e prifti patriot Dom Ndre Zadeja, nuk lejoi që të të tjerët: “Me na trajtue si teprica të përgjakuna të këtij trungu të vjetër”.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka dëshmuar, e dëshmon dhe do ta dëshmojë kurdoherë, qartë dhe zjarrtë, se shqiptarët nuk do të pranojnë më kurrë të trajtohen, as si turma të përgjakura e as si diamante të pagdhendur, ajo e ka dëshmuar, e dëshmon, dhe do ta deshmojë kurdoherë, se dashuria ndaj atdheut është ushtria më e fortë e një kombi.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është ajo që na kanë mësuar këngët dhe legjendat tona popullore, apo siç do te thoshte Fishta: Lacromatoriumet (Lotoret) tona: ‘Sa dhemb gjaku nuk dhemb deti/na kanë mësuar nënat tek djepi’
Ushtria Çlirimtare e Kosvës është Ushtria e Motit të Madh, siç do të shpreheshin arbëreshët për Gjergj Kastriotin, luftën e tij heroike dhe për fitoret e tij.
Ushria Çlirimtare e Kosovës është vetvetiu edhe Ushtria Çlirimtare e Europës, e cila po mbahej ne ate cep e Ilirisë së Moçme, (siç e ka thënë autori i shquar i Poemthit Kosovar si dhe te Poemës për Shën Naumin, Mitrush Kuteli) akoma e robëruar dhe e kolonizuar nga regjimi brutal i dhunës dhe i gjakut, që po bënin serbët për të satën herë, mbi kombin tonë dhe mbi tokat tona.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë per liri dhe pavarësi kombëtare, nën Flamurin e Gjergj Kastriotit, nën palët e të cilit janë zhvilluar te gjitha betejat hisorike dhe heroike për çlirimin kombëtar dhe shoqëror, nën palët e të cilit janë shpalosur virtytet më sublime dhe tiparet më dalluese të kombit shqiptar, trimëria dhe heroizmi, besa dhe krenaria, dhe më në fund nën palët e të cilit jo rrallë, siç e ka thënë Faik Konica, janë shkruar me gjakun tonë fletët e historisë së Europës, në mbrojtje të lirisë së cilës shqiptarët jo vetëm njëherë, kanë vënë për mburojë gjoksin dhe jetën e tyre.
Ushtra Çlirimtare e Kosovës, formacionet e saj ushtarake dhe liridashëse, siç do të shprehej për qëndresën historike të shqiptarëve të Kosovës, poeti mëmëdhetar Ndre Zadeja: ‘pa marrë parasysh rreziqet e jetës, i dualën zot me gjoks e me gjak Kosovës së shkretë’, sepse do të theksonte ai: ‘Ideali përfiton lirinë e liria përfiton jetën’, sepse do të nënvizonte Ndre Zadeja: ‘Në këtë shkurticë kohe/Njeriun kur e drejton e randë detyra/Jeta s’kushton sa deka’.
Ushtria Çlirimtare e Kosoves i dha fund regjimit gjakatar serb që e kishte shëndrruar Kosovën në një burg hekurash, vuajtjesh dhe torturash, i cili duhej shpërthyer me çdo kusht, e që do të behej vetëm me grykë të armëve, jehona e te cilave çau si rrufe shtigjeve të lirisë, duke i dhënë fund Jugosllavisë Karagjorgjeviqo-Titisto-Millosheviqiste, kësaj Bastilje te fundit që po mbillte vdekje prej zemrës se saj te quajtur Beograd, një emër për të cilin s’kemi se si të mos e kujtojmë thënjen e njohur të Fransua Mari Arue Volterit-bir i shekullit të dritës, se një emër si ky ikë nga epiteti i vet…
Ushtria Çirimtare e Kosovës, gjithmonë e ka respektuar edhe ndjenjën e nderit por edhe ndjenjën e respektit të ligjit, pikërisht sipas asaj qe Hugo Gratius shkroi në ‘Belli ac Pacis‘, në vitin 1625, (faqe 716): ‘A sense of honor may be said to forbid what the law permits’, që përkthyer shqip do të thotë: Ndjena e nderit nuk e lejon ate qe ndoshta ligji do ta lejon.
Lidershipi ushtarak dhe politik i Ushtrrise Çlirimtare të Kosovës, prirë nga intelegjenca dhe elita kombëtare shqiptare, për synim te saj historik ka pasur parimin e njohur të qytetërimit dhe të politikës perëndimore: I govern, so I serve; do me thenë unë qeveris, unë shërbej, pra të zhvillosh dhe të përfaqësosh çështjet shtetërore është art-arti i zhvillimit të çështjeve shtetërore.
Në të vërtetë të gjitha betejat historike për çlirimin kombëtar e shoqëror, që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut e deri me sot, janë zhvilluar nën Flamurin e Lirisë, luftë kjo për të cilën diplomati Pal Ëngjelli në një letër të vitit 1463, i shkruante Skëndërbeut:
‘O princ i pamposhtur, do thërriste Platoni, e bukur dhe e begatë është republika, mbretëria dhe perandoria, kur ajo udhëhiqet nga njerëz shumë të mirë dhe shumë të ditur. Kështu, në fakt, në këtë kohë ne shikojmë (admirojmë) dritën e qartë që i ka ardhur Shqipërisë sonë, e cila udhëhiqet nga ti, nga një princ shumë i ditur, perandor i përsosur, kont i pamposhtur. Për këtë shkak, jo pa arsye, të gjithë fqinjët, princërit dhe mbretërit e afërt të drejtohen ty, si kommandant të vetëm energjik, të dërguar nga qielli për të mbrojtur perandoritë dhe mbretëritë e tyre nga çmenduria dhe nga egërsia otomane e barabre, të cilët presin të udhëhiqen nga ushtria jote…Tunde forcën dhe ndjenjën shpirtërore, fto të gjithë komandantët dhe ushtarakët tu, mblidh kryepleqtë e fiseve dhe popullin, fto fqinjët, mbretërit dhe sunduesit që i ke aleatë…Për këtë, Skëndërbe, vertet të them: Skenderbe, ti, po ti, nderi i të gjithë princërve, mbretërve dhe sunduesve, me çetat tua, fillo luftën me tiranin barbar, sulmo tokat e tij dhe futi frikën e tmerrin deri në kockë.’
Të tillë e kanë mbajtur Gjergj Kastriotin-Skëndërbeun, shqiptarët atdhetarë ndër breza si Krye-Komandant të pçrjetshëm të forcave të armatosura shqiptare, kurse armiqtë me të cilët do të ndesheshin shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre shumëshekullore, janë po si ata të cilët në penën e mprehtë të kryediplomatit të shquar të Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, Pal Ëngjëllit, janë portretizuar kështu:
‘Megjithatë, të kalojmë te karakteri i tij. Mehmeti ka fuqi të shumta fizike dhe shpirtërore; por edhe vese të këqija dhe të degjeneruara; armik i gjinisë njerëzore; gjakpirës, koka e krimit, kampion i të gjitha dredhive, nxitës i vdekjes, baba i të gjitha poshtërsive, vrasës ordiner. Kishte lindur te njerëz që kishin një traditë të tillë, duke ruajtur shfrenimin dhe egërsinë barbare; gjithashtu në çdo moshë ishte i bastardhuar. Në rininë e tij, luftërat, vrasjet, rrëmbimet dhe plaçkitjet, i kishte shumë qejf. Shpirt të paturpshëm, tinëzar, mashtrues, dëshirues i të huajës, i pakontrolluar në epshe, kërkues dhe i pangopur, insistues për plotësim dëshirash, i pabesë.
Në të, pra kishte më shumë sesa mund të thuhet me fjalë, i ishte rritur dëshira për paranë dhe pastaj edhe për pushtet. Ky është ai Mehmeti i II-të i cili nga verbëria për pushtet ka therrrur të vëllanë; me dredhi vrau sunduesit e Rashës dhe mbretin e Bosnjes, ndërsa të afërmit e tyre i bëri robër dhe skllevër, duke ua nxjerrë sytë ose duke ua gjymtuar ndonjë pjesë tjetër të trupit. Çfarë të të them për të tjerët në të cilët ka provuar të gjitha mynxyrat e torturave? Kështu që karakteristikat dhe vetitë e tij jonjerëzore, kurrë nuk mund t’i ndryshojë.
Në besim ndaj Zotit është i pamoralshëm, ndaj njerëzve-armiqësor; çdoherë shkon drejt shkatërrimit. Miqësitë dhe armiqësitë nuk i bën sipas rastit, po sipas fitimit. Për asgjë nuk ka masë, nuk vepron me arsye, ndaj miqve sillet me neveri dhe ashpërsi, hapur dhe në emër të tij plaçkitë dhe dhunon vendet e shenjta, rrëmben çdo gjë, grabitë çdo gjë, pa asnjë arsye ngatrron ndershmërinë, pastërtinë dhe shenjtërinë njerëzore. Pothuajse të gjithë kundërshtarët i ka vënë nën zgjedhë, dhe i ka vrarë dhe kthyer në skllevër të tjerët.’
Zonja dhe zotërinj, ne i bëjmë thirrje arsyes suaj (sepse forca e bindjes nuk ka tjetër tempull përveç fjalës, shkrunate Eskili, sepse poeti antik Virgjili e ka thënë aq bukur: Pagere pavros, debellare superbas – Të mbrosh të vegjlit e të mposhtësh kryelartët; sespe fuqia e një fjale, e një rime ka fuqinë e një peranorie, shkruante Bajroni, sepse Miltoni thoshte me të drejtë: Të bësh krim mbi dike duke derdhur gjak ke bërë krim, të bëshh krim ndaj arsyes, do të thotë të bësh krim të dyfishtë) si pëfaqësues më të nderuar e më të lartë të Europës prej ku Rene Dekarti gjithashtu i thirri arsyes (pikërisht ashtu siç do të thoshte poeti gjenial Omar Khajami: Duke shenjtëruar ndërgjegjen time), e prej ku filozofi eminent Viktor Imanuel Kanti definoi paqen universale, do me thënë paqen botërore; duke pyetur në vazhdimësi:
A do të fitojë Europa e Dick Martit, e Karla de La Pontes, Europa e Shmid-it, apo Europa e Vilhelm Telit, Europa e Oliver Kromuellit, Europa e Gjergj Kastriotit, Europa e Janosh Huniadit, Europa e Xhuzepe Garibalit, Europa e Uinston Çërçillit, Europa e Sharl De Golit, Europa e Volfgang Amadeus Mocartit dhe Luvig van Bethovenit, apo do të ditojë Europa e Salierit?! Cila Europë do të fitojë: Europa e Eskilit, Europa e Dante Aligerit, Europa e Uilliam Shekspirit, Europa e filozofisë së Viktor Emanuel Kantit për paqe universale (ashtu sikurse vetë doktrina e Gëtes për letërsinë botërore/universale), Europa e Nënë Terezes, Europa e Aleksandër Moisut, Europa e Ismail Kadaresë, Europa e Adem Demacit, Europa e Vehbi Ibrahimit, Europa e Enver Hadrit, Europa e Jusf Gërvallës, Bardhosh Gervallës e Kadri Zekës-që ranë nga plumbat e shërbimit sekret jugosllav e mu në truallin e Europës, vetëm e vetëm sepse nga zemra e Europës luftonin për çlirimin e kolonisë së fundit që kishte mbetur në trupin e Europës; a do të fitojë Europa e Vaclev Havelit, Europa e Adem Jasharit e Ukshin Hotit, Europa e parimeve të proklamuara të vëllazërisë, të lirisë e të barazisë; Europa e Françesko Petrarkës, Europa e Denis Didëros dhe Europa e Monteskejeut, Europa e Isak Njutnit dhe Europa e Aleksander Flemingut, Europa e Marie dhe Pjer Kyrit, Europa e Alfred Nobelit, Europa e George Vilhelm Firiderih Hegelit, Europa e Fransua Mari Arue Volterit dhe Europa e Zhan Zhak Rusoit, Europa e Hajnrih Hajnes, Europa e Johan Volfgang Gëtes dhe Europa e Friderih Shilerit dhe e Shandor Pëtefit, Europa e Xhorxh Gordon Bajronit, Europa e Onore de Balzakut dhe Europa e Viktor Hygosë, Europa e Emil Zolës dhe Europa e Zhan Baptist Pokëlen Lily-Molierit; Europa e Leonardo Da Vinçit, Europa e Mikleanxhelo di Lodvigo di Buanaroto Simonit, Europa e Rembrantit, Europa e Van Gogu, Europa e Pablo Pikasos; Europa e Miguel de Servantes Savaderës dhe Europa e Federiko Garsia Lorkës, Europa e gjenive të njerëzimit dhe e korifejve të tij, Europa e Bashkuar dhe Europa e Re apo Europa e Vjetër dhe Europa e Ndarë; Europa e Alfred Nobelit apo Europa e ansamblesë së mjekrrave të thinjura të politikës së vjetër të Europës së Vjetër, Europa e Shkëlqesisë së Saj Mbretëreshës Elizabeta e II, Europa e Shenjtërisë së Tij Papa Gjon Pali II, Europa e Qeverisë së Shkëlqesisë së Tij Alberti i II, Europa e Zonjës së Nderuar Angela Merkel, Europa e Doktrinës së Ndërhyrjes Humanitare të Toni Blerit, Europa e Zhan Dark dhe Europa e Marie Kyrit, Europa e Shkelqesisë se Saj Micheline Anne-Marie Calmy Rey, Europa e Zotëri Bart Staes (një belg që ka dhënë një kontribut të veçantë në Parlamentin Europian për çështjen shqiptare), Europa e zonjës së ndjerë Anna Lindt të Suedisë, Europa e zonjave fisnike dhe Bujare Doris Pak dhe Tanja Fajon, Europa e Aleksander Dymas, Europa e Gustav Flobertit, Europa e Sigmund Frojdit, Europa e Herman Hesses dhe Europa e Stefan Cvajgut, Europa e Bashkuar me Kosovën si tërësi territoriale e si shtet integral në Aleancën Euro-Atlantike, apo Europa e ndarë, e copëtuar, e sakatuar dhe e fusnotizuar, e torturuar dhe e injoruar në të drejtën e saj demokratike dhe historike, e përçarë me Urën e Ibrit të këputur ne dysh; Europa e Galileo Galileut, Europa e Xhordano Brunos, Europa e Jan Husit, Europa e Alfred Drajfusit, Europa e Promethenjve që zjarrin e lirisë e çon tutje apo Europa e Ernest Erverhardit; Europa e paqes, e lirisë, e barazisë e vëllazërisë dhe e përparimit, apo Europa e të dy luftërave botërore; Europa e forcave të errëta apor Europa e vizionit të ri dhe e misionit të ri; Europa si një çerdhe e zvetënimit apo Europa si djep i qytetërimit?!…
Zonja dhe Zotërinj, shkëlqesi, marrim lirinë e shprehjes dhe Shprehim kënaqësinë e veçantë që të kërkojmë të shtrojmë pyetjen, për të cilën jemi të prirur të besojmë se shpreh edhe shqetësimin dhe preokupimin e të gjithë atyre që paqen e duan jo vetëm në fjalë por edhe në vepra:
Cili vizion dhe cili mision do të fitojë?
Le të na lejohet pra të citojmë Herman Hessen, një poet nobelist e një shiprt i ndieshëm po aq sa dhe kryengritës, i cili gjatë Luftes së Parë Botërore, për shkak te ideve paciifiste qe shrënguar ta linte Gjermaninë dhe të shkonte në Zvicër, ku iu dha shtetësia zvicerane me 1923.
Një ditë para se të vdiste, ai shkroi poezinë e tij të fundit, me titull: ‘Klithja e një dege të thyer’ ku në mes të tjerash shkruante:
E tharë kumbon dhe këmbëngulëse është kënga e saj,/kryeneçe rikumbuese dhe në fshehtësi ankthi/do të vazhdojë për gjthë verën/për gjithë dimrin gjithashtu.
Do me thënë:
Këmbëngulëse është kënga e saj. Pra, Kënga e Lirisë, Kënga e Europës dhe Kënga e Kosovës së bashkuar.
Sërish, cili vizion dhe cili mision do të fitojë?
Ai që e tha Gëte se njëlloj si Lindja ashtu edhe Perëndimi të Zotit janë, apo ajo që tha Kiplingu, se Lindja është Lindje dhe Perëndimi është Perëndim; pra bashikmi apo ndarja, e kaluara apo e ardhmja, lufta apo paqja?
Vallë cilën tablo dhe cilat pamje do të preferojë Europa, ate të Mona Lizës apo Gernikën?
Vallë, ku do të ishte sot Europa dhe ku njerëzimi sikur të mos bëheshin dy luftërat botërore, që nisën mu në truallin e saj?!
Vallë, çka mendon Marti dhe të gjithë ata që me pseudoaporte si të tijat, e që s’janë gjë tjetër veç se aborte të politikave anakronike të qarqeve të vjetra te Europës së Vjeter, se vërtetë KFOR-i e EULEX-i i paska ndaluar dhe i ndalon shqiptarët për të bërë masakra?
Jo zonja dhe zotërinj. Adem Demaçi beri 28 vjet në burgjet më të tmerrshme të Jugosllavisë, po kurrë kush nuk e dëgjoi të thërriste për hakmarrje.
Shqiptaret nuk i lejon as tradita, as edukata familare e as ajo kombëtare, as dija dhe madje as kulura perëndimore të bëjnë vepra të tilla, për të cilat mentorët e politikës së vjetër të Europës së Vjeter, i akuzojnë pa pra.
Pa egoizëm e pa fanatizëm, siç i ka thenë Ndre Zadeja Fulvio Cordignanos, kur ky po fyente rëndë kombin dhe atdheun tonë, duke lëshuar piskamën: Dëshmitare ty të thërras o e tepruemja/ duresë shqiptare, ti qi vuen pa za/ e bren pa ndi, e kjan pa ankim,/ e therr pa vra..
Ata nuk i ndalon as frika dhe as ndëshkimi. Para së gjithash e mbi gtë gjitha, ata i ndalon ndërgjegja dhe paqësimi, sepse e gjithë Rilindja Kombëtare Shqiptare fillon dhe mbaron, mëson, këshillon dhe frymëzon nën thirrjen e qartësisë lapidare që bëri poeti, publicisti, diplomati dhe burrështeti i shquar, poeti i pushkëve të bardha, shkodrani i mençur e shqiptari i madh, Pashko Vasa, se: ‘Urdhërat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë dhe të na bindin për ushtarë.’
Apo edhe siç do të thoshin Bajroni dhe Diogjeni: Unë jam qyetar i botës, ki kurajon, mos ke frikë, eja me mua.
Shkoni, thoshte Xhek Keid, digjni arkivat mbretërore, dhe goja ime ka për të qenë Parlament i Anglisë, shkruante Ipolit Ten.
Le të shkojnë dhe le t’i hapin varrezat masive; le të numërohen dhe identifikohen trupat e masakruar, le të hapen arkivat serbo-jugosllave, arkivat e monarkive ballkanike e të shteteve të tyre shoveniste, madje jo vetëm ato, dhe krimet që historikisht janë bërë kundër shqiptarëve, kanë për të qenë vetë apologjia jonë më e mirë dhe më e drejtë, si përpara gjyjatës njerëzore ashtu edhe para asja hyjnore.
Prandaj zonja dhe zotërinj, më shumë drejtësi për shqiptarët, më shumë korrekteëi zonja dhe zotërinj, sepse politika nuk është më e lehtë se fizika, siç ka thenë me të drejtë gjeniu i shkencës Albert Ajnshtajni, por edhe për vetë faktin që e ka dëshmuar historia se kurrë me nuk do të ketë paqe në kurriz të shqiptarëve, jo vetëm pse në hapësirat euro-atlantike kemi një realitet të ri, një njëmendësi të re, jo vetëm pse rrethanat gjeo-politike nuk janë më aq te disfavorshme siç kanë qenë më përpara për shqiptarët, por sepse nuk mund të injorohet përgjithmonë e drejta demoktarike sa dhe e shenjtë e një kombi me histori të dëshmuar mijëravjeçare, pët të jetuar i lirë në tokat e tij e ku prej se ka lindur dielli mbi këtë botë: është popull autokton.
Rrëfe, o mal i Sopotit/dhe ti, Tomor i Zotit, siç do të shkruante poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, apo siç do të shkruante Lamartinit se: ‘Dheu ish vetë perëndi e stërgjyshërve të shqiptarëve, siç qe dhe Dielli dhe Deti, ndaj besoheshin dhe adhuroheshin prej tyre.’
Apo ashtu siç ka thënë një prej ikonave më të shquara të njerëzimt, Abraham Linkoln: ‘Ata që ua mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë ate për vete, sepse edhe drejtësia e Zotit do t’ua heqë atyre lirinë. Gjerësa unë nuk dua të jem skllav, nuk dua te jem as pronar skllevërish…Duke mos ia dashur të keqen askujt, duke ua dashur të mirën të gjithëve, me përkushtimin aq shumë ndaj së drejtës, sa Zoti na krijon mundësi ta shikojmë të drejtën. Atëherë, le të përpiqemi që ta mbarojmë punën që kemi ndërmarrë: t’ia shërojme plagët kombit, të kujdesemi për ata që ia kanë kushtuar jetën luftës, për të vejat e tyre dhe për jetimët e tyre, të bëjmë gjithëçka për të arritur një paqe të drejtë dhe afatgjatë brenda nesh dhe me të gjitha vendet e tjera.’
Pra, zonja dhe zotërinj, shkëlqesi:
Mbrojtje/Apologji për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të drejtën tonë demokratike, legjitime, krejtësisht të natyrshme dhe pse jo edhe të perëndishme, Apologji për kombin shqiptar, Apologji për të vrarët dhe të zhdukurit në masakrat e panumërta të kryera nga klikat shoveniste ballkanike të Aleksandër Karagjorgjeviqit, të Nikolla Pashiqit, të Mareshalit gjakpirës jugosllav Josip Broz Tito (sidomos në Drenicë – ne Arbninë e Vogël), të Gjeneral Jankoviqit, te Apisit e te Dorës se Zezë Serbe, të Drazha Mihajlloviqit, të Aleksandër Rankoviqit e të Sllobodan Millosheviqit, të Sava Batares e të Miliq Kërstes; Apologji per krimet e kryera nga Napoleon Zerva e bandat andarte greke të frymëzuara edhe nga Venezillosi për ëndrrën e çmendur të Vorio-Epirit; Apologji për bashkatdhetarët tanë-mish nga mishi ynë e gjak nga gjaku ynë, rënë në gjenocidin dhe etnocidin kundër shqiptarëve; Apologji për Albanokaustin, Apologji për të Masakruarit në Masakrën e Tivarit e Lugut të Baranit, për Masakrën e Isniqit kur me 1921 u prenë dhe u masakruan nga serbet 38 vetë; për masakrat e Becit, të Mejës, të Reçakut, të Preakzit, të Qyshkut, të Rahovecit, të Krushës së Madhe, të Belegut, të Burgut të Dubravës; Apologji për të masakruarit në Masakrën e Peshkopisë, Apologji për Shpirtrat e bardhë të shqiptarëve të zhdukur e të hedhur nëpër puse e shpella, Apologji për shqiptarët/europianët e djegur nëpër furrënalta e të ngrirë në frigoriferë, Apologji për personat-shqiptarët e pagjetur e të zhdukur, apologji për të masakruarit, të torturuarit, të karbonizuarit, Apologji për gjakun e brerë nga mijtë, Apologji për të masakruarit në kazamatet jugosllave, Apologji për arkivolet e djemve qe u ktheheshin nënave të vdekur nga shërbimi ushtrak jugosllav, Apologji për të helmuarit e të paralizuarit nga helmi i Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, Apologji për të torturuarit në Goli Otokun famëkeq, në Qelikullat e Nishit, në CZ-n famëkeqe të Beogradit e në Kullën e Sheremetit, Apologji për të vrarët, të masakruarit e të torturuarit e hedhur nëpër varrezat massive me të cilat janë mbushur tokat shqiptare, Apologji për klavikulat e vjedhura, Apologji për faktet e fshehura e për artefaktet e vjedhura nga toka jonë, Apologji për arat e mbjellura me mina, Apologji për plisat e përgjakur, Apologji për të zhvendosurit nga vatrat stërgjyshore dhe nga trojet shekullore, Apologji për Urën e Ibrit të këputur në dysh, Apologji për Kosovën si tërësi territorial-pra Apologji për Europën e Bashkuar, Apologji për paqen edhe ashtu të përgjakshme dhe Apologji, Zë-Thirrje dhe Zemër-Thirrje për një paqe të përhershme në hapësirën e përgjakur ballkanike, Apologji për nënat me lotë në sy, për nuset, për motrat, për vajzat që nuk dinë se ku i kanë djemtë, vëllezërit e burrat; Apologji për fëmijët që nuk dinë se ku i kanë prindërit, Apologji për kalamjtë e cfilitur të Kosovës martire, Apologji per motrat që nuk i lanë të bëheshin kurrë nuse, Apologji për nuset që s’i lanë kurrë të bëheshin nëna, Apologji për gjymtyret e këputura e për kurmet e sakatosura, Apologji për armatën e të papunëve, Apologji për varfërinë ekstreme, Apologji për shqiponjat që fluturojnë lart ndër shekuj por që presin si në një shtetrrethim për të marre një vizë Apologji për Tragjedinë e Otrantos e për të mbyturit në lumin Tisa, Apologji për europianët që nuk mund të venë pa viza në Europë, Apologji për viganin e mendimit e të veprimit politik e të vizionit Euro-Atlantik për Kosovën-Ukshin Hotin:
Apologji për Albanokaustin!…
Tomas Stern Eliot ka shkruar se dy vetë e ndajnë botën: Dante dhe Shekspiri. As në Ferrin e të parit dhe as në tragjeditë e të dytit, nuk ka skena më rrëqethëse e krime më makabre se ato që janë bërë ndaj shqiptarëve historikisht! Vetëm në fund të shekullit XX-të dhe në fillim të shekullit XXI, janë kryer mbi 400 masakra mbi shqiptarët e pambrojtur e të pafajshëm. Është e pashembullt në historinë e njerëzimit, që krime e masakra përmasash të tilla të ndodhin mu në zemër të një kontinenti që është djep i qytetërimit. Pa dyshim se kjo të kujton Parajsën e Humbur, poeti i së cilës Xhon Miltoni, shkruante një testament, jo vetëm për Europën por për gjithë njerëzimin:
Krimi nuk fillon aty ku nisë gjakdredhja, por aty ku vritet arsyeja!…