Apoteozë e dhimbjes-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Jeton me mua dhimbja që thërmohet

në mokrën e ditëve

Në përpjekjen për t’u shndërruar

kristale të reja qëndrese.

Pohimi i asaj që do të vijë një të nesërme

Shinave një tren i mbushur me qymyr

Rrangalle e një historie që ka vazhdim

Tash e në shtatë breza.

Ish si dhimbja që përjetova

Për atë që takova njëherë, i vetëm

Një plak i gërmuqur ish

Pranë një koshi të zi plehrash

Më rrëfeu ca andralla për jetën.

Jeta është një përrallë që duhet besuar, më thoshte

Ne jemi mbretër

Kërcinjtë tonë të irnosur janë spektri ynë

Rrobat e lerosura janë tunika

Spaletat i kemi me vija qymyri.

Ëndrra e parealizuar – vdekja.

Unë e besova përrallën e tij të jetës

Çdo ditë shkoj në festë i bindur

Ajo ndjek stinët hap pas hapi

me ngjyrat e tyre të dhimbshme

si këngë qyqesh.

Edhe kur gjunjët dridhen në angështi

Një re në një qiell hyjnish

Ndez vetëtimën me gjakun tim.

Unë vazhdoj rrugën pa paralizë.

Nëse kam dhimbje, po jetoj

Nëse pengohem mbi maja gurësh

Po bëj luftën time.

Nëse dikush më ngre përmendore

Këtë s’e besoj!

Sepse po jetoj!