Arian Çika:Linotopi rrezaton trashëgimi


Linotopi rrezaton trashëgimi

Linotopi ishte një fshat malor i vendosur në pjesën veriore të malit Gramoz, rreth 15 kilometra në vijë ajrore nga fshati Dardhë i Korçës.

Si pjesa më e madhe e vendbanimeve të malit Gramoz, Linotopi u krijua me të ikur nga vëndbanimet fushore pas pushtimit të rajonit përreth nga perandoria otomane.

Fshati përmëndet në fund të shekullit 15 në defterët otomanë nën emrin Linitova dhe kishte rreth 72 shtëpi.

Ka të dhëna se pas pushtimit turk të Kosturit (Kastoria), i cili zotërohej së fundmi nga familja fisnike shqiptare Muzaka, një pjesë të pasardhësve të shkollës të pikturës bizantine të këtij qyteti u zhvendosën në lartësitë e Gramozit, në disa nga vëndbanimet e reja, përfshirë Linotopin. Kosturi përmëndet si një nga qëndrat e artit bizantin e krijuar nga perandori bizantin Justiniani.

Linotopi u bë një nga qëndrat më të hershme në rajon të pikturës post-bizantine duke krijuar të ashtuquajturën “shkolla e pikturës e Linotopit” e cila rrezatoi artin në një rajon shumë të gjerë të Ballkanit.

Vëndbanimet në këtë rajon të vargmalit Gramoz – Moravë, me të ikur pas pushtimit turk, krahas blegtorisë si burimi bazë i jetesës që kushtëzonte zhvendosje stinore gjysëm nomade, krijuan specializime progresive të aktiviteteve specifike me një zhvillim të spikatur social – ekonomik.

Linotopi u bë i famshëm për zhvillimin e hershëm në fushën artizanale, tregtare dhe artistike në përpunimin e produkteve të qumështit, leshit, lëkurës, drurit, metaleve etj. kryesisht në bazë familjare dhe farefisnore.

Nga Linotopi kanë dalë :

1. Mjeshtra të pikturës post-bizantine, gjurmët më të hershme janë në 1570 në kishën “Shën Dhimitri” në Palatitsia – Imathia, dhe më pas krijuan një trashëgimi të gjerë në afreske dhe ikona në Epir, Shqipëri të Jugut, Maqedoni, Thesali, Egje etj.

Mjeshtrat nga Linotopi kanë zbukuruar me afreske xhami dhe shtëpitë e njerëzve të pasur.

2 Mjeshtra të argjendarisë të objekteve prej argjëndi, ari etj si për përdorim fetar ashtu dhe familjar përfshirë objekte zbukurimi personale dhe aksesorë për veshjet tradicionale.

3. Mjeshtra të përpunimit të drurit dhe në artin e drugdhëndjes, për qëllime të përdorimit në objekte fetare dhe familjare.

4 Mjeshtra të përpunimit të bakrit.

5. Mjeshtra të përpunimit të produkteve prej leshi për veshje, shtresa, mbulesa shoqëruar me një nivel artistik të spikatur.

6. Mjeshtra të përpunimit të produkteve prej lëkure për qëllime përdorimi të ndryshme përfshirë ato si aksesorë në veshje, pajime, etj.

7. Mjeshtra të përpunimit të produkteve cilësore prej qumështi.

Zhvillimi i këtyre profileve artizanale dhe artistike në Linotopi krijoi marredhënie tregtare dhe pune fillimisht me zonat përreth e më pas me tregjet rajonale, që solli një prosperitet e nivel jetese të admirueshëm për kohën me kulm në gjysmën e dytë të shekullit 18.

Linotopi u bë model frymëzues zhvillimi social – ekonomik për rajonin, por njëkohësisht edhe një target për sulme plaçkitëse të cilët në vitin 1769 sollën shkatërrimin, largimin e banorëve në disa vëndbanime të tjera, përfshirë akomodimin në Dardhë të disa familjeve të ndryshme të cilët patjetër sollën traditat dhe zakonet, dhe ndikuan në zhvillimin social ekonomik.

Pas vitit 1913 Linotopi kaloi në territorin e Greqisë. Linotopi sot është komplet i shkretuar, por ka plane për rivitalizim të këtij vëndbanimi me gjurmë mbresëlënëse trashëgimie.

Në fotot bashkëlidhur piktura të hershme në objekte fetare pist-bizantine të krijuara nga mjeshtrat nga Linotopi.

(Përgatiti Arian Çika)

 

 

About Post Author