Arjana Fetahu Gaba:Mos harro


Arjana Fetahu Gaba

Mos harro

Erë trëndelinë më hidh trupit,
Dy yje më zbrit për këta sy,
Buzët i kam të paprekura,
Të presin ty.

Mos harro flori të hënës,
Të ma dedhësh si gjerdan,
Dhe pak qiell me afro belit,
Dhe ca re, mi vish fustan.

Në s’tu duka ende peri,
Flokët mi lidh me ca ylber,
Gushën kam paprekur,
Ta kam lënë që ndonjëherë.

Dhe në këmbë që mos vritem,
Ca petale nis e shtro,
Mos harro të sjellësh verë,
Dhe ca afshe nga ajo.

Dhe pastaj në prag të mbrëmjes,
Unë ca shkarpa do ti gjej,
Do ti ndez kur të bjerë vapa,
Sa të dua të rrëfej.

Arjana Fetahu Gaba,
June 1, 2022,
Garfield, New Jersey, USA 

About Post Author