Teksa muzgu i fundit kishte mbritur.

Për këtë Janar të ftohtë ndjesish’.
Në leksion më kish grabitur,
Ky qiell tërë copëza dashurish!
E sytë më humbën kur vështronin.
E ngelën pak brenda pikturës.
Sigurisht humba leksionin,
Dhe teoritë e Albert Bandurës.
Kryet kthyer në dritare.
Trupi mbetur po në sall’.
Mendja që kish humbur fare!
Zemra që pikonte mall!
Ky muzg grabitës sot qëlloi.
Sikur më fliste eja-eja..
Këtë thirrje që s’ma shpjegoi,
As Vigotski e as Piazheja.