Armik i rrezikshëm-Ligor Stafa


ARMIK I RREZIKSHËM

Çmenduria ime e mezidëgjueshme
u bën shoqëri historive shkeleshko të natës,
dëshiron një ecje më të thellë,
duke bërë çmosin të ruajë njësinë e shpirtit,
kërkon të panjohurën:
ta prekë,
t’i flasë,
ta shohë,
që unë t’i kuptoj shenjat e kohëve të reja,
që të mos jem më një fëmijë,
që e çon dhe e rrëzon çdo erë mësimesh.

Përreth meje veç vizione pa fytyrë,
që formojnë fragmentin e një makthi,
veç heshtja ezoterike që zmadhon shqisat
e nje flokënajë të verdhë.

Të vjedh librin e xhunglës polimorfe?
Të lëshoj britma për mrekullitë që s’i kuptoj?

I gërmushem errësirës. Konfidencialisht.
Trupi i përndjekur pret shumimin
e labirinteve, të rejat pamje dhe… pusia
çmpin krahët. Bën skenare në terr.
Shkërben ulërimat e ujqërve.

Unë mbaj
erën në duar dhe vazhdoj lojën e flirtit
me natën e përreth.