Aromë Fëmije-Vullnet Mato

AROMË FËMIJE

Fenomen i çuditshëm, por i vërtetë,

kur mes disa fëmijëve të lindur,

nëna dallon aromën e fëmijës së vet,

si në errësirë, ashtu dhe symbyllur!…

Aromën e veçantë të fëmijës së saj,

me asnjë aromë lulesh, s’e ngatërron,

dhe sikur të endet, mes luleve në maj,

nuhatjen e përsosur, nëna, s’e gabon.

Ndoshta krijuesi, a natyra me specie,

bëri ajo të dallojë gjallesën, e vet,

mes shumë nënave, nëna e vetme,

të mëkëmbi krijesën e saj në jetë.

Pasi nëna e mëkon, me pelena mbështjellë,

foshnja sapolindur, bie erë kulloshtër gjiri,

nuk ka aromë më të këndshme, që i ndjell,

nuhatjen me aq ëndje, kur e ka te pëqiri.

Ajo nuk është thjesht, një aromë fëmije,

që krijon nuhatjen e veçantë për nënën,

është oksigjeni, me impulse lumturie,

që i ngroh gjakun, e i përshkon zemrën.

Ky fenomen bën, që dhe nëna e verbër,

ta gjejë fëmijën e vet, kudo në hapësirë,

të rendi si flladi, nga një vend në tjetër,

t’i shkojë pranë, me gjirin aromë erëmirë.

Kësisoj nëna edhe mes disa fëmijëve të vet,

dallon te secili prej tyre, aromën specifike.

Kjo e bën nënën, nga gjithë njerëzit në jetë,

ta çmohet, se është një krijesë magjike…