Aromë pranverore-Vladimir Muça


Vladimir Muça

Me eleksir aromash u mbush kopështi,

Kosat u mprehën në rruzare tërfili;

Diellrrezet si në festë dlirësimi

Zgjojnë afshin e vajzave tek gjiri.

Në kumbull u ndezën lulebardhat,

Fluturat në te hareshëm gazmojnë,

Iriqët gëmushave nga gjumi kashaisen,

Ta tatë e barijve shpatëve gjëmojn.

U treta i mahnitur në tëndin sy,

Vallë kjo bukuri ku ish fshehur?!…

Fytyrëçelur në këtë gjithësi,

Mbi syrin tënd shikimin tretur.

Dhe vetë Zoti, Zoti në bogonishte

Me ne përdore, plot hijeshi

Si valë e detit mbi ranishte,

Nga qielli zbritur si tjetër njeri.

1969-2023

DITA E VERËS NË ELBASAN

Zgjim bliresh në Elbasan,

Aromë bollokumesh,

Këngë kumrijash

Mbi petalet e bruztë.

Hija e Kullës Sahatit

Dhe Isuf Myzyri

Tretur në to.

Mbi shitore

Si nota solfezhi

Gurë lumi, artifakte Ilire.

Nën tingujt e violinës të Mjeshtrit,

Elbasani me ninullën e luleve

E vë dimrin

Të mbllaçisë ballokume.

2017

KUR JAM NË LARGËSI

Kur jam larg, shtergët nisin fluturimin,

Në zemër malli gjëmon në mua;

Në butën e verës mbledh durimin,

Në mëndje më vijnë hyjnitë e bukura.

Realiteti digjet si druri në zjarr

Mes manastiresh, dashurisë të pamesha,

Trup i gjymtuar, zemër e vrarë

Tundohen nga shpirtëra të molepsura.

Mbi qiell tunden kor temjanicash

Nër te-deum absurdesh, dëshpërimi,

Krihen vështrimet nër stalaktide ngricash

Si gratë Teutone në muzgje shiu.

Larg kërkoj mitet në udhët me dredha,

Gjurmën e shtëpisë si pikë topografike,

Relovoj shpirtin, shpresat e reja,

Mbi gjurmët e ikjeve, të vjetra biblike.

Ripunuar 2023