Mbi Dramën

“KAFENEJA E BALLKANIT”
e Profesur B. Baliut[1]
STUDIM NGA ARQILE V GJATA
I nderuar Profesor Begzad Baliu!
Më lejoni t’ju përshëndes e të shpreh disa konsiderata të mijat rreth veprës tuaj “Kafeneja Ballkanike”!
-Qysh në aktin e parë, ju i keni parathënë audiencës se ballkani, vendi ku zë fill ngjarja, është vend guri, malesh e shpellash, ku bota jonë ballkanike duhet të mbijetojë me ligjet, traditën, këngët e ndjenjat e këtyre popujve si në gojën e ujkut…
Mes drurëve me gjarpërinjë në zgavrat e tyre, aty ku kuçedrat xjerrin flakë …
Keni ndërtuar dhe e keni përgatitur spektatorin me gjithçka, që mund të përfytyroj mendja, fantazia dhe aftësia profesionale e një dramaturgu dhe regjizori!
Ju, i nderuar Profesor, të mrekulloni me arkitetkurën e fjalës dhe mendimit artistik dhe po aq me atë filozofik…
Ku edhe ndryshimet më të vogla përcillen me dridhje, tronditje dhe rrënime të mëdha, duke përfshirë këtu dhe ngjyrën e ujit.
Paralelizmat mbi qumështin e gjirit me ujët si qumështi, që i përket tokës mëmë dhe uji i zi, përbaltje vesesh të shoqërisë, ku ndahet e mira dhe e keqja…shumë filozofike e domethënëse. Uji është burim jete e në këtë rast filozofia e fjalës bën diferencën mes të moralshmes e të pamoralshmes në shoqëri…
I Nderuar Profesor Begzad Baliu!
Unë si lexues, jo si specialist i artit dramatik, u shokova nga “FJALA” juaj e ngjyrosur dhe e skalitur me mjeshtëri të pashoq, ku herë-herë “krokamat” e tyre, (të fjalëve) janë oshëtima, krisma pushke! Fjala juaj është shumë “e vjetër” e përafërt me Lahutën…
Në këtë dramë, në të gjitha kuantat, FJALA është produkt i të menduarit dhe kapaciteteve tuaja intelektuale e profesionale e realizuar mjeshtërisht në lidhje me skenën dhe botën, që na rethon!
Dhe padyshim, fjala juaj këndohet në të gjitha gjinit e artit të muzikës dhe përkap shumë semantika të çudishme!
Siç dhe ju thashë me parë, unë nuk e njoh artin e të shkruarit në gjinin e dramës dhe teatrit…
Por si lexues, preka dhe ndjeva një ndërthurrje, një bashkëveprim të natyrës, shpirtit, dëshirës, luftës, kohës së lashtë të cilën e evokon, ligjësisë së kohërave, irreales së dragonjve, kuçedrave etj.,
Të shkrira e të materjalizuara në dramë, në tragjedi dhe në komedi.
Por unë nuk mund ta përshkoj si një fill i vetëm i kuq një analogji të tillë letrare!
Me entusiazmon bota Juaj rreth “Teatrit Ballkanik” e interpretuar tashme në atë “Europjan”…
Jo vetëm kaq…
Si shprehje e një botë reale atë të irreales, një botë psiko-analitike të karaktereve, të mendësive, paragjykimeve, të miteve e epikës, zakonore të kombeve ballkanike, kjo vepër vjen fuqishëm me forcën e zërit, krismën e armëve dhe veçanërisht të arsyes si shprehja më e lartë e zhvillimit njerëzor.
Dëshiroj të përmend këtu edhe nëpërmjet përdorimit të onomatopisë në funksion të veprimit skenik për të thelluar atë ndjenjë, që të kaplon kur ndihesh pjesë e audiencës, në shënjë fataliteti njerëzor…
Po ta përjetoja, ta ndjeja, të isha spektator në shfaqen e kësaj “Drame Ballkanike”, do të jetoja me energjinë dhe bukurinë e dialogjeve tejet bindëse, mjaftë të ndjera, do të bëhesha pjesë e saj padyshim.
Tipare…përsiatje, evokime, fantazia, forca e mendimit, janë mishërimi i karaktereve të personazheve tuaja, ku askush nuk përngjan me tjetërkushin..
Personazhet kanë një jerarki, jo vetëm si përfaqsues, por dhe një mendësi, kulturë e personalitet të ngjyrosur e të gëdhëndur në bashkësinë ku jetojnë, ata paraqiten dhe si personalitete historikë edhe si individë të një botë “moderne”.
Mendoj…se një studim i thelluar dhe i specializuar u takon personaliteteve të studimit të artit skenik.
Të tilla drama moderne gërshetuar me disa zhanre të artit të të shkruarit përbëjnë thesar të gjuhës dhe veprimit të saj funksional, e lëvizjes kuptimore të frazës së pëndorur në dramë dhe filozofisë tradicionale me vlera të patjetërsueshme për filozofinë e mendimit dhe forcën skenike të të vepruarit.
Unë Ju falenderoj nga zemra, që më dhatë mundësi të përjetoja një vepër të tillë skenike, letrare e filozofike!
Ju jam shumë mirënjohës Prof. Begzadi dhe shpreh konsideratën time, urime dhe suksese, begati e shëndet!
30 Korrik 2013
[1] Botuar në Antologjinë letrare kushtuar Pr.Dr.Begzad Baliu me rtastin e 50-të vjetorit të lindjes së tij në Prishtinë.