Artur Balli-një poet dhe shqipërues i talentuar i letërsisë elitare botërore-Nga Arian Çika


#DardhaMagicHeritage – Literature.2

Fisi Balli është një nga fiset më të mëdhenj në Dardhë. Sipas të thënave paraardhësit e tyre u vendosën në Dardhë rreth 260 vite më parë, pas ikjes së detyruar nga shkatërrimi barbar i qytezës të Nikolicës, e cila ishte një prej qëndrave më të zhvilluara e kulturuara të kohës në rajon.

Artur Balli trashëgoi gjenet e kulturës të këtij fisi dhe në një ambient frymëzues zhvilloi që në rininë e hershme prirjet e pasionet e tij për letërsinë.

Babai i tij dardhar dhe nëna korçare, jeta e Arturit ka rrjedhur mes dy dashurish tepër të mëdha: Korça dhe Dardha.

Siç shprehet vetë Arturi, kujtimet e pashlyeshme të fëmijërisë, me gjyshërit, në Dardhë, natyra me bukuri magjike, njerëzit aq të veçantë dhe historia mbresëlënëse e këtij fshati e kanë mbushur shpirtin e tij me një dashuri dhe adhurim të thellë për Dardhën dhe janë burim i përhershëm frymëzimi për krijimet e tij.

Arturi me ndjenjë dhe imagjinatë të spikatur e shikonte botën dhe të bukurën që e rrethonte me syrin magjik të shpirtit artistik duke e kaluar në një prizëm koloristik e transpozuar emocionet me thurrje të FJALËS në një vepër arti që gjeneron energji emocionale tek lexuesit e apasionuar.

Pasioni i tij i krijimit poetik si dhe përkthimit në gjuhën shqipe të autorëve elitarë të letërsisë botërore, u perfeksionua në një nivel shumë të lartë duke marrë statusin e merituar të një poeti e shqipëruesi të talentuar.

Mund të përmëndim veprat e tij në këtë fushë :

– “Ti s’je si vajzat” (lirika);

– “Balada e burgut” (shqipërim i poezise së zgjedhur të Oscar Wilde);

– “Qyteti tjetër” (vëllim poetik);

– “Arrati e dashurisë” (antologji e poezisë së zgjedhur dhe shqipëruar e romantikëve të mëdhenj anglezë);

– “Psalme për jetën” (antologji e poezisë së zgjedhur dhe shqipëruar e poetëve të mëdhenj amerikanë).

Arturi ka punuar në profesionin si inxhinier, gjithashtu si instruktor i gjuhës angleze dhe prej 23 vitesh është drejtor rajonal i kompanisë së sigurimeve Sigal Uniqa Group Austria – dega Korçë.

Është antar i Klubit Rotarian të Korçës dhe president aktual i këtij klubi.

Që në rininë e hershme pasionet e tij vazhdojnë të jenë : letërsia, muzika, fotografia dhe sportet.

Arturi përveç punës së përditëshme ka marrë pjesë sistematikisht në shumë evente që kanë lidhje me letërsinë, sidomos ato poetike, në vënd dhe jashtë.

Është organizues për disa vjet, së bashku me poetin e shquar Skënder Rusi, i eventeve të “Netëve Korçare të Poezisë”.

Ka organizuar gjithashtu takime poetike e evente me krijime dhe shqipërime të tij, me grupe intelektualësh dhe artdashës në Korçë si shfaqje poetike në teatrin A.Z. Çajupi me aktorë të Teatrit Kombëtar.

Poezi të spikatura të autorit Artur Balli janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, ndërsa një numër tekstesh poezish të tij janë transformuar në këngë e serenata prej kompozitorësh të njohur.

Ka marrë pjesë në intervista mbi krijimin artistik, poezinë e përkthimin / shqipërimin në një numër televizionesh dhe emisionesh mbi letersinë.

Krijimet e Artur Balli janë vlerësuar nga lexuesit nga kritika letrare si dhe nga organizata e shoqata të letërsisë, me konsiderata të larta duke e specifikuar si një poet të talentuar.

Arturi ka merituar fitimin e disa çmimeve letrare.

Por le të shtojmë më poshtë si janë shprehur disa nga vlerësuesit kritikë të tij :

• Dhimiter Pango (poliglot, shkrimtar) :

Për librin “Psalme për Jetën”

“Artur Balli ka bërë një punë të madhe e shteruese, duke nisur me jetën dhe krijimtarinë e poetëve të zgjedhur me shumë kujdes prej tij dhe për të vazhduar më pas paraqitjen dhe analizën me mjeshtëri dhe gjykim të rrallë të secilës prej poezive. Ai ka zbërthyer analitikisht, si lëndën mbi të cilën është mbështetur autori ashtu edhe strukturën dhe teknikën e krijimeve.

“Përkthimi i vargjeve, përveç njohjes me themel të gjuhës nga e cila përkthehet, ka nevojë për dy elementë të domosdoshëm, ndjenjën dhe imagjinatën, në mënyrë që krijimi origjinal të paraqitet në gjuhën pritëse sa më saktë, si në formë edhe në përmbajtje duke ruajtur njëkohësisht muzikalitetin e brendëshëm të vargjeve. Shqipëruesit të vargjeve i duhet të hyjë në botën imagjinare dhe shpirtërore të poetit që përkthen. Ai duhet të jetë vetë poet, në shpirt, të zotërojë talentin dhe kulturën e duhur poetike. Shqipërimi, duke mbartur në mënyrë komplekse të gjithë elementët që përbëjnë një poezi, është thuajse një krijim.

Artur Balli u përket atyre që e gjejnë emocionin brenda vargut poetik; ai ka talentin dhe kulturën e nevojshme poetike si edhe një eksperiencë të admirueshme, të dëshmuar edhe më parë, jo vetëm me shqipërimet e tij nga krijimtaria e poetëve madhorë angleze, si Oscar Wilde, William Blake, William Wordsworth, Samuel Coleridge, Lord Byron, Percy Shelley, John Keats e Robert Burns por edhe me krijimtarinë e tij poetike, të denjë për një poet me vlera themelore. Mjafton të lexosh vëllimet e tij poetike “Ti s’je si vajzat” e “Qyteti tjetër” dhe ndjen se brenda secilit varg gjallon një mjeshtër i fjalës artistike e se do të doje të mos ndaheshe kurrë.

Ky është shkaku që unë e quaj poetin Artur Balli, shqipërues e jo përkthyes. Ai e përjeton poezinë që don të sjellë në shqip, e shijon në të gjitha dimensionet e saj dhe më pas hedh në letër me shumë kujdes çdo fjalë a frazë, duke përzgjedhur të barazvlefshmen e saj në shqip.

Falë angazhimit, talentit dhe punës së përkushtuar të poetit e shqipëruesit Artur Balli, përveç poezisë më të zgjedhur nga Oscar Wilde, ne kemi në shqip, për herë të parë në një format e organizim të tillë, kaq të veçantë e cilësor, dy vëllime antologjike të mrekullueshme me poezinë e madhe romantike angleze dhe poezinë e poetëve të mëdhenj amerikanë.

Është një punë e madhe, plot përkushtim dhe përgjegjshmëri si dhe një meritë e admirueshme e poetit dhe shqipëruesit të talentuar Artur Balli që ka sjellë kaq bukur e mjeshtërisht në shqip secilin prej këtyre korifejve të poezisë amerikane, me të gjithë veçanësitë dhe individualitetet e tyre, me specifikat karakteristike e dallueshmërisht të ndryshme të stilit, frymës e muzikalitetit të poezisë që ata shkruan.

“Psalme për Jetën” është një kontribut i vyer në plotësimin e galerisë së poetëve madhorë amerikanë si dhe një vlerë reale në fondin e poezisë së madhe botërore të përkthyer në gjuhën tonë shqipe.

“Me lejoni t’ju them se ndonse e njoh gjuhen angleze e sidomos atë elizabetiane në nivele nga më të lakmuarat, duke lexuar përkthimet e Arturit më mbushet mendja se gjuha shqipe ka me të vërtetë vlera shprehëse po aq, në mos edhe më të larta se gjuha angleze”.

• Arjan A. Bejko :

“Një dhuratë tepër e çmuar për të gjithë lexuesit shqiptarë dhe jo vetëm për ata që nuk e lexojnë dot në origjinal”.

“Artur, ka raste kur vargu yt tejkalon vetë origjinalin për bukuri”.

“Me këto përkthime të librit “Arrati e dashurisë” ti ke ndërtuar një tempull poetik. Uroj dhe rekomandoj të vinë të falen sa më shumë lexues, besimtarë të së bukurës në letërsi”.

• Vangjush Ziko ( shkrimtar, poet ) :

“Arturi e ka përkthyer me dashuri, përderisa ka arritur të na e japë në mënyrë emocionale brendinë e poezisë me kaq dramacitet dhe patjeter me ritmin e origjinalit, gjuha e përkthyesit është e pastër dhe ritmika perfekte. Të lumtë Artur, janë një prurje me vlerë artistike dhe estetike për kulturën tonë”.

• Aida Bode :

“Si gjithmonë, vargjet që ndan (qofshin të shqipëruara, qofshin të shkruara nga pena jote) janë ndriçim i bukur për syrin dhe shpirtin”.

• Afërdita Cesula Ruçaj (redaktore e veprës së Kadaresë) :

“Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet… Vargjet e tua sigurisht vijnë nga ‘thesari i mirë’ i zemrës tënde dhe mënyra si e sheh ti botën”

Dhe në fund le ta mbyllim këtë postim me disa shprehje të vetë njeriut të talentuar Artur Balli, i cili i drejtohet lexuesve të tij :

” Poezia, si të gjithë artet, është subjekt i interpretimit. Çfarë mund të jetë një kryevepër për dikë, për dikë tjetër mund të duket e pakuptueshme.

Por, sa shpesh mendojmë e përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka menduar e ndjerë artisti gjatë krijimit të tij?

Sa i rëndësishëm është konteksti në kuptimin dhe admirimin tonë të një vepre arti?

E ndërsa shoh sot botën ku jetoj… besoj se na bën mirë të kthejmë sytë me adhurim e respekt drejt talenteve të mëdha botërore dhe artit të tyre të magjishëm, pra, drejt luftëtarëve pasionantë dhe sypatrembur të shpresave të dëshpëruara dhe aspiratave më fisnike humane.

Do të dëshiroja të shpresoj që vargjet e këtij libri, përveç kënaqësisë estetike, të ndihmonin sadopak në zbutjen dhe fisnikërimin e shpirtërave, ndjenjave dhe sjelljeve të qytetarëve të mij e mbase të shërbenin për të ushqyer për një moment e mbajtur gjallë ato lule të shpirtit njerëzor që po vyshken e këputen çdo ditë, një e nga një”.

Artur Balli, dardharët krenohen me ju dhe të urojnë suksese në të ardhmen.

(Përgatiti Arian Çika, 20.08.2023)